Kronike

Histori / 1961-1965. Muri i Berlinit, poshtërimi i R. Alisë dhe ikja e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës

· Hrushovin e indinjoi pozicioni i Enverit, duke mos shkuar në Moskë: Meqenëse sot dërgoi zëvendësit e tij [Ramizin], nesër ai, ndoshta, do të dërgojë shoferin e vetë, kurse pasnesër pa e zgjatur fare do të varë pantallonat e veta në shpinën e karriges
Edhe pse Enver Hoxha mallkonte natë e ditë imperializmin amerikan, Uashingtoni nuk shqetësohej fare, pasi i interesonte një dalje e Shqipërisë komuniste nga Traktati i Varshavës. Departamenti i vlerësimit në Radion “Evropa e Lirë”, që financohej nga CIA me fonde të miratuara nga Kongresit, ka hartuar një analizë të shkëlqyer më 8 gusht 1961, ku me deduksione nga dy komunikata shtypi të TASS-it dhe ATSH-së, arrinte në përfundimin se lideri shqiptar ka shmangur pjesëmarrjen në një mbledhje të sekretarëve të parë të partive në pushtet të vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës më 3-5 gusht 1961, duke dërguar një sekretar të KQ të PPSH, fare pak i njohur atëherë, Ramiz Alia dhe ministrin e jashtëm Behar Shtylla. Ndërkohë, po radioja “Evropa e Lirë” njoftonte më 6 shtator 1961 se Shqipëria ishte i vetmi vend komunist që nuk kishte uruar udhëheqësin e Gjermanisë Lindore Valter Ulbriht për ndërtimin e Murit të Berlinit. Po botoj disa dokumente pak të njohura, amerikane dhe shqiptare, që lidhen me gusht-shtatorin 1961, teksa përgatitej shkëputja e vendit të vogël ballkanik nga blloku sovjetik.
Enver Hoxha kishte mësuar ditë më parë nga agjentët e tij në Moskë se Hrushovi nuk e donte mbledhjen e 3-5 gushtit 1961 për ngritjen e murit të Berlinit, fakt që u mësua vetëm në vitet 2000 pas deklasifikimit të dokumenteve sekrete të arkivave të epokës sovjetike.
Më 3-5 gusht 1961 në Moskë u zhvillua një takim i jashtëzakonshëm të liderëve të Traktatit të Varshavës. Pjesëmarrës ishin Nikita Hrushov [1894-1971], Frol Kozllov [1908-1965], Anastas Mikojan [1895-1978], Andrej Gromiko [1909-1989] nga ish-Bashkimi Sovjetik; Valter Ulbriht [Walter Ulbricht, 1893-1973] nga ish-Republika Demokratike e Gjermanisë / Gjermania Lindor komuniste; Todor Zhivkov [1911-1998] nga Bullgaria; Janosh Kadar [János Kádár, 1912-1989] nga Hungaria; Vladislav Gomulka [Władysław Gomułka, 1905–1982] nga Polonia; Antonin Novotni [Antonín Novotný, 1904–1975] nga ish-Çekosllovakia; George Georgiu-Dezh [Gheorghe Gheorghiu-Dej, 1901-1965] nga Rumania. Nga Shqipëria shkoi Ramiz Alia [1925-2011], por që u dëbua nga Hrushovi.
FRIKA
Çështja kryesore në rendin e ditës ishte fati i Republikës Demokratike Gjermane (RDGJ). Në vitin 1958, udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushov kishte provokuar një krizë ndërkombëtare, duke u dhënë fuqive perëndimore ultimatum: bisedime për zgjidhje përfundimtare të çështjes gjermane me Bashkimin Sovjetik, ndryshe Moska do të nënshkruante një traktat të veçantë paqeje me Republikën Demokratike Gjermane.
Komunistët gjermanolindorë, me në krye Valter Ulbrihtin, shfrytëzuan me mjeshtëri frikën e Moskës për ndonjë kolaps të Gjermanisë Lindore, duke i shtyrë sovjetikët drejt një konfrontimi me Perëndimin. Për ta zgjidhja përfundimtare ishte “çlirimi” i Berlinit Perëndimor, duke larguar kështu ndikimin e tij subversiv si magnet i fuqishëm për gjermanolindorët evropianolindorët në përgjithësi. Dokumente sovjetike, të deklasifikuara kohët e fundit, zbulojnë se sa serioz dhe efektiv ishte presioni i udhëheqjes së RDGJ-së mbi Hrushovin. Me sa duket se ideja e një traktati gjerman të paqes, e shpallur nga Hrushovi në nëntor 1958, u konceptua nga Partia Socialiste e Bashkuar e RDGJ-së (SED).
