11/06/2021 , 14:33

Gara për kreun e PD, sot dita e fundit e fushatës, nesër heshtje zgjedhore! 75 mijë anëtarë zgjedhin mes Bashës, Harxhit, Shehajt dhe Kadillit

Sot është dita e fundit e fushatës së 4 kandidatëve për kryetar të PD për t’iu drejtuar mesazhet e tyre demokratëve, duke iu kërkuar që t’iu besojnë drejtimin e partisë për 4 vitetet e ardhshme.

Katër kandidatët, Lulzim Basha, Agron Shehaj, Edith Harxhi dhe Fatbardh Kadilli, sot do të zhvillojnë takimet e fundit elektorale, ndërsa dita e nesërme është heshtje zgjedhore dhe nuk lejohen aktivitetet. Të shtunën demokratët vendosin se kush do të drejtojë PD.

Janë rreth 75 mijë anëtarë të PD që do të kenë të drejtën e votës ditën e dielë dhe do ti drejtohen 76 qendrave të votimit të ngritura në të gjithë vendin, përmes të cilave anëtarët do të ushtrojnë të drejtën e votës për të zgjedhur kryetarin. Rikujtojmë se lista e anëtarësisë deri më sot nuk ishin bërë publike as për 4 kandidatët në garë. Komisioni Zgjedhor sot hapi  listat e anëtarësisë së PD për votimet e së dielës, në prani të përfaqësuesve të kandidatëve për kryetar të PD. Pas hapjes së  sistemit, degëve do t’u dërgohen listat e vulosura dhe me firmën e anëtarëve të Komisionit, përfshi dhe kandidatëve për kryetar të PD (janë emrat e 75067 anëtarëve të PD).

Votën mund ta hedhin vetëm personat që kanë kartë anëtarësie. Të përjashtuar nga vota do të jenë demokratët që sipas kryetarit të Komisiponit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana kanë bërë fushatë haptas për kundërshtarët në zgjedhjet e 25 prillit, ndonëse ata rezultojnë anëtarë të PD. Nga ana tjetër, Gjana tha se do të lejohen që të votojnë ata që s’kanë emrin në lista, por kanë kartë anëtarësie.

Ndalur te mbarëvajtja e zgjedhjeve, Gjana ka bërë me dije më herët se vetëm Lulzim Basha, ka dorëzuar emrat e vëzhguesëve asnjë nga kandidatët e tjerë. Kjo është një e drejtë tha Gjana, jo detyrim për kandidatët, për pasojë nëse nuk e ushtrojnë këtë, Komisioni nuk ka për detyrë që të delegojë asnjë emër. Kandidatët e tjerë kanë kërkuar më shumë kohë, megjithatë, Gjana tha se askush nuk do bëhet anëtar i Komisionit pa u verifikuar nëse është pjesë e PD-së.

Të shumta kanë qenë akuzat edhe nga rradhët e demokratëve që e kanë cilësuar garën e të dielës brenda PD një farsë. Ish-nënkryetari i FRPD, Lisander Hoxha , tha se u është hequr e drejta e votës 28 mijë anëtarëve, mes tyre dhe të rinj, sipas tij në mënyrë që të fitojë Basha.

Në garën e brendshme të PD, evidentohet fakti se Basha ka zgjedhur të mos ngrijë funksionet e tij para zgjedhjeve duke mos dhënë  dorëheqjen por ka zgjedhur të garojë duke mbajtur postin si kryetar i partisë. Të gjithë kandidatët kanë paraqitur një program, përveç Bashës. Zbardhja e masakrës zgjedhore dhe vijimi i betejës kundër Edi Ramës, është i vetmi objektiv që kryedemokrati Lulzim Basha ka shpalosur te demokratët.

Të tre kandidatët përballë Lulzim Bashës suksesin e partisë e lidhin së pari me reformimin e saj, ndaj edhe kanë paraqitur platformat politike. Në platformat e tyre, Kadilli dhe Harxhi kërkojnë një PD të bashkuar, i pari nëpërmjet një strukture organizimi të re, duke nisur nga degët e partisë, ndërsa e dyta duke rikthyer në parti, njerëzit me kontribute, që prej themelimit të PD. Agron Shehaj në programin e tij me katër shtylla kryesore dhe me moton PD, partia që fiton, kërkon ngritjen e një sistemi elektronik për shprehjen e mendimit dhe votimit nga anëtarësia.

