Kosova

Haradinaj do dështojë/ Gogiç tregon se çfarë e rehaton Albin Kurtin

Politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiç, vlerëson se ka pak mundësi që partitë opozitare në Kosovë të formojnë një bllok të vetëm që do të kundërshtonte Lëvizjen Vetëvendosje, por gjithashtu paralajmëroi se fushata zgjedhore mund të ketë pasoja negative për komunitetin serb.

Duke komentuar njoftimet gjithnjë e më të shpeshta të partive në Prishtinë për formimin e një blloku opozitar që do të kundërshtonte Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhje, Gogiç tha se kjo nuk ka gjasa të ndodhë.

“Formimi i një fronti opozitar nuk ka gjasa sepse dallimet mes partive të caktuara në Kosovë janë ende shumë të mëdha, janë shumë të largëta. E kam fjalën në radhë të parë për Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën Demokratike të Kosovës. Ajo që i bashkon është se janë në opozitë me Kurtin dhe se duan të vijnë vetë në pushtet, por bashkëpunimi mes tyre do të ishte shumë i vështirë” – deklaroi Gogiç.

Duke komentuar njoftimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës se ka formuar “Bllokun e Bashkuar të Opozitës”, Gogiç beson se Ramush Haradinaj e ka bërë para së gjithash për të promovuar qëndrimin e tij në skenën opozitare. Sipas tij, ai është një nga politikanët më pragmatikë në Kosovë dhe se është e mundur të imagjinohet në të gjitha kombinimet paszgjedhore.

“Haradinajn mund ta imagjinoj në çdo variant, në bashkëpunim me cilëndo nga partitë, si opozitën, ashtu edhe me pushtetin. Është ai që e promovon më së shumti këtë ide” – tregoi politologu i njohur.

Gogiç tha se faktori ekonomik dhe dialogu me Beogradin do kenë ndikim vendimtar në caktimin e dates së zgjedhjeve.

“Nëse presioni do rritet ndaj Prishtinës për të bërë lëshime në dialog, dhe kjo i referohet në radhë të parë formimit të Unionit të Komunave Serbe, është pothuajse e sigurt se Albin Kurti do të zgjidhte të shmangte diskutimin për temën e zgjedhjeve parlamentare.” – theksoi Gogiç

Shumë polemika ka shkaktuar pretendimi i përfaqësuesve të Vetëvendosjes se do të marrin më shumë se 50 për qind të votave në zgjedhjet e ardhshme. Lidhur me këtë, politologu serb u shpreh:

“Ka shumë gjasa që Vetëvendosje të ketë vota të mjaftueshme për të formuar sërish në mënyrë të pavarur qeverinë e re. Kjo nuk do të thotë se ata do të kenë domosdoshmërisht mbi 50 për qind. Por nëse ata kanë një rezultat afër këtij pragu, mund të jetë i mjaftueshëm mandati për të formuar një qeveri vetë, duke marrë edhe mandatet e garantuara të pakicave”

Megjithatë, Gogić theksoi se është e padiskutueshme që Albin Kurti do të ishte rehat të kishte një krizë të re në veri gjatë fushatës për të homogjenizuar votuesit e tij.

 

TRENDING

Exit mobile version