MURI I PROPOZUAR NGA “CJAPI”
Udhëheqësi sovjetik e kuptonte mirë se zgjidhja e Ulbrihtit do të përbënte një rrezik lufte dhe shpresonte se llogaritjet të ngjashme në Uashington dhe Bon do të prodhonin një kompromis – të tillë si njohja e dy shteteve gjermane me vendndodhje të posaçme në Berlin. Por këmbëngulja e Kancelarit të ish-Republikës Federale Gjermane / Gjermania Perëndimore Konrad Adenauer [1876-1967], shoqëruar me kthesën katastrofike në marrëdhëniet amerikano-sovjetike, pas majit të vitit 1960 me kapjen e avionit amerikan U-2 nga BS, i linte Hrushovit me pak vend për manovra. Ai u përpoq të fitonte kohë duke i shtyrë veprimet e mëtejshme në Berlin deri pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA në muajin nëntor, por pa kurrfarë shprese se Xhon F. Kenedi [John F. Kennedy, 1917-1963] do ta ndihmonte të dilte nga gjendja e vështirë. Takimi i gushtit në Moskë përkoi me momentin kur Hrushovi ra dakord pa qejf për ngritjen e murit të Berlinit, të propozuar nga vetë “Cjapi” (kështu e quante Enver Hoxha liderin gjermanolindor Valter Ulbriht). Në të njëjtën kohë Hrushovi paralajmëroi Ulbrihtin “asnjë milimetër më tej”.
DËBIMI I ALISË
Por kjo mbledhje shënoi dhe një incident mes kryetarit të delegacionit shqiptar Ramiz Alia dhe liderit sovjetik Nikita Hrushov dhe atij gjerman Valter Ulbriht. Hrushovi argumentonte se duhej të vinte Enver Hoxha ose Mehmet Shehu, kurse Ramiz Alia tha se ishte i autorizuar. Hrushovi nuk pranoi dhe e dëboi Alinë me kërkesën e Ulbrihtit. Kjo ngjarje shkaktoi largimin përfundimtar të Shqipërisë nga blloku komunist.
Përkthyesi sinkron legjendar sovjetik Mihail Jakovleviç Zvilling [1925-2013] tregon:
“Në fillim të viteve gjashtëdhjetë Bashkimi Sovjetik i përkeqësoi papritur marrëdhëniet me Shqipërinë.
Dhe lidhur me këtë në një nga mbledhjet e Komitetit Politik të Organizatës së Traktatit të Varshavës, u ftua sekretari i parë i partisë së punës së Shqipërisë Enver Hoxha.
Por ai, me sa duket, i druhej kritikës dhe në vend të vinte vetë, dërgoi një delegacion të kryesuar nga zëvendësi i tij [Ramiz Alia – Th. M.].
Dhe ja, Nikita Sergejeviç Hrushov-i hap mbledhjen me pyetjen për statusin e delegacionit shqiptar.
Plas sherri. Nikita Sergejeviçi propozoi që delegacioni të konsiderohej i paautorizuar për të vendosur për çfarëdolloj çështjesh, meqenëse kjo ishte mbledhje e sekretarëve të parë dhe jo takim miqësor.
Nga ana e vet përfaqësuesit e Shqipërisë deklaruan se ata ishin autorizuar zyrtarisht nga udhëheqja e tyre për të marrë vendime për të gjitha problemet, që u ngritën në këtë mbledhje. Gjë për të cilën Hrushovi u përgjigj prerë se atë e indinjon pozicioni i Enver Hoxhës, meqenëse sot ai dërgoi zëvendësit e tij, nesër ai, ndoshta, do të dërgojë shoferin e vetë, kurse pasnesër pa e zgjatur fare do të varë pantallonat e veta në shpinën e karriges.
Pas këtyre fjalëve Nikita Sergejeviçi i propozoi delegacionit shqiptar të largohej nga salla e mbledhjeve.
Por delegacioni e injoroi këtë kërkesë. Hrushovi njoftoi se do të bëhej pushim, të gjithë i ngritën dhe ikën – mbeti vetëm delegacioni shqiptar.
U fikën dritat, erdhën pastrueset – përfaqësuesit shqiptarë qëndronin në vendet e veta. Kështu iu desh të pastronin në sallë në praninë e tyre, duke fshirë pluhurin në qilim. Gjithë kjo pamje linte përshtypjen e një tabloje vaji. Por, natyrisht, më në fund, ata u larguan nga ndërtesa”.
KU ËSHTË ENVERI? PO MEHMETI?