Sot kandidatët kanë zgjedhur qarqe të ndryshme për të përmbyllur fushatën. Basha do jetë në Paskuqan dhe më pas në Fier, ku do përmbyllë fushatën. Shehaj dhe Harxhi do e përmbyllin fushatën në Tiranë. Më 13 Qershor do të jetë anëtarësia ajo që do ta thotë fjalën e fundit.

2 ditë para zgjedhjeve, PD shpërndan listat e anëtarëve që votojnë! Jemin Gjana: Kandidatët për kryetar firmosin për 76 komisionet
Komisioni Zgjedhor hapi sot listat e anëtarësisë së PD për votimet e së dielës, në prani të përfaqësuesve të kandidatëve për kryetar të PD. Kryetari i Komisionit Zgjedhor Jemin Gjana bëri të ditur se, pas hapjes së  sistemit, degëve do t’u dërgohen listat e vulosura dhe me firmën e anëtarëve të Komisionit, përfshi dhe kandidatëve për kryetar të PD. Në lista janë emrat e 75067 anëtarëve të PD, te cilët ndahen në 76 komisione votimi.

“Në pesë degë që kanë nga dy komisione bëhet një ndarje afërsisht e barabartë e numrit të anëtarëve. Kemi përgatitur zarfat për secilin prej komisioneve.  Janë 76 zarfa në të cilat do të fusim listat e votimit të 76 komisioneve të votimit. Do t’i mbyllim, do t’i vulosim, dhe do t’i firmosim, secili, Kryetari dhe Sekretari i komisionit, detyrimisht dhe secili prej kolegëve anëtarë dhe përfaqësues të kandidatëve të këtij Komisioni, firmën mbi këto zarfe tek pjesa që mbyllet.

Zarfat, bashkë me materialet e tjera zgjedhore, do të shpërndahen nesër dhe do të hapen në prani të Komisionit, në momentin që fillon procesi i votimit. Pra do të hapen në orën 08:00 të ditës së diel. Kryetarët e Komisioneve e kanë marrë këtë porosi të prerë që zarfat nuk mund të hapen nga askush, zarfat do të hapen vetëm nëpërmjet Komisionit dhe do të përdoren në tavolinën e Komisionit për procesin e votimit.”- u shpreh kryetari i Komisionit Zgjedhor Jemin Gjana.

Basha nga Peqini dhe Paskuqani: Këtë garë brenda partisë e shfrytëzova vetëm për tu bërë bashkë me ju

Në ditën e fundit të fushatës për kryetar të Partisë Demokratike, kryetari aktual i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me anëtarësinë e PD në Peqin dhe në Paskuqan.
Duke i konsideruar zgjedhjet e 25 prillit si ditën kur ra demokracia, Basha thotë se demokratët në zgjedhjet e së dielës do të tregojnë se ne nuk dorëzohen përballë kësaj pakice.

Basha tha nga Peqini se Qarku i Elbasanit u vendos më 25 prill “në thepin e artilerisë të njeriut më të urryer në Shqipëri pas Edi Ramës, kryekriminelit Taulant Balla dhe kriminelëve të tij”.

“Shqiptarët si kudo anembanë vendit e në veçanti në Peqin vendosën përkundër masakrës zgjedhore, përkundër harbutërisë së horrave të Taulant Ballës me shokë, vendosën të ndryshonin, vendosën të ndiqnin Partinë Demokratike në rrugën për ndryshim sepse ne kishim kohë që jepnim prova se në këtë betejë  nuk ishim futur për veten tonë, nuk ishim futur si agallarët e rinj për të zaptuar çfarë të mundeshim publike dhe private dhe pastaj për ta ndarë si kothere e për t’ua hedhur në fytyrë bashkëqytetarëve si mëshirë”, tha Basha.

Kreu i PD tha se ai ka refuzuar ta përdorë këtë garë të brendshme për asgjë tjetër përveçse për t’u bërë bashkë me anëtarët.

“Ndaj, ajo që duhet të bëjmë është që përmes pjesëmarrjes masive të tregojmë forcën tonë, faktin që jo vetëm nuk jemi në gjunjë por jemi kokë lartë, se betejën e kemi bërë me vlera dhe janë të tjerë njerëz që duhet të jenë më kokën poshtë në Peqin, Elbasan dhe në gjithë Shqipërinë për atë që iu kanë bërë qytetarëve të tyre. Duhet të dalim nga kjo betejë mendjendarë e jo të çoroditur. Duhet të dalim nga kjo betejë të vendosur e të bashkuar siç  jemi, për t’i shkuar deri në fund luftës për demokraci”, tha Basha ndër të tjera.

Related Posts

Kategorite

BIoscalin