Fjala e drejtuesit të grupit të punës për hartimin e programit te LSI-së Edmond Haxhinasto në prezantimin e programit
Sot fillojmë prezantimin e prioriteteve të programit tonë për zgjedhjet e 25 prillit që do të jetë në themel edhe të programit qeverisës.
Dëshiroj të falenderoj të gjithë ekipin e angazhuar, që është sot rreth kësaj tryeze, por edhe shumë të tjerë, profesionistë me reputacion në fushat e tyre, që nuk janë sot këtu.
Falenderoj edhe ata qindra e mijëra qytetarë, fermerë e blegtorë, ekonomistë, inxhinierë, mjekë, mësues, etj, që me besimin te LSI, kanë sjelle shqetësimet e tyre dhe kane kërkuar ndryshimin e situatës së rëndë për ta e familjet e tyre.
Programi që paraqesim bazohet në vlerat tradicionale të LSI, si parti e qendrës së majte, ku spikasin politikat e barazisë sociale, cilësia në shërbimet publike të arsimit dhe të shëndetësisë, dhe veçanërisht, PUNËSIMI.
Por programi ynë është jo vetëm njerëzor e social, por synon edhe efikasitetin e ekonomisë, qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike, prandaj kemi gjetur emetues të përbashkët për nevojën e politikave fiskale qe formalizojnë ekonominë dhe rrisin investimet, me qëllim punësimin e mirëpaguar.
Në planin dhe propozimet tona nuk ka dhe nuk do të ketë zgjidhje momentale, populiste e klienteliste, siç kanë qenë shpesh zgjidhjet e mazhorancës aktuale, por do te jene zgjidhje që synojnë qëndrueshmërinë, jo efektet fragmetare në ndonjë sektor, por efekte integrale për gjithë ekonominë dhe zhvillimin. Kështu janë veçanërisht propozimet tona për tërheqjen e investimeve.
Shumë nga propozimet tona janë vizionare, që i shërbejnë ndreqjes së gabimeve dhe problemeve madhore të momentit, por krijojnë edhe perspektiven që këto gabime të mos përsëriten më. Përcaktimi i arsimit si investim kryesor i shoqërisë dhe si themel i zhvillimit të ardhshëm, rritja e buxheteve për të, lidhja e tij ngushtësisht me tregun e punës- janë pikërisht reflektim i këtij vizioni largpamës.
Programi synon gjithashtu te eleminojë një herë e përgjithmonë qeverisjen e “shifrave te trukuara”, e buxheteve dhe projekteve virtuale e realiteteve fasade, dhe të bëjë matësin e vetëm të efikasitetit të qeverisjes koston e jetesës dhe mirëqenien e qytetarëve. Rritje të borxhit publik, të të ardhurave në buxhet, për tu keqpërdorur në PPP dhe shpenzime luksi, duke mos i sjellë asnjë përfitim qytetarëve, nuk do të ketë më.
Me politikat tona ne do të synojmë rimarrjen e përgjegjësive nga qeveria për detyrimet e saj kushtetuese për shërbime publike si arsimi e shëndetësia, dhe jo lënien e tyre krejtësisht në dorë të privatit, siç e tregojnë edhe shifrat konkrete në këto dy sektorë, që konfirmojnë se shpenzimet e qytetarit të thjeshtë për shërbim shëndetësor dhe arsimim janë dyfishuar në këto 5 vitet e fundit, ndërkohë që kosto e jetesës në përgjithësi është rritur, dhe shpenzimet e buxhetit familjar për ushqyerje zënë rreth 80 % të të ardhurave, niveli më i lartë në rajon.
Programi ynë parashikon uljen e kostos se jetesës që qytetarëve, duke filluar me politikat tona për uljen e taksave, e me pas për shume aspekte te tjera të jetesës së perditshme, duke shkuar me tej me zhvillimin e industrisë ushqimore, rritje e prodhimit vendas te saj, produktet Made in Albania, që shqiptaret të jenë të sigurtë në cilësinë e ushqimit, të hanë më lirë e më mirë.
Synim madhor i ketij programi është kthimi i besimit tek qeverisja, tek vendi duke bere kështu ndaljen e shpopullimit, veçanërisht nga profesionistet dhe rinia.
Ne jemi të bindur që politikat që propozojmë për punësimin, për familjen dhe rininë, janë përfitime të drejtpërdrejta te qytetareve dhe me efekte te menjëhershme, jo premtime ne kohen e ardhshme.
Propozimet tona zgjedhore dhe me pas qeverisëse, do të kthejnë në rrugë të mbarë atë që nuk u arrit të bëhej ose u bë keq në 8 vite: kujtoni premtimet për punësimin , për ndryshimin e modelit ekonomik, në prodhues, rritje eksportet, bujqësinë si prioritare, investimet në IT, infrastrukturën, Administratën publike, pronësinë, etj etj.
Shumë nga këto çështje janë akoma kushte për të ecur drejt Evropës. Ne do t’i realizojmë si detyrime pre integrimin, por para se gjithash, sepse garantojnë një mirëqenie për qytetarët shqiptarë.
Dhe së fundmi, ne hartimin e këtij programi, kemi patur parasysh një parim themelor: që gjithçka që propozohet të jetë e realizueshme. Prandaj mund të them me bindje se ky program është realist, i realizueshëm dhe për qytetarët.