Për këtë ngjarje ka folur dhe Ramiz Alia: “Efektivisht është e vërtetë dhe Enver Hoxha nuk shkoi në këtë mbledhje, atje nuk shkoi as Mehmet Shehu. U autorizova unë në emër të partisë që të kryesoja delegacionin në këtë mbledhje dhe unë bashkë me ministrin e Jashtëm, Behar Shtylla, dhe një grup këshilltarësh kam shkuar në Moskë. Kjo ka qenë në vitin 1962 [këtu ka një pasaktësi nga dëshmitari, pasi bëhet fjalë për datën 3 gusht 1961, në vitin 1962 ishin të prishura marrëdhëniet diplomatike – Th. M.], kam shkuar në Moskë, atje na pritën nga ana e sovjetikëve. Nuk më kujtohet ekzaktësisht dhe na çuan drejt në hotel. Të nesërmen, në orën 10, bëhej mbledhja në Kremlin… Aty ishin të gjithë sekretarët e parë të partive të Lindjes, ndërsa nga sovjetikët ishte vetë Hrushovi…
Kur unë dhe delegacioni hymë në sallën “Georgevskij”, na pritën dhe na treguan vendin ku duhet të uleshim. Mbledhja ishte një kuadrat dhe tavolina jonë ishte e para, sipas alfabetit. Në krye ishte Hrushovi…
Hrushovi menjëherë m’u drejtua mua: “Shoku Alia, ku është Enveri?”.
I thashë: “Enver Hoxha nuk erdhi ne mbledhje se ishte pa qejf …dhe për këtë arsye Komiteti Qendror i Partisë vendosi që të jem unë përfaqësuesi i qeverisë shqiptare”.
Ai pyeti pse s’erdhi Mehmet Shehu dhe i thashë që edhe ai nuk ishte mirë, prandaj udhëheqja vendosi kështu dhe nisi një debat mes meje dhe tij me fjalë”.
Hrushovi thotë: “Ne e dimë që ti nuk je sekretari i parë”.
“Po – thashë – unë s’jam, por jam përfaqësues i PPSH-së dhe kam tagër të përfaqësoj Partinë e Punës dhe të firmos çdo lloj vendimi për të cilin partia jonë do të jetë përgjegjëse”.
“Por, kjo s’mjafton – tha, – duhet sekretari i parë”.
“Por ja, – i thashë unë – është sëmurë. Si të bëj. Po nuk është kështu, atëherë ju lutem shumë”…
Përfundimisht, Hrushovi më drejtohet mua dhe më thotë: “Shoku Alia, i dëgjove shokët? Ata thonë të ikësh”.
“Ata thonë por unë s’iki – i thashë – sepse unë kam ardhur të përfaqësoj partinë time”.
Atëherë ata ndenjën dhe shikonin njëri-tjetrin …
Hrushovi tha: “Shokë, bëjmë 10 minuta pushim”.
U ngritën të tërë ata dhe shkuan në fund, ishte një bufe dhe shkuan atje të tërë.
Ndërsa unë u thashë shokëve: “Rrini këtu, mos luani”.
I shikonim ata, po pinin kafe… ne qëndronim ulur… Ata prisnin të largoheshin ne. Bënë shumë marifete, filluan të shuajnë dritat e sallës, e ulën tonin. Filluan edhe pastrueset të shkojnë në tavolina për të na krijuar ne një ambient që të largoheshim. Erdhën edhe nga ata punonjës të aparatit të Komitetit Qendror te Partisë dhe më kërkuan që të largohesha.
U fola dhe u thashë se puna juaj është kur të dal jo këtu. Unë s’dal prej këtu do të rrinim dhe ndenjëm aty.
Kjo zgjati gjysmë ore. Ata s’po hynin. Pas gjysmë ore erdhën brenda të tërë, por në vend që të uleshin në tavolina dhe secili mori çantën dhe dolën nga porta dhe ikën fare e shtynë mbledhjen për të nesërmen.
“Nesër në orën 9!” – i njoftoi Hrushovi… Por, pastaj dolëm andej dhe u larguam edhe ne”.
Dokumenti 1 / A shkoi Hoxha në Moskë?
Munih, 8 gusht [1961] – Shqiptarët kanë thyer heshtjen e tyre mbi mbledhjen [e Komitetit Politik Konsultativ] të Paktit të Varshavës në Moskë. Por në një mënyrë më se të pazakontë.
