Connect with us

Biznes

Gjergj Erebara: Përse ka radhë nëpër banka

Published

on

Kryeministri Edi Rama u ankua së fundmi ndaj bankave, pasi këto të fundit, gjithnjë e më shumë, po bëhen simbol i radhëve të gjata. Sipas Ramës, “bankat nuk janë gjëkundi me shërbimet online”. Ky gjykim duket jo shumë i mbështetur në fakte. Bankat kanë qenë pararojë të shërbimeve online në Shqipëri me shërbimet e para të kësaj natyre të ofruara që nga fillimi i viteve 2000. Problemi me bankat duket se qëndron gjetkë: ai qëndron te fakti që bankat kanë sot biznes të sigurt nga detyrime të ndryshme që qytetarët kanë për t’i përdorur shërbimet e tyre, pavarësisht nëse u pëlqen t’i përdorin apo jo. Me pak fjalë, bankat gëzojnë biznes të sigurt dhe njëkohësisht, përmes disa teknikave të njohura si “kufizim horizontal i konkurrencës”, janë në gjendje të përcaktojnë çmime predatore dhe kushte predatore për shërbimet që japin. Situata nuk është e panjohur, ajo është hetuar disa herë nga Autoriteti i Konkurrencës, por ky institucion ka rezultuar ose i paaftë, ose i pafuqishëm për të bërë punën e vet.

Problemi nuk është vetëm te radhët që qytetarët duhet të mbajnë për shërbime bankare dhe as ngushtësisht i lidhur me kostot në rritje të këtyre shërbimeve. Fakti është që, bankat, – duke qenë në gjendje të sigurojnë të ardhura të majme nga komisione për shërbime që qytetarët detyrimisht do të duhet t’i marrin, si dhe të ardhura akoma më të majme nga interesat e borxhit publik ku ato dominojnë falë fuqisë ekonomike dhe asimetrisë së informacionit dhe disa kufizimeve administrative, – kanë mundësinë t’i lejojnë vetes të mos rrezikojnë duke dhënë kredi por të bëjnë qejf me të ardhura të sigurta dhe pa rrezik. Kjo natyrisht që përbën problem për ekonominë kombëtare. Paratë që duhej të investoheshin përmes kreditimit bankar në aktivitete fitimprurëse dhe që hapin vende pune në sektorin privat, në fakt përfundojnë për të financuar borxhin publik, duke bllokuar efektivisht zhvillimin ekonomik të vendit, ose duke e ngadalësuar atë.

Zgjidhja për këto dy probleme nuk është aq e vështirë: sistemi rregullator, (Banka e Shqipërisë apo Autoriteti i Konkurrencës), duhet të imponojë funksionimin e konkurrencës në tregun e shërbimeve bankare ndërsa qeveria, si pronare e borxhit publik, duhet të ulë borxhin publik dhe të reklamojë tërheqjen e investitorëve të rinj në këtë treg, me qëllim që dominimi i bankave në të, të pakësohet.

Në çdo rast, problemi nuk qëndron te bankat sepse ato janë biznese private dhe nga biznesi privat nuk mund të presësh ndjeshmëri sociale dhe as largpamësi në lidhje me zhvillimin afatgjatë ekonomik të vendit. Këto dy gjëra, ndjeshmërinë sociale dhe largpamësinë, duhet ta presësh nga autoriteti publik.

Një përdoruesi të shërbimeve bankare vështirë se do t’i ketë shpëtuar të vërejë se si, përgjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, cilësia e shërbimeve bankare ka rënë ndërsa kostot e shërbimeve bankare janë rritur. Rënia e cilësisë mund të vërehet te rradhët e gjata që duhet të presësh për veprimin më të thjeshtë si dhe, nëse vëren më me vëmendje, kohën tejet të gjatë që një punonjësi shërbimi në banka të ndryshme, i nevojitet për të bërë veprimin më të thjeshtë, si, fjala vjen, të numërojë 20 kartëmonedha apo të printojë një dokument. Por për këtë nuk mund të ketë matje të saktë, ky është thjeshtë një konkluzion disi abuziv. Ajo që mund të matet më saktë është kostoja e shërbimeve bankare, të matura këto nga pasqyrat financiare të vetë bankave. Po flas për të ardhurat që bankat kanë nga komisionet bankare, të tilla si komisionet për pagesat e taksave apo komisionet e “mirëmbajtjes” së llogarive bankare, veçanërisht, llogarive që qytetarët janë të detyruar të hapin për të marrë pagën.

Situata ishte krejt e kundërta pesëmbëdhjetë vite më parë. Cilësia e shërbimit ishte e lartë, rradhët ishin të pakta dhe komisionet bankare ishin absolutisht shumë më të ulëta se sa sot.

Ngadalësia e punës nga punonjësit e bankave ka gjasa që lidhet me statusin e tyre si prekariat. Bankat janë institucione me pabarazi të mëdha në të ardhura dhe lista e pagave e rrjedhur më nëmyrë famëkeqe disa muaj më parë, tregon se si sportelistët nëpër banka marrin paga fare pranë pagës minimale zyrtare ndërsa drejtorët e tyre i kanë rrogat dhjetëfish e njëzetfish më të larta.

Fitime të sigurta

Dy gjëra duket se e ndryshuan situatën për keq përgjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit: 1. Vendimi i Bankës së Shqipërisë rreth vitit 2005 për të mbyllur sportelin e hapur për blerjen e titujve të borxhit publik, vendim që bëri që bankat të rifitojnë një kontroll mbi tregun e borxhit publik dhe, më e rëndësishmja, mbi informacionin që u jepet investitorëve potencialë për mundësinë në investimin në borxh publik. 2. Vendimi i Ministrisë së Financave në vitin 2007 për të detyruar të gjitha bizneset që të paguajnë rrogat e punëtorëve në banka.

Sot tregu i borxhit publik të brendshëm është 702 miliardë lekë, të cilat prodhojnë 36 miliardë lekë interesa. Vetëm 10% e këtij borxhi mbahet nga individët ndërsa 90% mbahet nga bankat dhe institucionet e tjera financiare.

