OPINION

“Fajet” e Albinit, si shërbeu Shqipëria për përkëdheljen e Serbisë

Nga Enton Abilekaj

Nuk është e lehtë të kuptohet çfarë ndodh brenda dhomës ku Albin Kurti ulet me orë të tëra përballë Aleksandar Vuçiç. Jo për herë të parë, pjesëmarrësit pas takimit jepnin informacione kundërshtuese, por për herë të parë, Kryeministri i Kosovës, u quajt fajtor edhe nga përfaqësuesi i lartë i BE, Borrell dhe nga lehtësuesi i bisedimeve, Lajçak. Për herë të parë Vuçiç u paraqit kontruktiv dhe vullnetmirë, ndërsa Kurti, ishte i detyruar të replikonte edhe me Lajçak, duke mos e njohur më si palë të tretë, të paanshme.

Një herë e parë jo e papritur. Që nga takimi i parë, kur Vuçiç u shokua nga 5 pikat e Kurtit, ekuilibrat kanë ndryshuar ndjeshëm. Konflikti në Veriun e Kosovës dhe qëndrimi i Përëndimit në favor të Serbisë që dërgoi banditët për të rrethuar komunat, ishte një këmbanë konfirmimi, për të gjithë ata që kishin filluar të dyshonin se përkëdhelja deri në joshje që po i bëhej Serbisë, mund ta sakrifikojë edhe Kosovën. Se ndryshimi i ekuilibrave perëndimore nuk mund të fshihet më kur ka ndryshuar kahje. Replikat e Kurtit me Blinken apo Osmanit me Macron, janë vetëm episode groteske të një përplasjeje krejt të pabarabartë, që konfirmojnë se Kosova është tashmë pa plan, pa aleatë, në një betejë vendimtare.

Nuk dihet sa është përgjegjësia e Kurtit në këtë ndryshim të qëndrimeve perëndimore, por është e vështirë të besohet se sjellja e tij do të përcaktonte strategjinë e Perëndimit në Ballkan. Me kokëfortësinë e tij të vënë në dukje edhe nga liderët perëndimorë, ka tërhequr vëmendjen, ka acaruar nervat dhe ka ndërprerë një projekt, të paktën përkohësisht, por nuk mund të përmbyste kurrsesi një strategji të hartuar në kushtet e rikompozimit të Botës dhe rireshtimit të fuqive të mëdha, që po reflektohet në luftën e Ukrainës.

Serbia që e ka patur gjithmonë statusin e një trupi europian me kokën në Moskë, për herë të parë që nga ekzistenca, po trajtohet si një shtet sovran, si një trup që mund të braktisë kokën, ose ta ndërrojë me një tjetër në Bruksel. Në këtë përpjekje më shumë se të guximshme të Perëndimit, për fat të keq ka ndihmuar edhe Shqipëria.

Që në fillimin e kësaj ideje, Tirana zyrtare, i ka dhënë statusin e një shteti paqësor, sovran dhe europian Serbisë. Takimet e shpeshta me Vuçiçin, më pas projekti për shkëmbimin e territoreve, pastaj iniciativa e Novi Sadit që u shndërrua në Ballkan i Hapur, i dha Vuçiçit statusin e njeriut paqësor, që ndan vlera perëndimore dhe mund të jetë i pavarur nga Putini dhe Beogradi mund të jetë qendra politike e Ballkanit Perëndimor, me kushtin që Tirana të ishte e dyta.

Përveç kësaj, me Ballkanin e Hapur, por edhe më parë me politikat e hapjes ekonomike, Shqipëria i siguroi Serbisë një treg shqiptar për të çliruar energjinë e investimeve të huaja përfshirë Ruset dhe Kinezet në miliarda dollarë. Kështu, flirtimi i hapur i Serbisë me Rusinë dhe Kinën, në vend ta izolonte, e shndërroi Beogradin në qendrën ekonomike të Ballkanit Perëndimor.

Me statusin e qendrës politike dhe ekonomike të Rajonit, Serbia mund të negocionte me Perëndimin më shumë se të dyja shtetet shqiptare. Ky nuk ishte avantazhi i vetëm strategjik që Edi Rama i fali Vuçiçit. Përveç fuqizimit të Serbisë, i dhuroi edhe përçarjen e shqiptarëve. Ai e izoloi Ramush Haradinajn në Berlin, pastaj Thaçin dhe Hotin për Ballkanin e Hapur, deri te konfikti me Albin Kurtin që u shpalos qartë pikërisht në momentin kur Kosovës i duhej më shumë Shqipëria.

Konflikti në Veri e gjeti Kosovën më të vetmuar se kurrë, pasi Edi Rama anuloi mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Gjakovë, duke shënuar sanksionimin e parë të Kosovës.

Sot, kur konstatohet me dëshpërim kapërcimi spektakolar i Perëndimit nga Kosova te Serbia, nuk mund të lihet pa u thënë se një dorë e ka dhënë Shqipëria, të paktën në 8 vitet e fundit, kur ideja e rehabilitimit filloi të hidhej në tregun ndërkombëtar.

Ashtu si tha në Bruksel që nuk duhet bërë presion ndaj Serbisë për t’ i vënë sanksione Rusisë, ashtu si bëri në kulmin e krizës duke sanksionuar Kosovën dhë në analizën e fundit përpara nisjes për në New York, ku shprehu qëndrimin neutral të Shqipërisë dhe paqartësinë e pafajshme të Serbisë, Edi Rama ka ndihmuar, me aq sa ka patur fuqi, që gradualisht të shkohej aty ku jemi sot.

E vetmja mundësi që i ka mbetur Kosovës së vetmuar, është të rezistojë derisa të mos jetë më e njëjta situatë. Të paktën derisa Kosova ta ketë Shqipërinë në krah.

TRENDING

Exit mobile version