ATSH-ja [Agjencia Telegrafike Shqiptare], sot pasdite ka transmetuar një deklaratë të Komitetit Qendror të Partisë [së Punës] së Shqipërisë. Në hyrje thuhet (nënvizimet janë të redaksisë së Radios “Evropa e Lirë”):
“Kryetari i delegacionit të Partisë së Punës së Shqipërisë, që shkoi në Moskë për të marrë pjesë në mbledhjen e përfaqësuesve të partive komuniste dhe punëtore të vendeve pjesëtare të Traktatit të Varshavës, që u mbajt prej datës 3 deri më 5 gusht 1961, u dërgoi më datën 3 gusht kryetarëve të delegacioneve të partive komuniste dhe punëtore të vendeve pjesëmarrëse të Paktit të Varshavës dhe përfaqësuesve të partive komuniste dhe punëtore të vendeve socialiste të Azisë, Deklaratën e Komitetit Qendror të PPSH mbi çështjen e përfundimit të Traktatit të paqes me Gjermaninë”.
Më poshtë do të jepet një rezyme e Deklaratës. Ajo çfarë ka interes më imediat u tregua në pasazhin e mësipërm.
Së pari: Kush ishte ky “kryetari i delegacionit të Partisë së Punës së Shqipërisë”? Ishte Hoxha apo dikush tjetër? Komunikata e transmetuar nga TASS-i [Agjencia Telegrafike e Bashkimit Sovjetik] më 5 gusht i referohej mjaft qartë “një mbledhjeje të sekretarëve të parë të komiteteve qendrore të partive komuniste dhe punëtore të vendeve të Traktatit të Varshavës”. Shqipëria, pavarësisht kërcënimeve për dëbim, sikurse është njoftuar, ishte ende anëtare e Paktit të Varshavës dhe festoi normalisht përvjetorin e tij më 14 majin e kaluar. Prandaj nisur nga leximi i thjeshtë i lajmit të TASS-it, del që Hoxha ka qenë atje. (Fakti që TASS-i vazhdonte të përmendte “përfaqësues” të vendeve të Paktit të Varshavës, thjesht nisur nga logjika kjo do të thoshte se atje nuk merrnin pjesë përfaqësues të tjerë përveç sekretarëve të parë.) Por ATSH-ja (dhe me sa duket gazetat e Tiranës që botuan deklaratën), thjesht përmendte “kryetarin e delegacionit” dhe pastaj vazhdonte të përmendte “mbledhjen e përfaqësuesve” të shteteve të Paktit të Varshavës. (Të gjitha vendet e tjera satelite përmendnin sekretarët e parë të partive.)
Megjithatë ky nuk është tregues bindës se Hoxha nuk ishte atje, por sigurisht që ngjall dyshime të ligjshme. Hoxha në fund të fundit për nga natyra nuk është nga ata persona, që duan të mbeten anonimë. Nëse Hoxha nuk ka shkuar, nuk do të ishte hera e parë që ai anashkalon një konferencë të rëndësishme në Moskë. As ai, as Shehu nuk morën pjesë në konferencën e Paktit të Varshavës në Moskë marsin e kaluar, një konferencë ku morën pjesë të gjithë udhëheqësit e lartë të vendeve të tjera satelite. Mungesa e Hoxhës atëherë kishte të bënte me fërkimet serioze me Moskën që shpërthyen hapur në një konferencë në Moskë në nëntor [1960] dhe që kongresi i PPSH i shkurtit [1961] me sa duket nuk arriti t’i shmangë. Normalisht askush nuk e priste që Hoxha të mos merrte pjesë në një konferencë në Moskë këtë kohë, të paktën jo pa mbështetjen e udhëheqjes së lartë kineze. Kjo lihet të kuptohet nga një shikim i parë i komunikatës se TASS-it që dëshmon për praninë e tij. Tashmë lajmi që vjen nga Tirana ngjall përsëri dyshime ose të paktën pyetje.
Deklarata “prematurë” e KQ
Kaq shumë gjëra për praninë ose mungesën e Hoxhës. Pika e dytë interesante është Deklarata e Komitetit Qendror të PPSH-së mbi çështjen e traktatit të paqes. Nëse do të bëhej publike një deklaratë e KQ pas konferencës pasi është miratuar pozicioni i kampit socialist, do të ishte një moment interesant. Shqiptarët do të kishin qenë të parët (dhe ndoshta i vetmi vend) që e bëjnë këtë. Por një hap i tillë gjithsesi kanë qenë i paprecedent në bllokun komunist pas një konference të rëndësishme.
Është intrigues fakti se kjo Deklaratë u përgatit para konferencës dhe, duke pasur paraysh datën 3 gusht, (duhet hamendësuar se ATSH-ja është në rregull me datën që jep), që ishte dita kur në fakt filloi konferenca, u shpërnda nga kryetari i delegacionit shqiptar (kushdo qoftë). Mundet që vërtet është shpërndarë më 3 gusht apo më vonë gjatë konferencës. Është shpërndarë siguri gjatë konferencës ose të paktën para se delegatët të shkonin në shtëpi, sepse ATSH-ja thotë që kryetarët e delegacioneve të vendeve të Paktit të Varshavës dhe përfaqësuesit aziatikë morën kopje.
