Ëndrra përtej Adriatikut ishte Italia në vitin 1998 për Redi Vyshka, ku e priste babai i tij e bashkë me nënën dhe vëllain shkoi drejt shtetit fqinj. Për të, në moshën 7-vjeçare ishte dita më e bukur ku më në fund mund të bënin të gjithë bashkë si familje një jetë normale.
Redi nuk e kishte menduar se e ardhmja e ti do i përkiste botës së biznesit dhe menaxhimit, por dëshira për pavarësi financiare nga familja bëri që ai që në moshën 15-vjeçare të kryente punë të ndryshme dhe që i ka parë si eksperienca të shtuara për suksesin e sotëm të tij. Përfundoi universitetin për Ekonomi dhe Menaxhim me nota të shkëlqyera duke besuar se çdo gjë që e dëshiron mund ta realizosh. Redi sot, bashkë me dy miqtë e tij është një start up i suksesshëm me “krijesën” e tyre Switcho, një start up që synon të optimizojë shpenzimet fikse të familjeve italiane, të tilla si energjia elektrike dhe gazi, interneti, kontratat e sigurimeve dhe produkteve të tjera financiare. Tashmë kompania është shtrirë dhe në Shqipëri dhe Redi 30-vjeçar rrëfen për “Diaspora Shqiptare” synimet e tij në të ardhmen.
Sot jeni një prej themeluesve të suksesshëm të startup Switcho, por fillimisht na tregoni pak për mbërritjen tuaj në Itali. Sa e vështirë ka qenë për ju, duke pasur parasysh se keni ikur vetëm 7 vjeç.
Kam ardhur në Itali kur isha 7 vjeç. Bashkë me nënën dhe vëllain tim, u nisëm më 24 mars 1998, pak pas përfundimit të trazirave të 1997-tës. Na priti babai i cili kishte emigruar në Itali katër vite para nesh. Edhe sot e kujtoj atë ditë, ka qenë një nga ditët më të bukura të jetës sime, më në fund u bashkova me babain tim dhe familja jonë mund të niste një jetë normale.
Fëmijëria ka ëndrrat e saj, dhe në moshën tuaj nuk ka qenë e lehtë të ndryshosh mjedis, gjuhë e kulturë.
Cilat janë studimet tuaja dhe a plotësuan ëndrrën e Redit?
Shkollën e mesme e kam bërë në një Institut Teknik, ku u specializova si mekanik. Si suhmë djem të tjerë të huaj që jetojnë në Itali, zgjodha këtë rrugë studimesh pasi ishte një mënyrë efikasse për të pasur një vend pune pas diplomimit, në një nga fabrikat e shumta të zonës. Por shumë shpejt zbulova se ambicia ime ishte të bëja diçka tjetër në jetë.
Isha i tërhequr nga biznesi, dhe doja të bëhesha i pasur dhe vendosa të shkoja në universitet dhe të studioja Ekonomi dhe Menaxhim. Përfundova studimet bachelor në Ca ‘Foscari, Universiteti i Venecias, dhe më pas u transferova në Milano për një master në Bocconi. Milano është një qytet fantastik, Bocconi një qendër ekspertize dhe rrjetesh të pakonkurueshme në Itali. Kanë qenë dy vite në rritje intensive, ndonjëherë edhe të vështirë, në një kontekst super konkurrues, ku unë doja të dilja dhe të isha më i miri. Doja të diplomoja me notë maksimale, nuk kisha para për të paguar tarifat e universitetit dhe mënyra e vetme për të vazhduar ëndrrën time ishte të merrja notat më të larta për të mu garantuar bursa. Unë u diplomova me 110 me yll dhe fitova 3 bursa … ishte në atë moment që kuptova se në jetë mund të arrija çdo qëllim që mund ti vija vetes.