Rajon

Flet krimineli i luftës/ Hill, O’Brien dhe plani i krijuar në Rambuje

“Negociatat në Rambuje, të cilat filluan më 6 shkurt para 25 vjetëve, mund të shihen edhe si një hyrje për marrëveshjet e mëvonshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” – kështu ka pretenduar krimineli i luftës, dhe shërbëtori besnik i Millosheviçit, Nikolla Shainoviq, i cili ishte një nga përfaqësuesit e delegacionit serb në negociatat në vitin 1999 në Rambuje.

Shainoviq ka thënë se atëherë Republikes Federative te ish Jugosllavisë iu ofrua që me një nënshkrim të pranojë edhe pushtimin e të gjithë vendit, edhe mekanizmin e shpalljes së Kosovës së pavarur.

Në një deklaratë për portalin serb “kosovoonline”, krimineli Shainovic ka thënë se “negociatat në Rambuje nuk janë një ngjarje e veçantë dhe se gjërat kanë filluar të ndodhin para kësaj. Në këtë kuptim, ai ka theksuar se negociatat në Rambuje janë vazhdimësi e negociatave me Ibrahim Rugovën për arsimin në vitin 1998, si dhe negociatat me Rugovën, të ndërmjetësuara nga Christopher Hill, për hartimin e një dokumenti për vetëqeverisjen në Kosovë”.

E gjithë kjo, siç tha ai, zgjati deri në vjeshtën e vitit 1998 dhe më pas papritur “Amerika ndërroi anë”.

“Amerika e braktisi Rugovën, braktis ndërmjetësimin e Vatikanit për arsimin dhe Christopher Hill me Holbrook-un, u ulën me atë pjesëtarin mjekrosh të UÇK-së në Junik me kallashnikov në dorë dhe demonstruan se Amerika ka kaluar në anën e armatosur brenda korpusit shqiptar. Pastaj u zhvilluan luftime, pasivizimi i UÇK-së, vjen Walker-i i cili fillimisht ishte bashkëpunues, e më pas punoi për të rikthyer UÇK-në dhe të na përgatiste një konflikt të ri. Ndërkohë NATO po përgatitej për luftë dhe gjatë këtyre përgatitjeve u zhvilluan negociata formale.  Pse formale – sepse asnjëherë nuk u ulëm të bisedojmë me palën tjetër.

Atje ishin Rugova dhe akademiku Rexhep Qosja, dhe serbët mbetën anash. Ata u tradhtuan dhe Madeleine Albright e shpalli Hashim Thaçin lider të palës shqiptare. Nuk ka pasur negociata” – pretendoi Shainovic. Sipas fjalëve të tij, përmbajtja e negociatave ishte që të dorëzohej sovraniteti i ish Jugosllavisë, jo i Kosovës.

Në këtë kuptim, ai shpjegoi se Perëndimi kolektiv sot ka dalë me një metodë të re të luftës, e cila është lufta me marrëveshje.

“Unë ju jap një marrëveshje, ju plotësoni tuajën, unë nuk e përmbush timen, kështu që kur të protestoni, ju ofroj një marrëveshje të re në të cilën është përsëri e njëjta gjë. Dhe ja ku jemi sot, ndalimi i dinarit, arrestimi i një grupi mjekësh dhe teknikësh mjekësorë, pasi siç thonë ata, kanë ofruar shërbime mjekësore pa autorizim dhe kështu kemi ardhur në shkeljen e gjithçkaje që është bërë deri më tani. Rambuje ishte vetëm një segment i këtij procesi qe po vazhdon” – ka pretenduar Shainoviç.

I pyetur nëse ka ndonjë lidhje mes ngjarjeve të atëhershme dhe të tanishme, duke pasur parasysh se në bisedimet në Rambuje kanë marrë pjesë ambasadori i SHBA-së në Serbi Christopher Hill dhe Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane, James O’Brien, Shainoviç ka pretenduar se ka dhe se ata janë pjesë e administratës së Joe Biden, e që është vazhdimësi e planit.

“Nuk ka dyshim, nuk ka teori konspirative, gjithçka ishte dhe është një rrjedhë dhe një plan” – ka thënë krimineli Nikolla Shainoviç, i dënuar në Tribunalin e Hagës për krime lufte.

TRENDING

Exit mobile version