Pse u bë kjo? Mund të hamendësohet se të gjithë kryetarët e delegacioneve kanë pasur me vete disa lloj përmbledhjesh të përgatitura. Këto mund të jenë kaluar dorë më dorë. Por pse shqiptarët në vetmin njoftim të tyre publik mbi këtë konferencë, e kanë parë të arsyeshme të botonin të plotë një deklaratë që ata e kishin përgatitur para se të fillonte konferenca (ose, sikurse u njoftua, kishte filluar). Mos vallë kryetari i delegacionit thjesht qarkullon deklaratën e tij dhe pastaj largohet nga konferenca? Mos kishte vallë druhej të ballafaqohej, me “aleatët” e tij evropiano-lindorë, pa mbështetjen e fuqishme Pekinit? Mos vallë kryetari i delegacionit (duke hamendësuar se nuk shkuan as Hoxha as Shehu), ishte i një rangu relativisht të ulët që nuk ishte në atë nivel të lartë përfaqësimi të mjaftueshëm për të vepruar si pjesëmarrës më të drejta të plota? A u paralajmërua delegati shqiptar (kushdo qoftë) se do të dëbohej nga salla e konferencës? Mund të shtrohen një sërë pyetjesh. Është e vështirë të jepen përgjigje dhe çka është më e mirë në guxim mbetet diskrecion. Gjithçka mund të thuhet për publikimin e këtij dokumenti është se shqiptarët kanë treguar edhe një herë veten në mënyrë intriguese si njerëz të çuditshëm, të huaj mes të vetëve.
Dokumenti vetë
A mund të gjendet përgjigja në përmbajtjen e vetë dokumentit?
Para se të përpiqemi t’iu përgjigjemi kësaj pyetjeje të qartë mund të thuhet se çdo kundërshtim ndaj problemit gjerman, apo të ndonjë tjetri, me siguri do të bëhej vetëm me miratimin e Hoxhës. Kjo është një çështje, për të cilën ai mund të mbështeste sinqerisht Hrushovin.
Dokumenti, i cili është shumë i gjatë dhe me përsëritje të pafundme, me siguri e e arrin këtë qëllim me shprehje shumë të forta. [Deklarata] mbështet plotësisht qëndrimin e udhëheqësit rus mbi një traktat paqeje, e përmend me emër duke e miratuar – gjë e rrallë për shqiptarët këto ditë. [Dokumenti] del në mbrojtje të RDGJ-së [Republika Demokratike Gjermane] disa herë pothuajse sikur po përpiqet t’i mbushë mendjen Ulbrihtit se e kishte falur për faktin që e kishte quajtur Hoxhën dogmatik. [Deklarata] merr një qëndrim të fortë në mbështetje të Polonisë me të cilin Shqipëria ka pasur telash të madh ambasadorial. Të njëjtën gjë bën ndaj Çekosllovakisë me të cilën [Shqipëria] ka pasur probleme ekonomike.
Në shumë aspekte Deklarata pasqyron qëndrimin e një dishepulli model. Edhe në disa nga pasazhet e saj ku i turret me tërbim Pentagonit, imperialistëve amerikanë, krizës kapitaliste, “neo-nazistëve” gjermano-perëndimorë etj etj ajo nuk thotë asgjë më tepër se ç’kanë deklaruar vendet e tjera satelite. Nuk sulmon vend e pa vend dhe në mënyrë acarruese Jugosllavinë apo të lavdërojë kot së koti Kinën. Nuk përmend Kinën dhe vazhdon ta quajë Bashkimin Sovjetik udhëheqës të kampit [socialist].
