Ditën e sotme në vendin tonë u shënua një numër i lartë i të infektuarve me Covid-19. Në 24 orët e fundit u konfirmuan pozitivë me koronavirus, 1052 persona, ndërkohë 585 u shëruan dhe 14 humbën jetën. Ditë pas dite numri i të infektuarve është rritur dhe drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka theksuar se gjendja është përkeqësuar.
I ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” ai u shpreh se mund të ketë një kufizim në orarin e lëvizjes, duke e ulur akoma më shumë. Nëse situata me pandeminë vazhdon me këto ritme, Brataj tha se mund të mbyllemi në orën 18:00 ose 20:00, siç ka qenë edhe disa muaj më parë.
“Një rritje e tillë, duhet mbyllja patjetër, jo se them unë. Nuk mund të dalim kundër rregullave të natyrës. “Lock Doën” është dhe orë policore. Mund të ulet ora. Mund të mbyllemi ne 18:00 ose 20:00, nëse rriten rastet. Mund të ndërhyhet. Këto janë zgjidhjet, ulja e orarit mbyllja e aktiviteteve dhe të ngelen ato esencialet, të domosdoshme”, deklaroi Brataj.
Gjithashtu ai deklaroi se koronavirusi i ri mund të ketë hyrë edhe në vendin tonë dhe se do të bashkëpunojnë me autoritetet europiane për ta identifikuar atë.
“Gjendja është përkeqësuar. Festat e fundvitit, spostimi nga Tirana në qytete të preferuara, ka krijuar më shumë raste. Njerëzit e çuan virusin në Sarandë për shembull nga pushimet.
Shqipëria mund të bashkëpunojë me autoritete eutopiane për të identifikuar koronavirusin e ri. Vendi ynë ka shumë mundësi të preket nga koronavirusi i ri”, tha drejtori i Urgjencës Kombëtare.
icon