Përgjatë vitit 2020, të ardhurat e bankave ishin rreth 98 miliardë lekë gjithsej ndërsa të dhënat e borxhit publik sugjerojnë se një e treta e të gjitha këtyre të ardhurave, sigurohen nga borxhi publik. Me kaq shumë fitime me rrezik zero, ku roli i bankës qëndron thjeshtë te marrja e depozitave të klientëve dhe blerja me këto depozita, të borxhit publik, ndërsa avantazhi konkurrues i bankës qëndron te injoranca e shumicës dërrmuese të depozituesve për ekzistencën e borxhit publik si mundësi investimi, nuk është çudi që bankave të mos ua ndjejë për cilësi shërbimi.

Por është fenomeni tjetër, ai që nisi me vendimin për të detyruar punëmarrësit të hapin llogari bankare si dhe prirjes së institucioneve publike që, nën lobimin e bankave, të detyrojnë qytetarët të përdorin bankat edhe për pagesat më të vogla, ai që ka krijuar më së shumti këtë historinë e rradhave.

Historia e shkurtër është pak a shumë kështu: në vitin 2004, Bankës së Shqipërisë i shkoi ndër mend që të pajisë punonjësit e vet me shërbime bankare, pra që pagën të mos e merrnin te zyra e financës, por te një bankë. Ishte një ide e mirë. Sot është absurde të mendosh se një punonjës i një banke qendrore, nuk ka llogari bankare në një bankë të nivelit të dytë, por gjërat në atë kohë, ashtu ishin. BSH përzgjodhi bankën ku do të transferonte pagat e punonjësve përmes një konkursi, një beauty contest, në të cilin, bankat konkurruan me njëra-tjetrën për të ofruar kushtet më të mira të mundshme. Banka fituese ofroi zero komision për llogaritë bankare dhe lehtësi të tjera. Kjo ishte një mënyrë e mirë, por jo tamam siç duhet, në zgjidhjen e problemit. Logjika ta do që ai që bën zgjedhjen se ku e merr shërbimin bankar, duhet të jetë klienti, pra punëmarrësi dhe jo punëdhënësi. Dhe logjika ta do që punëmarrësi, jo vetëm që duhet të ketë të drejtë të zgjedhë bankën ku merr rrogën, por duhet të ketë të drejtë edhe ta ndryshojë bankën, nëse ajo nuk i pëlqen.

Në vitet që pasuan, institucionet e ndryshme publike ndoqën nismën e BSH-së, duke transferuar punëmarrësit në banka dhe duke i dhënë në proces e sipër, bankave, klientë qyl. I ashtuquajturi beauty contest jo vetëm që nuk u përsërit, por u zëvendësua me kapitalizëm të llojit far west bankar. Drejtorë degësh bankash, të cilët, kanë gjithësecili kuotat e veta për të plotësuar, në bazë të së cilave, varen kompensimet financiare, filluan të pazarohen me lloj-lloj drejtorësh institucionesh publike. Dhe duke qenë se gjetja e klientit nuk varej më nga bindja e klientit potencial për cilësinë dhe çmimin e shërbimeve të ofruara, por nga humori i këtij apo atij drejtori a drejtoreje a ministri a ministreje, natyrisht që marrja e pagave në bankë filloi të shoqërohej me komisione bankare. Komisioni bankar mujor tip prej 150 lekësh në fakt nuk është shtrenjtë për përdoruesin por për bankën, qindramijëra komisione të tilla çdo, nuk janë më të qelbura.

Në vitin 2007, Ministria e Financave, në emër të luftës kundër evazionit fiskal, urdhëroi biznesin privat të transferojë pagat në banka. Sërish, nuk ka asgjë të keqe që punëmarrësi të ketë një llogari bankare, madje është gjë e mirë. Por edhe në këtë rast, nuk ishte klienti, pra punëmarrësi, ai që zgjidhte bankën por ishte punëdhënësi.

Ky lloj far west-i degjeneroi deri në banalitet. Ishte një kohë kur bankat lobonin pranë zyrtarëve të qeverisë me qëllim që pagesa të tilla si ndihma ekonomike, të mos shpërndahej më nëpër zyrat e postës apo nëpër zyrat e njësive të pushtetit vendor, por edhe më të varfrit e më të varfërve të detyroheheshin të shkonin nëpër banka. Në një rast, për këtë kategori, një bankë ofroi komision promocional prej 50 lekësh në muaj. Ky komision për një varfanjak që në atë kohë merrte ndihmë ekonomike prej 2 mijë lekësh në muaj, natyrisht që ishte e barabartë me një bukë, por ama për bankën, mijëra komisione të tilla 50 lekëshe nuk ishin pak. Akoma më tutje, për pagesa të vogla, të tilla si tarifa regjistrimi nëpër shkolla e kopshte, komisionet e pagesave filluan të ishin më të larta se sa vetë pagesat.

Bankat, me qëllim që të çimentonin kontrollin e tyre mbi klientin dhe të mbronin veten nga konkurrenca, përdorën disa mekanizma që njihen si “kufizimet horizontale” të konkurrencës. Konkretisht, transfertat brenda një banke kanë në përgjithësi kosto zero, ndërsa transfertat jashtë banke kanë kosto dyzet herë më të lartë se sa kostoja që Banka e Shqipërisë ka pas zbatuar për klerimin e pagesave. Dhe ka banka që për transferimin brenda llogarive të të njëjtit klient, mbajnë komision ndërsa për transferimin brenda bankës, nuk mbajnë. Qytetari, kur gjen një vend pune, automatikisht duhet të pranojë shërbimet e bankës ku mban llogaritë punëdhënësi. Prej këtu lindin dhjetëra të tjera “kufizime horizontale” të konkurrencës. Kur një qytetar paguan me kartë bankare të lëshuar nga një bankë shqiptare në monedhë të huaj, kursi i këmbimit i mbajtur nga banka, është zhvatës.

Gjatë vitit të kaluar, bankat fituan rreth 7.9 miliardë lekë nga komisionet bankare, fitime këto që janë rritur gjatë viteve të fundit, duke filluar nga niveli thuajse zero në epokën para se drejtorët e shtetit dhe bizneset private të zgjidhnin bankën që punëmarrësit e tyre do të duhej të merrnin shërbime.

Vitin e kaluar, Autoriteti i Konkurrencës vërejti se komisionet për shërbimet kryesore bankare janë thuajse identike në të gjithë tregun, një tregues ky i konkurrencës së ulët në këtë segment të shërbimeve. Por Autoriteti pranoi shpjegimet e bankave dhe mbylli hetimin pa ndonjë masë konkrete, hera e dytë që ky institucion zbythet para fuqisë së bankave.