Por vende-vende është shumë e ashpër. Ajo është në vijimësi të politikës shqiptare (dhe kineze) duke sharë Presidentin Kenedi me egërsi. Për një udhëheqës sovjetik që është i etur për bisedime kjo mund të ketë qenë e tepërt. Dokumenti është pesimist për sa u përket bisedimeve me imperialistët perëndimorë. Shqipëria, thotë deklarata, nuk ka qe gjithmonë kundër bisedimeve, por përvoja e hidhur ka treguar se imperialistët i përdorin bisedimet për të zvarritur problemin dhe për të mashtruar [në origjinalin shqip: “Partia e Punës e Shqipërisë dhe qeveria shqiptare nuk kanë qenë dhe nuk janë kundër bisedimeve me fuqitë perëndimore për zgjidhjen e çështjes gjermane, përkundrazi. Por ne nuk mund të mos kemi parasysh eksperiencën e derisotshme, që tregon se bisedimet nga ana e fuqive perëndimore janë përdorur pikërisht për të mos arritur asnjë zgjidhje dhe me këto bisedime ato janë përpjekur të mbulojnë politikën e tyre të rrezikshme në Gjermaninë Perëndimore”]. Del që bisedimet qenkan në një shkallë të konsiderueshme humbje e kotë kohe. Ndoshta ka një theksim të panevojshme mbi gatishmërinë për t’u përgatitur për më të keqen (ose më mirën), nëse vjen lufta, me një vringëllim emocional “në barrikada” në fund [në origjinalin shqip: “Duke ju sjellë zërin e Partisë së Punës të Shqipërisë, të qeverisë dhe të popullit të Republikës Popullore të Shqipërisë, e cila siç dihet, ndodhet në kushtet rrethimit gjeografik kapitalist, unë deklaroj se në çdo gjendje dhe në çdo rast të rrezikshëm ne do të luftojmë deri në fund përkrah Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të tjera vëllezër, pa marrë parasysh asnjë sakrificë, në çdo rast dhe si kurdoherë do të jemi solidarë deri në fund dhe do të kryejmë me nder detyrën tonë”]. Për sa i përket Berlinit Perëndimor dokumenti është pothuajse identik me fjalët e Ulbrihtit. Berlini Perëndimor është pikë zjarri që duhet nxjerrë jashtë luftimit; një vatër për veprimtari subversive dhe komploti kundër RDGJ-së dhe vendeve të tjera socialiste. Ka një referencë kalimthi për të drejtat e Berlinit Perëndimor, si qytet i lirë për të pasur sistemin e vet politik dhe shoqëror [në origjinalin shqip: “Traktati i Paqes do të fiksonte edhe statutin e Berlinit Perëndimor, si qytet i lirë e i çmilitarizuar. Në këtë mënyrë, nga një qendër veprimesh subversive dhe komplotesh të vazhdueshme kundër Republikës Demokratike Gjermane dhe vendeve të tjera socialiste, nga një fuçi baruti që është sot, Berlini Perëndimor do të kthehej në një faktor paqeje dhe bashkëpunimi, në një mjet afrimi midis dy shteteve gjermane”], por nuk përmenden të drejtat e aleatëve [fuqitë perëndimore] lidhur me Berlinin Perëndimor. Është thënë thjesht se “duan s’duan fuqitë perëndimore, kur të kenë të bëjnë vetëm me autoritetet e Republikës Demokratike Gjermane për të hyrë e për të dalë nga Berlini Perëndimor, do të detyrohen ta njohin Republikën Demokratike Gjermane… shpejt ose vonë”. Nëse Hrushovi është zënë ngushtë nga shpirti luftarak i Ulbrihtit, nuk mund të jetë shumë i impresionuar nga të tilla pasazhe si këto.
Mendim pakice?
Ndërkohë edhe pse dokument është i fortë vende-vende, por i marrë si një i tërë, vështirë mund të konsiderohej devijim radikal nga politika sovjetike. Megjithatë, ka mundësi që ky dokument të jetë i fortë apo i rreptë pikërisht në ato pika, ku Hrushovi, në fazën e tanishme të rrezikshme, ku po hyjnë zhvillimet, do të donte të lëvizte me shumë kujdes. Ky udhëheqës sovjetik mund t’u jetë imponuar satelitëve të tij evropianë, ndonëse për të gjithë ata, përveç Ulbrihtit, zor se ka qenë e nevojshme trysnia. Ndoshta, Shqipëria mbeti në minorancë në Traktatin e Varshavës si i vetmi vend (ose i dytë, po të llogaritet edhe Ulbrihti), por mund të ketë pasur mbështetje nga Kina ose ka më shumë gjasa të jetë nxitur nga ajo. Duke qenë se mund të ketë bërë sherr në konferencë, ajo pastaj ka vendosur të bëjë publike pikëpamjet e saj dhe t’i dokumentojë. Si rrjedhojë, ajo mund të ketë vepruar si zëdhënëse vullnetare e Kinës komuniste.
Nëse ky supozim është i vërtetë (dhe ky është vetëm një supozim) taktika e tanishme e Shqipërisë do të ishte plotësisht në përputhje me qëndrimin e saj të mëparshëm. Ajo do të dokumentonte opozicionin e saj dhe ende duke bërë thirrje pasionuara për kohezion në bllokun [komunist] dhe duke deklaruar besnikërinë e saj ndaj dhe admirim për Bashkimin Sovjetik.
Me pak fjalë, ajo do të interpretonte “unitetin në diversitet”.
