Aktualitet

Fieri nën “pushtetin” e flakëve, në Margëlliç rrezikohet një depozitë gazi

Bashkitë Fier, Patos dhe Mallakastër këtë të shtunë kanë përjetuar një ndër ditët më të vështira për vitin 2023, përsa i përket situatës së rënduar me vatrat e zjarrit që janë shfaqur njëra pas tjetrës.

Vatra të shumta zjarri janë aktivizuar gjatë pasdites dhe dhjetëra forca zjarrfikëse gjenden në terren duke luftuar me flakët.

Sipas burimeve kanë qenë të paktën 11 vatra aktive zjarri gjatë ditës së sotme, ku më problematikja mbetet ajo në pyllin e Darëzezës, ku me errësirën bëhet e pamundur jo vetëm ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse, por edhe ajo nga ajri.

Ndërkohë mësohet se aktualisht janë aktive edhe disa vatra zjarri, ku ndër më problematiket shfaqet edhe ajo në Dërmenas të Libofshës. Aty flakët po i afrohen një stalle bagëtish dhe banesave të zonës.

Po ashtu vatra zjarri ka edhe në Patos, ndërkohë që sipas informacioneve edhe në Drenovë Fushë, në Mallakastër, është aktivizuar një tjetër vatër zjarri.

Me rënien e muzgut një vatër zjarri është ndezur në vendin e quajtur “Menca 3” përbri kodrës në Margëlliç. Janë ende të paqarta rrethanat e rënies së zjarrit, por era e fortë po favorizon flakët.

Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes mësohet se rrezikohen disa banesa dhe një pikë me rezervuar gazi.

Një tjetër vatër zjarri është shfaqur edhe në afërsi të fshatit Vajkan, në anë të autostradës Fier-Lushnje.

TRENDING

Exit mobile version