Gjatë viteve të fundit, pasi fuqia e klientit për të zgjedhur bankën u eliminua, bankat kanë preferuar që ta përzënë klientin nga sporteli. Sportelet kushtojnë, pagat e sportelistëve, sado pranë pagës minimale, kur mblidhen bashkë, bëhen shumë kështu që bankat kanë zgjedhur të transferojnë me detyrim qytetarët online ose në bankomate. Sërish, përdorimi i bankingut online nuk është keq dhe përkundrazi, lehtëson shumë punë, si për biznesin, ashtu edhe për konsumatorin. Por bankingu online logjikisht duhet të kushtojë më lirë, me komisione më të ulëta se sa bankingu fizik. E pra kjo nuk ndodh sepse konkurrenca është e kufizuar. Dhe njerëzit, të trembur nga arbitrariteti i autoritetit shtetëror, (për të cilin Rama ka kontributin e vet me shpronësimet arbitrare dhe shkatërrimet e pronave), nuk beson te dokumentet elektronike dhe shkon me këmbëngulje te sportelet e bankës, jo për të marrë shërbimin, por për të marrë vulën. Pagesat e TVSH-së më datë 14 dhe të sigurimeve më datë 20 mund të bëhen online në shumicën dërrmuese të bankave sot, por ka shumë që mbajnë rradhë sepse nuk janë të sigurt pa pasur dokumentin fizik. Dhe pastaj, shumë qytetarë që kanë veprime për të bërë në më shumë se një monedhë, nuk mundet që t’i bëjnë online sepse kjo nënkupton pranimin e një marzhi zhvatës nga bankat në kurs këmbimi, shpesh 3 apo 5 për qind mbi shumën e këmbyer, dhe për këtë arsye, detyrohen të shkojnë në bankë, të tërheqin paratë në valutë, të shkojnë te një zyrë këmbimi valutor normal ku këmbimi valutor kushton 0.2 apo 0.3 për qind, dhe pastaj të kthehen në bankë për të depozituar në lekë, në mënyrë që të bëjnë, fjala vjen, pagesën e sigurimeve shoqërore online. Shumë biznese që punojnë me më shumë se një monedhë, përdorin për kurs këmbimi kursin mesatar fiks të Bankës së Shqipërisë. Ndërsa si rregull, gjigandët ndërkombëtarë të pagesave, si Visa dhe Mastercard, mbajnë kurse këmbimi në marzhe 0.2 për qind nga kursi mesatar. Por bankat shqiptare, të cilat janë edhe më të pozicionuarat për të ofruar lehtësi të kësaj natyre, zgjedhin të mbajnë marzhe zhvatëse. Sërish, përfitimi i bankave varet nga ai fenomeni jo shumë i njohur i asimetrisë së informacionit, studiuar nga Joseph Stiglitz, që thotë se shumë klientë nuk kanë dijeni se në treg nga oferta më të mira. Ndërsa nga ana tjetër, ka raste kur qytetarët pranojnë këto kurse zhvatëse për shkak se kryejnë shkëmbime në vlerë të vogël, për të cilat nuk ia vlen të shkojnë në bankë, të bëjnë tërheqje, të shkojnë në agjenci këmbimi valutor dhe të kthehen në bankë.

Ka aktualisht banka që nuk kanë rradhë. Por qytetarët e kanë shumë të vështirë që të zhvendosen nga bankat me rradhë te ato pa rradhë për shkak të këtyre kufizimeve në konkurrencë të përshkruara më lartë.

Të gjitha këto probleme vështirë se zgjidhen duke sharë bankat, këto institucione shumë të vlefshme për të studiuar kapitalizmin e xhunglës, dhe as duke sugjeruar, në mënyrë të pavërtetë, se ato “nuk janë asgjëkundi me shërbimet online”. Këto probleme zgjidhen me ndërhyrje rregullatore. BSH mund të detyrojë bankat që të mos diskriminojnë në komisione transfertash brenda dhe jashtë bankave, me qëllim që një qytetar të ketë të drejtë të zgjedhë bankën ku merr rrogën, ndërsa punëdhënësi i tij të mos ketë komisione shtesë për ta transferuar rrogën nga banka e tij te banka e punëmarrësit. Apo mundet që marzhet e kursit të këmbimit të mbikëqyren më nga afër për të parë nëse janë apo jo predatore. BSH duhet gjithashtu që të lexojë mirë e mirë udhëzimet e Bashkimit Evropian për konkurrencën dhe të analizojë me vëmendje të gjitha rastet kur bankat vendosin kushte kufizuese në shërbimet bankare, të tilla si komisione për mbylljen e kredisë apo komisione për mbylljen e llogarisë, sepse këto lloj kufizimesh janë të ndaluara nga rregullat e konkurrencës pasi kufizojnë aftësinë e klientit për të ndryshuar bankë për ato që BE i quan “shërbime të vazhduara”.

Qeveria duhet që të ulë borxhin publik në mënyrë që bankat të kenë më pak fitime duke vegjetuar ndërsa duhet gjithashtu t’u reklamojë shqiptarëve më mirë mundësinë për të investuar në borxh publik drejtpërsëdrejti, me qëllim që tregu i borxhit të ketë më shumë investitorë dhe bankat, më shumë konkurrencë. Dhe Ministria e Financave apo Banka e Shqipërisë duhet të hapë një zyrë për treg sekondar të titujve të borxhit, në mënyrë që bankat të mos kenë oligopol në tregtimin e titujve para maturimit.

Këto dhe zgjidhje të tjera nuk janë të vështira, por kërkojnë diçka që qeveria nuk e ka: administratë publike profesionale dhe jo të mbushur me militantë partie, të cilët kanë interesa të tjera në jetë.

Biznes

Pastrimi i parave, nëpërmjet pasurive të paluajtshme

Published

on

By

Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP) pohon në një prononcim për “Monitor” se, analizat kanë treguar që, pastrimi i parave, nëpërmjet pasurive të paluajtshme, mbetet një instrument metode i përdorur për pastrimin e produkteve të veprës penale, për këtë arsye, sektori konsiderohet me risk.

Si klasifikohet ndërtimi/analizat që ju bëni për sektorët me risk të lartë për pastrimin e parasë?

DPPPP, në zbatim të ligjit nr. 9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit”, i ndryshuar, ka kryer analiza të riskut për pastrim të produkteve të veprave penale, në fushën e pasurive të paluajtshme në Shqipëri, rezultati/konkluzionet/gjetjet e të cilave janë ndarë dhe adresuar tek organet kompetente, në përputhje me fushën e veprimtarisë.