Shënim: Titulli dhe mes-titujt janë të origjinalit anglisht, kurse përkthimi dhe sqarimet në kllapat katrore janë të miat.
Dokumenti 2 / Shqipëria, i vetmi satelit që nuk uroi Ulbrihtin për Berlinin
MUNIH, 6 shtator 1961 – Udhëheqja e Partisë Komuniste Shqiptare [PPSH] duket të jetë regjimi i vetëm në bllokun sovjetik që nuk uroi Valter Ulbrihtin (Walter Ulbricht) për bllokimin e Berlinit Lindor më 13 gusht, sipas një publikimi të Gjermanisë Lindore.
Periodiku i përdyjavshëm “Aus der internationalen Arbeiterbewegung”, [organ] i PSBGJ-së [Partia Socialiste e Bashkuar të Gjermanisë] në numrin e saj të fundit kishte botuar tekste telegramesh urimi që ishin dërguar nga gjithë kampi socialist – por nuk kishte nga Shqipëria.
Sjellja e Shqipërisë javët e fundit në kontekstin e çështjeve të bllokut sovjetik është karakterizuar nga ftohtësia ndaj partive komuniste motra dhe nga mospjesëmarrja në konferenca që zakonisht janë ndjekur në bllok.
Që nga koha e dialogëve të nxehtë që mendohet se ka pasur mes Hoxhës dhe Hrushovit në konferencën e Moskës partive komuniste të botës në nëntor 1960, janë bërë shpesh spekulime se Tirana nuk mund të mos trajtohej ftohtë nga partitë motra, apo nëse Tirana mund të mos ketë përfillur partitë komuniste me orientim nga Moska (apo njëfarë përzierjeje të të dy prirjeve).
Omisione në protokollin e bllokut [komunist]
Që prej një apo dy muajsh ka pasur omisione [lënie jashtë] të shqiptarëve në protokollet e bllokut [komunist]. Është rasti të përmendet se Enver Hoxha nuk mori pjesë në konferencën e Paktit të Varshavës të mbajtur më 3-5 gusht në Moskë për problemin gjerman. Nëse është kështu, Hoxha mund të ketë qenë i vetmi sekretari i parë i [i partive komuniste e punëtore të vendeve pjesëtare] Paktit të [Varshavës] që nuk ishte i pranishëm. Ka edhe disa të dhëna të cilat do të tregojnë se delegacioni shqiptar në atë konferencë mund të ketë hartuar deklarimet e tyre përfundimtare për çështjet në diskutim madje para se të niste e të zhvillohej mbledhja (shih analizën e datës 8 gusht 1961 “A shkoi Hoxha në Moskë?”). Lidhur me këtë fakt është e vështirë të shpjegohet qëndrimi i fundit i Shqipërisë ndaj Ulbrihtit. Përfaqësuesit shqiptarë në konferencën e Paktit të Varshavës mbështetën më zë të lartë “të drejtat” e Gjermanisë Lindore në Berlin, por tani del se Tirana është kryeqyteti i vetëm i bllokut [komunist] që nuk ka përgëzuar Ulbrihtin.
Shënim: Titulli dhe mes-titulli janë të origjinalit anglisht, kurse përkthimi dhe sqarimet në kllapat katrore janë të miat. Botohet vetëm pjesa e parë, ajo që lidhet me temën e titullit.
Dokumenti 3 / … por Enveri kishte shkuar në Dajt! / Nga “Ditari Politik” i liderit shqiptar
***
E premte, 7 korrik 1961. Ulbrihti na dërgoi letër, me të cilën më fton mua, sekretarin e parë, në mbledhjen e sekretarëve të parë që propozohet të mbahet në Moskë, më 3 gusht mbi përfundimin e Traktatit të Paqes me të dy shtetet gjermane, ose, në qoftë se kjo nuk do të jetë e mundur, me RD Gjermane. E bukura është se në fund të letrës ai thotë që përgjigjen tonë t’ia drejtojmë Hrushovit! Letra është shkruar me hile dhe ata po përgatitin kurthe. Sidoqoftë unë nuk do të shkoj. Do të shohim se si do të zhvillohet kjo punë, por sigurisht jo mirë, pse ata janë në rrugë armiqësore.
***
Durrës, e shtunë, 22 korrik 1961. Dorëzuam përgjigjen tonë për letrën e Ulbrihtit. Pranuam propozimin për mbledhje dhe caktuam delegacionin e Komitetit Qendror me të plotfuqishëm shokun Ramiz Alia dhe anëtar delegacioni shokun Behar Shtylla. Unë s’vete, duke e arsyetuar këtë se gjoja jam i sëmurë.
