Politike

I dëbuar nga Zvicra për trafik droge, reagon kandidati i PD-së për Shijakun

Partia Socialiste ka kërkuar çregjistrimin e kandidatit të Sali Berishës për Bashkinë e Shijakut, Rezeart Tusha. Në kërkesën që PS dorëzoi dje në KQZ thuhet se Rezeart Tusha rezulton i dëbuar nga Zvicra në vitin 1997, për posedim të lëndëve narkotike, duke iu ndaluar hyrja për 5 vite.

“Aktualisht KQZ ka rastin që zgjedhësve të Bashkisë Shijak t’u ofrohet për zgjedhje një kandidaturë që të garantojë “besimin e publikut për funksionin e organeve të zgjedhura shtetërore” dhe në këtë kuadër kandidati Rezeart Tusha nuk e ofron aspak këtë garanci. Ndërprerja e kandidimit duke bërë çregjistrimin e në këtë fazë, në një eventualitet, mbron dhe garanton mirëfunksionimin demokratik të organeve të qeverisjes vendore”, thuhet në dokument.

Por lidhur me denoncimin, Prokuroria e Përgjithshme ka thënë se në 2021 kandidati nuk është verifikuar plotësisht për shkak se nga Zvicra është refuzuar dhënia e informacionit. Megjithatë Prokuroria e Përgjithshme ka shtuar se ende3 po vazhdon verifikimin.

“Në Prokurorinë e Përgjithshme, mbi bazën e kërkesës së ardhur nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, është regjistruar me nr.49, viti 2021, procesi i verifikimit të thelluar për subjektin vetëdeklarues, Rezart Xhelal Tusha, bazuar në Ligjin nr.238/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Në kuadër të verifikimeve të kryera, rezulton se autoritetet gjyqësore zviceriane, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, kanë refuzuar t’i përgjigjen kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për dhënien e ndihmës së ndërsjelltë juridike, për shkakun se informacioni nuk është kërkuar  në kuadrin e një procesi penal ndaj subjektit në fjalë. Në vijim të sa më sipër, duke synuar përdorimin e të gjitha rrugëve të mundshme ligjore për administrimin e informacionit që i shërben këtij procesi,  Sektori i Dekriminalizimit ka vazhduar të kryejë veprime të tjera për verifikimin e plotë për subjektin vetëdeklarues. Me përfundimin e tyre rezultatet e verifikimeve do t’i dërgohen KQZ.”

Pretendimet e maxhorancës i ka hedhur poshtë vetë kandidati Tusha. Në një dalje për mediat, kandidati i Shijakut për koalicionin “Bashkë Fitojmë” në zgjedhjet lokale të 14 majit në një deklaratë për mediat tha se në KQZ ka dorëzuar formularin përkatës ku deklaron se ka një kundravajtje në Zvicër për shkelje të lejes së qëndrimit.

“KQZ më ka regjistruar për zgjedhjet e 14 majit, për arsye se e kam dorëzuar formularin përkatës ku deklaroj se kam një kundravajtje në Zvicër, për shkelje të lejes së qendrimit. Këtë e kam deklaruar edhe në formularin për zgjedhjet e vititi 2021, kur kam qenë në listat e Partisë Demokratike, si kandidat për deputet. Në 2021, kur u ngrit ky pretendim për ‘dënim’, KQZ e çoi formalisht ne Prokurorinë e Përgjithshme për verifikim të thelluar nga sektori i dekriminalizimit dhe mora dritën jeshile të kandidimit. Kjo është e vërteta me dokumente, të cilat do t’i vë në dispozicion të medias dhe publikut bashkë me këtë deklaratë,”-shtoi Tusha.

DEKLARATA E PLOTË:

Të nderuar bashkëqytetarë të Shijakut dhe rrethinave. Të dashur vëllezër e motra shqiptarë! Siç mund ta keni parë, mediat pranë pushtetit, me porosi qeveritare, kanë nisur kundër meje një seri sulmesh bazuar në shpifje e shtrembërime. Së pari, kjo dëshmon se i ka kapur paniku për humbjen pritshme më 14 maj, dhe shpresojnë ta mundin Partinë Demokratike dhe kandidatin e saj në tavolinë. Përpjekja për të më skualifikuar mua si kandidat të koalicionit “Bashkë fitojmë”, nuk bëhet se u intereson e vërteta, por se e dinë se çfarë i pret në Shijak këto zgjedhje. Së dyti, unë dua të sqaroj opinionin publik në lidhje me atë që qeveria dhe mediat pranë saj quajnë “dënim”. Fakt ky që ndodhet vetëm në imagjinatën e tyre, jo në dokumente zyrtare. KQZ më ka regjistruar për zgjedhjet e 14 majit, për arsye se e kam dorëzuar formularin përkatës ku deklaroj se kam një kundravajtje në Zvicër, për shkelje të lejes së qendrimit. Këtë e kam deklaruar edhe në formularin për zgjedhjet e vititi 2021, kur kam qenë në listat e Partisë Demokratike, si kandidat për deputet. Në 2021, kur u ngrit ky pretendim për ‘dënim’, KQZ e çoi formalisht ne Prokurorinë e Përgjithshme për verifikim të thelluar nga sektori i dekriminalizimit dhe mora dritën jeshile të kandidimit. Kjo është e vërteta me dokumente, të cilat do t’i vë në dispozicion të medias dhe publikut bashkë me këtë deklaratë. Kjo është pjesë e luftës politike, përpjekje amorale e qeveisë për të më skualifikuar nga zgjedhjet. Nuk u vë faj, se u është bërë huq që, ose i vjedhin zgjedhjet, ose i fitojnë pa asnjë kundërshtar përballë. E kanë kot. Do të më kenë përballë më 14 maj, jo vetëm si kandidat por edhe si gardian të votës së lirë. Për shijakasit e mi kam vetëm një thirrje: mos u trembni! Bashkë fitojmë!

Në vitin 2021 u publikua një dokument që pretendohet se kishte hyrë në fuqi prej tetorit të vitit 1997. Sipas denonicimit pretendohej se kandidati demokrat është arrestuar në Zvicër më 18 shtator të vitit 1994 nga policia e Gjenevës në operacionin e koduar me emrin Hydra sepse kishte 42.5 gram drogë heroinë. Për këtë arsye ndaj tij është vendosur një ndalim hyrje në Zvicër prej 5 vitesh.

TRENDING

Exit mobile version