Këto analiza kanë treguar se, pastrimi i parave nëpërmjet pasurive të paluajtshme, mbetet një instrument metode i përdorur për pastrimin e produkteve të veprës penale, për këtë arsye sektori konsiderohet me risk.

Nga një analizë e bilanceve të shumë kompanive që po ndërtojnë vitet e fundit rezulton se, shumë prej tyre, kanë nivele të larta të detyrimeve ndaj furnitorëve dhe parapagimeve të klientëve (te pasivet), kjo skemë mundëson hyrjen e parave informale në ndërtim. Sistemi barter është gjithashtu i përhapur. Si arrini ta kontrolloni aktivitetin e këtyre kompanive dhe hapësirat që krijojnë këto skema për pastrim të parave?

DPPPP nuk është organ që mund të arrijë në konkluzionin e shprehur në dy fjalitë e para të pikës 2. Në dijeninë tonë, nuk ka analiza të besueshme, nga institucione të certifikuara, me metodologji konkrete që mbështesin konkluzionin tuaj, hyrjen e parave informale në ndërtime.

Një nga funksionet më të rëndësishme të DPPPP, si njësi inteligjence financiare është mbledhja, analizimi i rasteve të dyshimta, të ardhura nga subjekte dhe tipologji të ndryshme. Procesi i analizimit nuk kufizohet vetëm në informacionin e ardhur si RAD (Raporte të Aktiviteteve të Dyshimta), por duke kryer kërkime në të dhënat e brendshme dhe rast pas rasti, duke siguruar të dhëna me kërkesa.

Për këtë qëllim, DPPPP ka aksesin e nevojshëm të dhëna. Nëse ka dyshime për pastrim parash, rastet dërgohen tek organet e zbatimit të ligjit.

Lidhur me fjalinë e fundit të pyetjes që lidhet me kontrollet e këtyre kompanive, që ushtron DPPPP në lidhje me përputhshmërinë e subjekteve me legjislacionin PP/FT:

Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP), në zbatim të legjislacionit në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ushtron dhe funksionet e mbikëqyrësit të subjekteve të nenit 3, të ligjit nr.99I7, datë 19.5.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” (PPP/FT), në germën “k”, të të cilit janë përfshirë dhe shoqëritë e ndërtimit.

Bazuar në dispozitat e ligjit PPP/FT (nenet 4, 4/1, 4/2,5, 7,8, 11,12,16) kontrollet e realizuara në këto subjekte të ligjit, përfshijnë masat e ndërmarra nga shoqëritë e ndërtimit për:

1.Zbatimin e detyrimeve të vigjilencës së duhur ndaj klientit në përputhje me nenin 4 të “it për identifikimin e klientit para vendosjes së marrëdhënies së biznesit (apo transaksioneve që kryhen me klientë rastësorë);

2.Identifikimin e klientit (person fizik apo juridik) dhe verifikimin nëpërmjet dokumenteve nëpërmjet dokumenteve, të dhënave apo informacioneve të marra nga burime të besueshme dhe të pavarura në përputhje me germën “a”, të pikës 1, të nenit 4/1 të ligjit. Në rastin e personave juridikë kërkohet të kryhet dhe identifikimi i pronarit përfitues në përputhje me germën “a” të pikës 1, të nenit 4/1 të ligjit;

3.Monitorimin e vazhdueshëm të marrëdhënies së biznesit me klientin, përfshirë analizimin e transaksioneve të kryera gjatë gjithë kohëzgjatjes së kësaj marrëdhënieje, për t’u siguruar se ato janë në përputhje me njohuritë që subjekti ka për klientin, natyrën e biznesit të tij, profilin e riskut, si dhe burimin e fondeve, në përputhje me germën “e” të pikës 1, të nenit 4/1 të ligjit;

4.Rishikimin e dosjeve të klientëve, për të siguruar që dokumentet, të dhënat dhe informacioni, mbledhur gjatë procesit të vigjilencës së duhur janë përditësuar, janë të vlefshme dhe të përshtatshme, veçanërisht për klientët apo marrëdhëniet e biznesit që kategorizohen me risk të lartë, në përputhje me germën të pikës 1, të nenit 4/1 të ligjit;

5.Dokumentacionin e përdorur për identifikimin e klientit (persona fizikë, persona juridikë, përfaqësues ligjorë, organizime ligjore) në përputhje me nenin 5 të ligjit;

6.Niveli i zbatimit të masave të vigjilencës së zgjeruar për klientët dhe transaksionet me risk të lartë, sipas neneve 7 dhe 8 të ligjit PPP/FT;

7.Zbatimi i masave parandaluese në përputhje me nenin 11, të ligjit PPP/FT (rregulloret, udhëzimet e brendshme, politika e pranimit të klientit, dokumenti i politikës së riskut PP/FT dhe administrimit të tyre, caktimin e një personi përgjegjës për PPP/FT, krijimin e sistemit për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, auditimi i brendshëm, trajnimi i punonjësve);

8.Raportimi i të dhënave (Transaksioneve në Para Fizike me vlerë mbi 1 milion lekë dhe raportet e Aktivitetit të Dyshimtë) në DPPPP në përputhje me nenin 12, të ligjit PPP/FT;

9.Ruajtja e të dhënave që subjektet e ligjit mbledhin në kuadrin e ushtrimit të vigjilencës së duhur (dokumentet që rrjedhin nga procesi i vigjilencës së duhur dhe asaj të zgjeruar, të dhënat e transaksioneve, korrespondencën me klientin, si dhe rezultatet e analizave të kryera), në përputhje me nenin 16 të ligjit PPP/FT;

Në tabelën në vijim paraqiten të dhënat për inspektimet e realizuara në shoqëritë e ndërtimit nga DPPPP, për periudhën 2017 – 2021.

Vitet e fundit janë shtuar kompanitë në sektorin e ndërtimit që kanë pasur të ardhura minimale dhe po ndërtojnë pallate të shtrenjta në mes të kryeqytetit. A i kontrolloni për burimet e financimit dhe çfarë ka rezultuar nga kontrollet konkrete?

DPPPP nuk është organ që mund të arrijë në konkluzionin e shprehur në fjalinë e parë të pikës 3. Në dijeninë tonë, nuk ka analiza të besueshme, nga institucione të certifikuara, me metodologji konkrete që mbështesin konkluzionin tuaj.

