Politike

Hasani kërkon njohjen e Kosovës në samitin e OSBE-së

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet që t’i zgjidhin të gjitha dallimet përmes dialogut, dhe ka bërë thirrje që Kosova të anëtarësohet në Organizatën për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë.

Këto komente, Hasani i ka bërë në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të OSBE-së.

“Kosova dhe Serbia duhet t’i zgjidhin të gjitha dallimet nëpërmjet dialogut, sepse nuk ka një alternativë përveç dialogut, por duhet të pranojmë që në mënyrë që ta bëjmë Evropën dhe Ballkanin Perëndimor më të sigurt, duhet ta pranojmë Kosovën si shtet i pavarur dhe t’ia sigurojmë një karrige në këtë tavolinë dhe në të gjitha forumet ndërkombëtare” – ka theksuar kryediplomati shqiptar.

“E dimë se një OSBE e fuqishme, është e nevojshme në ditët e sotme, pasi edhe përkundër progresit të dekadës së fundit, kërcënimet e vjetra janë duke dalë në sipërfaqe përsëri dhe pas këtyre tentativave për të shkaktuar probleme në Ballkanin Perëndimor, mund ta shohim qartë dorën e njëjtë që po dëshiron ta dobësojë OSBE-në” – potencoi Ministri i Jashtë Hasani.

TRENDING

Exit mobile version