Fjala e Taulant Ballës:
Tërmeti dhe pandemia Covid-19 si edhe rindërtimi e strategjitë dalëse prej pandemisë po ndodhin në një moment të veçantë. Veçanësia lidhet me momentumin në të cilin Shqipëria ndodhet vis a vis procesit të integrimit evropian, një procesi i rëndësishëm dhe kompleks. 51 persona humbën jetën, mijëra njerëz humbën shtëpitë, më shumë se 200 mijë veta u prekën nga tërmeti dhe rreth 17 mijë njerëz u zhvendosën për shkak të humbjes së shtëpive.
Ndërkohë, pandemia përfshiu në mënyrë kapilare të gjithë shoqërinë, ekonominë, shërbimet, dhe, mbi të gjitha, jetët njerezore.
Si pasojat e tërmetit, ashtu edhe implikimet e pandemisë, teorikisht mund të ishin një sfidë për avancimin e integrimit. Por nuk ndodhi kështu. Shqipëria eci me hapa të vendosur drejt familjes europiane.
Në kulmin e përpjekjeve për rindërtim dhe në nisje të pandemisë, Shqipëria ndjeu mbështetjen e fuqishme të familjes europiane dhe të partnerëve ndërkombëtarë. Konferenca e donatorëve “Bashkë për Shqipërinë” e 17 shkurtit shënoi një arritje të paperceptushme, 1.15 miliardë dollarë mbështetje,
Në kulmin e pandemisë, më 25 mars 2020, Shqipëria mori vendimin e shumëpritur të Këshillit Europian për çeljen e negociatave. Edhe pse e goditur, për shkak të brishtësisë ekonomike e sociale, ashtu si edhe mjaft vende të tjera, vendi nuk humbi orientimin dhe integrimi europian mbeti “ylli polar” i Shqipërisë, si gjatë rindërtimit, ashtu edhe gjatë pandemisë. Duke sfiduar dhe fituar mbi atë që u kristalizua si “skepticizmi europian”.
Si Kryetar i Grupit Parlamentar të shumicës dhe në cilësinë e bashkëkryetarit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocijmit BE–Shqipëri, do të ndalem në rrugëtimin e qasjes së BE-së ndaj procesit të integrimit gjatë viteve të fundit. Ajo që evidentohet në vendim-marrjen e institucioneve të BE-së por edhe të disa anëtarëve të saj ka qenë një skepticizëm në rritje ndaj pranimeve të reja. Ky aspekt u vërejt në ngadalësimin dhe here-herë bllokimin e procesit të integrimit nga disa anëtarë të BE-së.
Nëse do ta krahasonim rolin e Komisionit Evropian në raundet e mëparshme të zgjerimit, ky i fundit ka humbur pozicionin qëndror në këtë process, duke e fragmentarizuar vendim-marrjen vis a vis politikës së zgjerimit.
Komisioni si institucioni i vetëm që raporton në lidhje me ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, tashmë e ka humbur rolin drejtues dhe ky aspekt u evidentua në rastin e shtyrjes së vendimit për hapjen e negociatave me Shqipërinë në 2019 në Këshill apo rasti më i fundit bllokimi i Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria, të cilat reflektojnë vendimarrje të bazuara tërësish në situatat e brendshme të disa vendeve anëtare.
Spostimi i boshtit të vendimarrjes nga Komisioni tek vendet anëtare në raport me politikën e zgjerimit po vë në dyshim efektet pozitive transformuese të saj. Nëse tradicionalisht metri i matjes së përparimit në procesin e integrimit ishin standardet dhe procedurat e përcaktuara nga kritere dhe indikatorë specifikë, tanimë duket se kjo nuk është më e mjaftueshme.
Vitet e fundit po forcohet bindja që procesi për vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor do jetë i paparashikueshëm dhe do të varet kryesisht nga qasjet e disa vendeve anëtare ndaj rajonit dhe jo në progresin e këtij të fundit. Ky aspekt sigurisht vë në dyshim politikën e suksesshme të zgjerimit, e cila vitet e fundit ka humbur fuqinë transformuese në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ky sigurisht nuk është një lajm i mirë jo vetëm për BE-në por edhe për vendet tona për shkak të faktit të pakontestueshëm se procesi i integrimit ka shërbyer në këto dy dekada si shtysa kryesore për transformimet radikale që kanë pësuar vendet tona.