Edhe në kuadër të kësaj pyetje, informojmë se DPPPP analizon rastet e dyshimta etj., sipas përshkrimit më sipër.

Në përgjithësi, sektori i ndërtimit nuk është i rregulluar dhe ka përdorim të lartë të cash-it. Një firmë ndërtimi pa të ardhura mund të nisë ndërtimet dhe nuk ka kritere për origjinën e kapitalit në momentin që jepet një leje ndërtimi. A vlerëson institucioni juaj se duhen forcuar rregullat për kontrollin e origjinës së kapitalit të formave të ndërtimit dhe duhet vendosur kushti për origjinën e kapitalit dhe burimet e financimit, në momentin që jepet leja e ndërtimit?

Bazuar në të dhënat në dispozicion, DPPPP nuk është organ që mund të arrijë në konkluzionin e shprehur në fjalinë e parë të pikës 5.

Në dijeninë tonë, nuk ka analiza të besueshme, nga institucione të certifikuara, me metodologji konkrete që mbështesin konkluzionin Tuaj. Nisur sa më sipër, nuk mund të kemi konkluzion për pyetjen Tuaj.

Continue Reading

Biznes

E ardhmja e ATM-ve në epokën dixhitale

Published

on

By

Dikur, për të kryer një veprim të thjeshtë bankar, për të tërhequr apo për të depozituar para në numrin e llogarisë, duhet të nxitoje për te punonjësja e sportelit në filialin më të afërt të bankës, të prisje e të nënshkruaje letra pas letrash, deri në kryerjen e veprimeve. Sot, këtë proces, si dhe shumë procese të tjera që lidhen me bankën, e kryejnë makineritë e shpërndara me mijëra në çdo qendër të banuar e tregtare, madje me miliona në të gjithë botën.

MSC ROLAND TASHI, Ekspert i Çështjeve të Sigurisë

Automated Teller Machine, pajisje që në komunikimin e përditshëm ne i njohim si ATM, ose bankomate, kanë tashmë një histori të vjetër.

Makina e parë automatike për kryerjen e pagesave, pa praninë e punonjësve, u prezantua për publikun në Enfield Town, në Londrën Veriore, më 27 qershor 1967, duke u vlerësuar realisht si një shpikje, pasi përmirësoi dhe zhvilloi më tej qasjen e bankës dhe institucioneve financiare pranë klientit, përdoruesit.

Ideatori i ATM-së së parë ishte skocezi John Shepherd-Barron, i cili punonte për kompaninë londineze De La Rue Instruments.

Makinat e para u “shërbenin” klientëve me kartëmonedha të prerjes dhjetë paund dhe punonin me çeqe speciale të disponueshme, ndërsa vite më vonë u vendos përdorimi i kodit numerik individual PIN, ide e inxhinierit anglez James Goodfellow, që lejonte verifikimin e identitetit të klientit.

Në Italinë tonë fqinje, këto pajisje filluan të instalohen në vitin 1976 në Cassa di Risparmio di Ferrara, ndërsa aktualisht janë në përdorim mbi 1 milionë e 700 mijë makina.

Në rast se në hapat e parë, këto pajisje lejonin dhënien e parave klientëve që kanë një llogari rrjedhëse në një sistem financiar kombëtar, shërbimi u shtri edhe në nivel ndërkombëtar, duke rritur cilësinë dhe gamën e shërbimeve, ofrimin e mundësisë për njohjen e gjendjes dhe lëvizjeve të llogarisë rrjedhëse, si dhe operacione të tjera.

Shërbimet që ofron sektori bankar ndryshojnë, shtohen e përmirësohen, të kushtëzuara edhe nga zhvillimi i ekonomisë dhe sistemit financiar, kontrolli ndaj informalitetit, etj.

Ndërsa ATM-të duket se nuk kanë “vrapuar” me të njëjtin ritëm, ato kanë pësuar shumë përditësime që nga dalja në skenë, por për t’iu përshtatur ritmit të epokës dixhitale, për t’u bërë më inteligjente dhe më ndërvepruese kanë nevojë për një “revolucion” të vërtetë.

Një faktor tjetër, i cili nxit nevojën për ndryshim, lidhet edhe me koston ekonomike që ka kjo makinë, sa i kushton bankës, institucionit financiar, mbajtja në gjendje operacionale, siguria, përgatitja dhe furnizimi me vlera monetare, rrjeti informatik, komunikimi, mirëmbajtja dhe sa përfitojnë ato prej saj. A mbeten këto në një balancë të arsyeshme ekonomike?

E ardhmja

Në të ardhmen duket se gjeneratat e ATM-ve të prodhuara do të kenë përmirësime të dukshme të teknologjisë, kjo e lidhur me shumë faktorë ku më kryesori mbetet qëllimi për reduktimin e parave fizike në qarkullim e si rrjedhojë, uljen e informalitetit, reduktimi i pranisë së klientëve në njësitë e biznesit, aplikimi i zhvillimeve dhe arritjeve informatike dixhitale, orientimi drejt pagesave pa kontakt, kryerja e veprimeve me kriptomonedhat, rritja e nivelit të sigurisë ndaj përdoruesve dhe transaksioneve që kryen, etj.

ATM-të inteligjente do t’u krijojnë mundësi konsumatorëve të kryejnë veprime të ngjashme me ato që ofrojnë njësitë e biznesit bankar, siç janë hapja e një llogarie, transferimi i fondeve, pagesa të ndryshme, rimbushja e kartave, blerja e biletave për evente sportive, argëtuese, rezervimi i fluturimeve, hapja e llogarive të reja të investimeve, veprime me kriptovalutat, duke e integruar klientin me teknologjinë dixhitale, e cila ofron zgjidhje më të shpejta dhe më të sigurta krahasuar me paraqitjen fizike në bankë dhe qëndrimin në sportel.

Këto aplikime do të shtojnë ndjeshëm edhe nivelin e sigurisë gjatë transaksioneve, duke ofruar teknologjinë biometrike, si dhe përdorimin e aplikacioneve celulare. Duhet kuptuar se ndërsa bankat dhe institucionet financiare vazhdojnë të transformohen dhe përshtaten me realitetin e ri dhe pritshmëritë e klientëve për të ardhmen, ATM-të, në stadin e tyre aktual, kanë ende një rol të rëndësishëm në realitetin financiar dhe atë të pagesave.