***
Durrës, e enjte, 27 korrik 1961. Fola me hollësi me shokun Ramiz për mbledhjen e përfaqësuesve të partive komuniste e punëtore të vendeve pjesëtare të Traktatit të Varshavës, për çështjen e përfundimit të Traktatit të Paqes me Gjermaninë, që do të mbahet në Moskë më 3 gusht. Parashikuam të gjitha variantet e mundshme. Fjalimi kryesor për çështjen e Traktatit të Paqes me Gjermaninë është i plotë. Në rast se na atakojnë, atëherë do të marrin përgjigjen e duhur.
***
Dajt, e mërkurë, 2 gusht 1961. Ramizi u nis për në Moskë. Në aerodrom e pritën shumë ftohtë, njerëz të një rangu fare të vogël. Delegacionin e çuan të banojë në hotel “Moska”. Parashikojmë sulme të poshtra nga ana e tyre kundër Partisë sonë dhe udhëheqjes.
***
Dajt, e enjte, 3 gusht 1961. Sot hapet në Moskë mbledhja e përfaqësuesve të partive komuniste e punëtore të vendeve pjesëtare të Traktatit të Varshavës, për çështjen e Traktatit të Paqes me Gjermaninë. Me shokët e delegacionit tonë të gjithë pjesëmarrësit në mbledhje qëndruan shumë ftohtë, as dorën nuk u dhanë. Jashtë çinovnik-ët [rusisht në origjinal: nëpunës] u jepnin tanëve shenja sikur Hrushovi nuk e ka dashur këtë mbledhje.
***
Dajt, e premte, 4 gusht 1961. Ramizi u kthye nga Moska dhe na raportoi për mbledhjen e përfaqësuesve të partive komuniste e punëtore të vendeve pjesëmarrëse në Traktatin e Varshavës për çështjen e Traktatit të Paqes me Gjermaninë. Atë e nxorën nga mbledhja në mënyrën më armiqësore, të poshtër, trockiste. Nuk i dhanë as fjalën, nuk e lejuan të fliste. Banditi Hrushov, në mënyrë skandaloze, e pengoi të fliste, sido që për këtë u bë një debat i ashpër midis Ramizit e Hrushovit. Ulbrihti propozoi përjashtimin tonë nga mbledhja dhe dërgimin e një letre armiqësore Komitetit Qendror të Partisë sonë, gjë që u aprovua nga gjithë të tjerët, me përjashtim të ambasadorit kinez, i cili ditën e parë s’foli, se fjala s’iu dha as atij, as koreanit, as vietnamezit, as mongolit, që ishin si vëzhgues. Por në ditën e dytë të mbledhjes, ambasadori kinez lexoi deklaratën e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, e cila është e mirë dhe na mbron. Hrushovi dhe përkrahësit e tij janë banditë, shkelin çdo normë marksiste, çdo normë të barazisë. Ata janë fashistë me tërë kuptimin e fjalës, por do ta pësojnë. Ne do t’i demaskojmë pa mëshirë këta qena me maskë komuniste. Çdo ditë ata po shumëfishojnë gabimet e tyre dhe kështu vërtetojnë tezat e drejta tonat. Me këto veprime praktikisht ata na kanë nxjerrë nga Traktati i Varshavës dhe nga mbledhjet e partive të vendeve të Traktatit të Varshavës. Ligjërisht dhe hapët këtë ende s’e kanë bërë, se kanë frikë, por do ta bëjnë dhe atëherë duhet të presin sulmin tonë botërisht. Ata botuan edhe një komunikatë të falsifikuar, që ne nuk e botojmë, por do të botojmë fjalimin që do të mbante Ramizi në mbledhje dhe që ua dërguam komplotistëve revizionistë në Moskë me rrugë diplomatike.
***
E hënë, 7 gusht 1961. Sot pasdreke zbrita nga Dajti në Tiranë. U bë mbledhja e Byrosë Politike, ku vendosëm botimin e fjalimit që do të mbante shoku Ramiz në Moskë si deklaratë e Komitetit Qendror ku përcaktohen pikëpamjet e Partisë sonë për problemin gjerman dhe t’i përgjigjemi letrës që na dërgoi banda e Hrushovit nga mbledhja e 3 gushtit e organizuar në Moskë.
***
Dajt, e diel, 13 gusht 1961. Sot agjencia gjermane e lajmeve ADN botoi komunikatën e Komitetit Politik Konsultativ të Traktatit të Varshavës për Traktatin e Paqes me të dy shtetet gjermane, që është aprovuar në mungesën tonë. Hileqarët duan të fshehin hilerat, por këto padashur ua zbulon qeveria gjermanolindore.
Përmbledhje e shkurtuar e tre shkrimeve të botuara në shtypin e shkruar, shtator 2012.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version