Në këto tre dekada marrëdhënieje me Bashkimin Europian, ky i fundit nëpërmjet fuqisë transformuese e ka shndërruar Shqipërinë në tre drejtime kryesore: një rregullim i politikës së brendshme (ku reforma e sistemit të drejtësisë është kryefjala e viteve të fundit) pasi sundimi i ligjit është një parakusht thelbësor për një transformim tërësor të një vendi në rrugën e tij drejt BE;
politika e jashtme (përafrimi i plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë),
marrëdhëniet rajonale (marrëdhëniet e mira fqinjësore/rajonale, veçanërisht në kuadër të Procesit të Berlinit dhe në përpjekjen e brendshme për të ecur përpara me angazhimin që morëm përsipër për realizimin e Zonës Rajonale Ekonomike). Të gjitha këto angazhime nuk do të mundësohshin pa fuqinë e vizionit të një perspektive të integrimit në BE.
Për të kaluar në shtëpinë tonë duke pasur parasysh kontekstin e përshkruar më lart, është me rëndësi të rikujtojmë edhe kontekstin në të cilin vendit i është dashur të përparojë. Shqipëria kaloi një tërmet shkatërrues, pasojat ekonomike dhe sociale të së cilës do të na përndjekin për vite; si dhe menjëherë më pas u përballëm me një pandemi globale të COVID-19, e cila po gjunjëzon ekonomi shumë më të zhvilluara se kjo e jona. Me këtë premisë sigurisht çdo përparësi e realizuar nga Shqipëria merr një vlerë tjetër.
Megjithatë duhet të jemi të sinqertë me të gjithë qytetarët e këtij vendi, të cilët pavarësisht mbështetjes së plotë ndaj këtij procesi, kërkojnë përmirësim të dukshëm në përditshmërinë e tyre. Dhe kjo është arsyeja themelore përse ne do ta kemi gjithmonë prioritet mbi prioritetet avancimin në reforma. Sepse në fund të ditës përmirësojnë jetën e qytetarëve.
Pavarësisht rekomandimit pozitiv të Komisionit dhe vendimarrjes në mars të Këshillit për hapjen e negociatave me Shipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, vendimarrja e fundit e Këshillit për mosmiratimin e kuadrit negociues për të dy vendet konfirmon edhe një here tezën e humbjes së pozicionit qëndror nga ana e Komisionit Evropian në vlerësimin teknik të vendeve tona.
Megjithatë pavarësisht vendimarrjes në Bruksel, Shqipëria nuk është tërhequr për asnjë çast nga vazhdimi i procesit të reformës dhe ruajtja e këtij momentumi. Ne do të ndjekim me vendosmëri konsolidimin e rekordeve tona në reformat e rëndësishme të ndërmarra deri më tani ashtu siç e thekson edhe Komisioni Evropian në raportin e fundit për Shqipërinë. Vendosmëria jonë lidhet pikërisht me faktin që Shqipëria nuk ka një plan B përpos integrimit në BE dhe pavarësisht dritëhijeve të procesit, vendi do të vazhdojë i palëkundur në këtë rrugëtim kompleks.
Taulant Balla, Bashkëkryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocijimit BE–Shqipëri, nënvizon se tërmeti dhe pandemia Covid-19 si edhe rindërtimi e strategjitë dalëse prej pandemisë po ndodhin në momentumin në të cilin Shqipëria ndodhet vis a vis procesit të integrimit evropian. Si pasojat e tërmetit, ashtu edhe implikimet e pandemisë, teorikisht mund të ishin një sfidë për avancimin e integrimit. Por nuk ndodhi kështu. Shqipëria eci me hapa të vendosur drejt familjes europiane. Në kulmin e përpjekjeve për rindërtim dhe në nisje të pandemisë, Shqipëria ndjeu mbështetjen e fuqishme të familjes europiane dhe të partnerëve ndërkombëtarë në Konferencën e donatorëve “Bashkë për Shqipërinë” të 17 shkurtit. Në kulmin e pandemisë, më 25 mars 2020, Shqipëria mori vendimin e shumëpritur të Këshillit Europian për celjen e negociatave. Integrimi europian mbeti “ylli polar” i Shqipërisë, si gjatë rindërtimit, ashtu edhe gjatë pandemisë. Duke sfiduar dhe fituar mbi atë që u kristalizua si “skepticizmi europian.