Teknologjia

Aplikimi i teknologjisë informatike “RealSense” e ndihmon klientin të mbrohet nga ekspozimi ndaj rrezikut, mashtrimeve të tipit Phishing. Nëpërmjet telekamerave inteligjente të instaluara, makina e njeh klientin që disponon një kartë/llogari bankare, duke e lejuar të kryejë veprime dhe duke e penguar atë në rastin e kundërt.

Sistemi funksionon si një faktor i dytë vërtetimi për transaksione të mëdha, mbi një limit të paracaktuar, ose si faktori i vetëm për transaksione me vlera më të vogla. Ky lloj vërtetimi biometrik mund të zëvendësojë në të ardhmen nevojën për t’u pajisur me një kartë debiti/krediti, duke eliminuar pasojat që ka disponimi dhe përdorimi fizik i saj.

Sondazhi i kryer para pandemisë Covid-19 gjeti komoditetin si arsyen kryesore, ndërsa periudha e gjatë e pandemisë evidentoi shqetësimet ndaj sigurisë, duke rritur më tej interesin për kryerjen e veprimeve pa karta. Teknologjitë e ATM-ve pa karta ndryshojnë sipas institucionit, në varësi të ndërthurjes, përfshirjes së epokës dixhitale në sistemin financiar të vendeve, si dhe edukimin, pranimin nga komuniteti përdorues.

Disa makina përdorin një skaner për të lexuar kodet unike QR, të tjera kërkojnë një kod verifikimi të dërguar me SMS, ndërsa më të sofistikuarit mund të vërtetojnë përdoruesit përmes veçorive të fytyrës, ose skanimit të pëllëmbës së dorës. Sipas gjigantit MasterCard, 78% e konsumatorëve synojnë të përdornin ATM-të pa kartë.

Në Europë, CaixaBank e Spanjës ka përdorur teknologjinë e njohjes së fytyrës, duke filluar nga viti 2019. Aftësia e vërtetimit biometrik i lejon konsumatorët të tërheqin para pa PIN, duke qenë kështu shumë të pranueshme nga klientët.

Përfshirja në mjedisin dixhital ka stimuluar në mbarë botën zhvillimin e projekteve të avancuara, ku veçohet edhe projekti ATMIA, Next Gen ATM, i nisur në fund të vitit 2018 dhe i materializuar, vetë certifikuar në vitin 2020. Misioni i projektit është të krijojë një model të ri aplikacioni API të ndërveprueshëm globalisht për ATM-të, bazuar në konsensusin e gjerë të prodhuesve dhe përdoruesve, duke përfshirë mbi 400 kompani në 55 vende.

ATM dhe kriptovalutat

Mbetet interesante “sjellja” e ATM lidhur me sektorin e kriptovalutave, parasë dixhitale të decentralizuar bazuar në teknologjinë “blockchain”, e cila është prezantuar në versionet e saj më të përhapura, Bitcoin dhe Ethereum. Futja në treg dhe avancimi i kriptomonedhës, si mjet pagese, nxori në skenë ATM-të e kriptomonedhave si mundësi për të shërbyer në hapësirën e monedhës dixhitale.

ATM-ja e parë bitcoin u instalua në vitin 2013, në një bar në Vankuver nga kompania Robocoin, e cila lejoi klientët të shkëmbenin bitcoin me para në dorë dhe anasjelltas, duke regjistruar vetëm në ditën e lançimit transaksione që arrinin vlerën 10,000 dollarë.

Të dhënat e platformës Crypto Parrot evidentojnë se në muajin janar 2022, numri i përgjithshëm i ATM-ve të kriptomonedhës të instaluara në Europë ishte rreth 1400 dhe referuar tendencës parashikimet tregojnë për instalimin në botë e të paktën rreth 50 makinave në ditë.

Shumica e tyre janë të instaluara në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa në rajonin tonë, instalimi i tyre është në sasi tepër të vogël, ato nuk janë zyrtarisht të pranishme në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri apo Malin e Zi.

Roli në rritje i kriptovalutave si forma të pagesës, ndikon në krijimin e një marrëdhënie të ndërsjellë dhe luan rol përcaktues në rritjen e instalimeve të ATM-ve të përshtatshme për këto veprime. Përdoruesit e kriptovalutave zgjedhin këto makina, pasi ato ofrojnë thjeshtësi dhe komoditet, veçanërisht për individët që nuk duan të përdorin shkëmbime në internet në blerjen e aktiveve dixhitale.

Zhvillimet e mëtejshme teknologjike do t’i transformojnë gjeneratat e ardhshme të ATM-ve në makina vetëshërbimi për të gjitha nevojat në fushën bankare dhe financiare të konsumatorëve.

Megjithatë, si në çdo fushë ku përdoren arritjet e reja të shkencës informatike, duhet kujdes pasi hakerat, mashtruesit inteligjentë, synojnë të gjejnë forma dhe mënyra të reja për grabitjen e informacionit konfidencial dhe parave edhe në këto makineri e sisteme, që duken tepër të sofistikuara.

Continue Reading

Biznes

Durrësi dhe Fieri, me rënien më të madhe të të ardhurave për frymë

Published

on

By

Durrësi dhe Fieri ishin dy qarqet që shënuan rënien më të madhe të të ardhurave për frymë gjatë vitit pandemik 2020 raportoi INSTAT.

Për shkak të një krize të dyfishtë, në fillim tërmeti dhe pastaj pandemia, Qarku i Durrësit përjetoi krizë ekonomike më të thellë se qarqet e tjera gjatë vitit 2020. Për pasojë, të ardhurat për frymë në qarkun bregdetar arritën në 4550 euro më 2020, me një rënie 5.3% në raport me vitin 2019.

Qarku i Fierit ishte i dyti me rënien më të madhe të të ardhurave për frymë me -4.6% në vitin 2020, kryesisht prej pandemisë dhe rënies së aktivitetit industrial (nafta) në këtë qark. Më tej, Lezha dhe Dibra ishin qarqet që përjetuan rënie, përkatësisht me 4 dhe 3.8%.

Në të kundërt Elbasani, Kukësi dhe Berati shënuan rritje të të ardhurave për frymë, përkatësisht 1,4% dhe 0.6%. Ekonomia e Qarkut të Kukësit është në rënie sistematike gjatë viteve të fundit, por me 2020 rënia ishte me ulët se në vitin 2019. Duke qenë se qarku po shpopullohet me shpejtësi prej emigracionit të jashtëm dhe të brendshëm të ardhurat për frymë kanë pësuar rritje të lehtë.

