Bota

Europa po përgatitet për rikthimin e Covid-19

Europa po përgatitet për rikthimin e Covid-19

Me afrimin e vjeshtës, rreziqet e shpërthimeve të Covid19 në vendet e Bashkimit Evropian rriten. Ndërkohë si pjesë e strategjisë kundër përhapjes së virusit, disa përfaqësues të industrisë farmaceutike diskutuan për hedhjen në treg të të ashtuquajturave vaksina të gjeneratës së dytë, një mesazh i qartë për politikanët e 27 vendeve.

“Sot kapaciteti i prodhimit të vaksinave Covid19 e tejkalon shumë numrin e dozave që mund të administrohen. Sfida nuk është më furnizimi me vaksina, por aftësia për të zbatuar me sukses fushatat kombëtare të vaksinimit, veçanërisht ndaj të rriturve dhe të moshuarve”, tha nënkryetari ekzekutiv i seksionit të vaksinave të ‘Sanofit’.

Kompania farmaceutike franceze është një nga kompanitë që do të prodhojë një vaksinë të përshtatur me variantin Omicron, aktualisht në pritje të miratimit. Ema, Agjencia Evropiane e Barnave, deri tani i ka dhënë dritën jeshile versioneve të reja të BioNTech / Pfizer dhe Moderna.

Në fillim të shtatorit, Komisioni Evropian u kërkoi 27 vendeve anëtare të përcaktojnë “strategji të ngurta kombëtare të vaksinimit”, në mënyrë që të mos mbesin të papërgatitur nga stina e ftohtë. Ndër sugjerimet është ai i kombinimit të administrimit të vaksinës kundër Covid me vaksinën e gripit, përgatitja në kohë e zinxhirëve logjistik dhe qendrave të vaksinimit dhe fillimi i fushatave të reja sensibilizuese.

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve parashikon që, pas një vere mjaft të qetë, disa vende evropiane mund të përballen me shtimin e rasteve dhe shtrimet në spitale.

Kryetarja e komisionit special të Parlamentit Evropian për Covid19, ka shprehur gjithashtu shqetësimin e saj për shkallën e ulët të vaksinimit në disa zona të kontinentit.

Ndër objektivat e komisionit të posaçëm, i ngritur marsin e kaluar, është edhe ai për të ‘ndriçuar’ kostot e vaksinave dhe detaje të tjera të kontratave të lidhura me kompanitë farmaceutike.

TRENDING

Exit mobile version