Në Rajonin e Veriut ku përfshihen Qarku i Shkodrës, Kukësit, Dibrës, Lezhës dhe Durrësit, PBB për frymë u vlerësua 465 mijë Lekë, duke shënuar rënie në terma nominalë me -3,37 %, krahasuar me vitin 2019. PBB për frymë e këtij Rajoni rezultoi -19,76 % nën mesataren e vendit.

Në rajonin e qendrës ku përfshihen qarqet e Tiranës dhe Elbasanit, PBB për frymë u vlerësua 695 mijë Lekë, duke shënuar një rënie në terma nominale me -2,30 %, krahasuar me vitin 2019.

Në rajonin e Jugut, PBB për frymë u vlerësua 527 mijë Lekë, duke shënuar rënie në terma nominale me -1,72 %, krahasuar me vitin 2019.

Gjatë vitit pandemik Shqipëria kishte të ardhurat vetëm 30% të mesatares së Bashkimit Europian dhe 39% të konsumit individual për frymë, duke treguar se familjet shqiptare kanë mirëqenien më të ulët në Europë.

Që prej 2016-s, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë ka mbetur në nivelin e 30% të mesatares europiane, duke mos bërë përpara në të ashtuquajturin proces të konvergjencës, që nënkupton që vendi ynë duhet të rritej më shpejt se mesatarja europiane, në mënyrë që të kapë sa më shpejt mesatares e BE-së.

Përkundrazi, në 2020-n është thelluar edhe diferenca me shtetet e tjera të rajonit. Pas Shqipërisë renditet Bosnjë-Hercegovina, me 33% të mesatares europiane. Në vitin 2016, diferenca mes këtyre dy shteteve më të varfra të Europës ishte 1 pikë përqindje, ndërsa në 2020-n është thelluar në tre pikë përqindje.

Maqedonia e Veriut e ka treguesin në 38% të mesatares europiane (nga 37% në 2016-n), Serbia 43% (nga 39% në 2016-n) dhe më i larti është në Mal të Zi, me 45% të mesatares europiane, ndonëse me rënie të ndjeshme nga viti i mëparshëm, kur rezultoi 50%.

Continue Reading

Biznes

Drafti i Financave: Ja si do të tatohen të vetëpunësuarit

Published

on

By

Ministria e Financave po përgatit një ligj të ri për tatimin mbi të ardhurat, ku një pjesë e rëndësishme e tij lidhet me tatimin e të vetëpunësuarve në sektorin e shërbimit.

Në draftin, që është ende në formë paraprake, parashikohet që “Të ardhurat e realizuara nga profesionet e lira dhe të pavarura konsiderohen të ardhura nga punësimi”.

Më herët, Drejtori i përgjithshëm i politikave fiskale, Niko Lera ka pohuar për “Monitor” se të vetëpunësuarit që ofrojnë shërbime, (që nuk shesin mallra, por ofrojnë shërbime) pasi t’u zbriten të gjitha shpenzimet dhe pasi t’u njihen të gjitha lehtësitë fiskale në fuqi do të trajtohen me normë tatimi si të punësuarit.

Drafti parashikon që ”Nëse xhiro e tatimpaguesit nuk i kalon [10,000,000] Milionë Lekë në vit, ai ka të drejtë që nga të ardhurat e biznesit, të zbresë shpenzimet e supozuara në një shumë të vetme si më poshtë,  duke mos pretenduar dokumentimin e çdo shpenzimi”.  Për veprimtaritë e pavarura, ky shpenzim është 35 % e të ardhurave.

Lera ka shpjeguar më herë se ndryshimet synojnë adresimin e deformimeve që kanë lindur nga shmangia e detyrimeve tatimore, ku të punësuar që trajtohen me taksë progresive nga 13 deri në 23% kanë dalë nga listëpagesat, duke u regjistruar si të vetëpunësuar.

“Sistemi i ri parashikon që të vetëpunësuarit që ofrojnë shërbime, profesionet e lira, do të trajtohen njëlloj si të punësuarit me pagë. Nga të ardhurat e tyre do të zbritet çdo shpenzim që ata realizojnë, do të dalë fitimi neto, nga fitimi neto do t’i zbriten edhe përfitimet që ka individi i punësuar, si taksim zero për pagat deri në 40,000 lekë. Fitimi neto pas çdo zbritje që do t’i bëhet do të taksohet, siç taksohet çdo i punësuar. Pra norma e tatimit për këtë kategori do të jetë 0% për të ardhurat deri në 40,000 lekë, 13% nëse të ardhurat mujore janë deri në 150,000 lekë dhe 23% për shtesën e tyre”, ka pohuar z. Lera.

Edhe nëse një individ është i vetëpunësuar, por i ka të ardhurat e tij nga pak klientë, ato do të konsiderohen sit ë ardhura nga punësimi.

Në draftin e ri parashikohet që të ardhurat nga punësimi përfshijnë dhe të ardhurat e fituara nga një person i vetëpunësuar nëse:

i) 50 për qind ose më shumë e të ardhurave të fituara, merren direkt ose indirekt nga një klient i vetëm; ose

ii) më shumë se 90 për qind e të ardhurave totale të fituara merren nga më pak se 3 klientë; ose

iii) tatimpaguesi është i detyruar të ndjekë udhëzimet e klientit për të përfituar të ardhurat.

Pagat mbi 2 milionë lekë në muaj të tatohen 28%

Në draft propozohet që për të ardhurat vjetore mbi 24 milionë lekë në vit (gati 200 mijë euro në vit, ose rreth 16 mijë euro në muaj), tatimi mbi të ardhurat personale të jetë 28%, nga 23% që është sot. Për të ardhurat vjetore deri në 2.4 milionë lekë në vit (gati 20 mijë euro në vit, ose rreth 1,600 euro në muaj), tatimi mbetet 13%. Për të ardhurat vjetore mbi 2,400,000 dhe nën 24,000,000 është 23%.

Ligji

Ligji për tatimin mbi të ardhurat është miratuar që në vitin 1998 dhe ka pësuar ndryshime të shumta. Financat hartuan një draft për një ligj të ri në vitin 2015, por që nuk arriti të marrë formën finale. Tashmë është hartuar drafti i ri, që është ende në fazë paraprake dhe nuk ka dalë ende për konsultim me grupet e interesit. Ligji parashikohet që ti shtrijë efektet nga data 1 janar 2023. https://www.monitor.al/ibrahimaj-nga-1-qershori-ligj-per-tatimin-e-profesioneve-te-lira-dyfishohen-penalitetet-per-mosdeklarimin-e-pagave/

Pjesë nga drafti

Të Ardhurat nga Punësimi

  • Të ardhurat nga Punësimi përfshijnë:
    1. Pagat, rrogat, shpërblimet dhe përfitimet që rrjedhin nga marrëdhënie punësimi ose të ngjashme me to, pavarësisht nëse këto marrëdhënie janë aktuale, të ardhshme ose të kaluara, dhe ku tatimpaguesi është i detyruar të ndjekë udhëzimet e paguesit të të ardhurave në mënyrë që të marrë pagesën/shpërblimin;
    2. Shpërblimet e drejtorëve, shpërblimet si antar i bordit të drejtorëve ose i organit ligjor të një shoqërie, si dhe shpërblimet për menaxhimin dhe pjesëmarrjen në këshillat drejtues.
    3. Shpërblimet dhe përfitimet e paguara nga shoqëria për partnerin e saj për punën e kryer për këtë shoqëri;
    4. Shpërblimet dhe përfitimet e marra nga anëtarët e parlamentit, zyrtarët dhe nëpunësit civilë për shërbimet e tyre, si dhe për çdo veprimtari të kryer në lidhje me funksionin e tyre;
    5. Pagesat/Shpërblimet për performancën e aktorëve, muzikantëve ose sportistëve.
    6. Të ardhurat e fituara nga një person i vetëpunësuar nëse:
  1. 50 për qind ose më shumë e të ardhurave të fituara, merren direkt ose indirekt nga një klient i vetëm; ose
  2. më shumë se 90 për qind e të ardhurave totale të fituara merren nga më pak se 3 klientë; ose
  • tatimpaguesi është i detyruar të ndjekë udhëzimet e klientit për të përfituar të ardhura.

 

Shpenzimet e Biznesit në një Shumë të Vetme

  • Nëse xhiro e tatimpaguesit nuk i kalon [10,000,000] Milionë Lekë në vit, ai ka të drejtë që nga të ardhurat e biznesit, të zbresë shpenzimet e supozuara në një shumë të vetme si më poshtë, duke mos pretenduar dokumentimin e çdo shpenzimi.
  1. 60 % të të ardhurave për veprimtaritë prodhuese;
  2. 80 % të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me shumicë
  3. 70 % të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me pakicë të mallrave dhe transportit individual
  4. 60 % të të ardhurave për veprimtaritë bare, restorante;
  5. 50 % të të ardhurave për veprimtaritë e shërbimeve dhe artizanatit;
  6. 35 % të të ardhurave për veprimtaritë e pavarura.

 

Norma tatimore

  • Norma tatimore e të ardhurave personale e zbatueshme për bazën tatimore vjetore të të ardhurave nga punësimi dhe të ardhurave nga biznesi  është si vijon:

 

Baza tatimore vjetore Norma tatimore
0 – 2.400,000 13%
Mbi 2,400,000 dhe nën 24,000,000 23%
Mbi 24,000,000 28%

2) Norma tatimore e të ardhurave personale e zbatueshme për bazën tatimore vjetore e të ardhurat vjetore nga investimi është 15%, me përjashtim të të ardhurave vjetore nga dividentet dhe ndarjet e fitimit  që është 8%.

3)Norma tatimore e të ardhurave personale për të ardhurat vjetore nga burime të tjera është 15%.

Continue Reading

Biznes

Ekspertët kundër publikimit të pagave: Do nxisë konflikt social

Published

on

By

Publikimi i listës së pagave 1 herë në vit, e cila pritet të formësohet me hartimin e një nisme ligjore, ka nxitur shumë debate në grupet e interesit.

“Ne lidhje me idenë qe te behën publike pagat një herë në vit, nëse vërtet mendohet që të deklarohen të gjitha pagat e punonjësve në vend, gjykoj se është një ide absurde, më e pakta dhe e kundërligjshme nga ana tjetër. Nuk e di përse do të zbatohej kjo ide dhe kujt i shërben. Pagat janë një marrëdhënie personale midis shoqërisë dhe punonjësit dhe përbën një informacion konfidencial. Ato vendosen bazuar në një sërë kriteresh që vendosen në kontratën e punës midis shoqërisë dhe punonjësit, dhe që ndryshojnë nga një punonjës në tjetrin. Nëse punonjësit do të dinë pagat e njëri-tjetrit kjo krijon një rrezik të madh social, konflikte dhe pakënaqësi. Kjo ide bie në kundërshtim të plotë me eksperiencën e njerëzve që punojnë dhe bëjnë biznes dhe drejtojnë jo vetëm shoqëritë, por edhe institucionet. Duket sikur kjo ide vjen nga persona që nuk kanë drejtuar ndonjëherë dhe nuk dinë çfarë janë dhe si ndërtohen marrëdhëniet e punës në biznese”, pohon kontabilisti Sotiraq Dhamo.

Ndërsa sipas kontabilistit Sotiraq Dhamo mund të ishte e drejtë ideja, që të publikohen, por pa emra, vetëm pagat që janë në nivelin minimal, për të gjitha shoqëritë për të evidentuar kështu ato shoqëri që mund të vlerësohen se nuk deklarojnë realisht pagat. “Por edhe kjo nuk ka shumë sens, sepse ky informacion duhet t’u vlejë vetëm tatimeve, që të bëjnë kontrollet përkatëse për të luftuar informalitetin në pagat dhe nivelin e tyre”, thotë ai.

Sakaq lista e pagave zyrtare për punonjësit në të gjithë vendin u dekonspirua në muajin dhjetor duke qarkulluar online te shumë media dhe individë. Lista ishte me 630 mijë emra punonjësish në të gjithë vendin, të punësuar dhe vetëpunësuar, ndërsa pagat u publikuan për rreth 550 mijë persona, të punësuar në biznese dhe në shtet.

“Nuk di nëse është shkelje e së drejtës për informim, pasi e tillë është konsideruar. Për këtë fakt, janë dënuar disa punonjës së administratës shtetërore, tashmë po na rezulton, si pozitive dhe promocion për t’u aplikuar. Mendoj se nuk duhet aplikuar”, veçon audituesi ligjor Bujar Bendo.

Continue Reading
Advertisement
Advertisement

TRENDING