Kosova

Ivica Daçiç reagon pas vendimit për liberalizimin e vizave për serbët e Kosovës

Pas votimit masiv në Parlamentin Evropian në favor të liberalizimit të vizave për serbët e Kosovës që janë të pajisur me pasaporta ‘speciale’ të Serbisë, ka reaguar Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç.

Ai ka thënë se ky “është korrigjim i një padrejtësie 10 vjeçare ndaj tyre”.

“Mund të thuhet se qytetarët tanë që kanë vendosur të jetojnë në Kosovë, nuk kanë marrë dokumente ilegale të Kosovës sepse çështja e statusit nuk është e njohur ndërkombëtarisht. – deklaroi ministri serb duke shtuar: – Në këtë aspekt, ky është korrigjimi i një padrejtësie që ka dhjetë vjet, sepse qytetarët tanë që kishin pasaporta të lëshuara nga Administrata Koordinuese për Kosovën, nuk kishin të drejtë për të përfituar nga liberalizimi i vizave, siç kishin qytetarët e tjerë të Serbisë”.

Ai përsëriti se eshte në krye të ekipit të ekspertëve serbë që po luftojnë kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Këshilli i Evropës është një organizatë që duhet të merret me të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk mund të thuhet se nuk ka qenë edhe një organizatë politike, ka qenë e ngjyrosur politikisht gjatë gjithë këtyre viteve, por tashmë po hyjmë në fushën që shkon përtej kuadrit ligjor të Këshillit të Evropës, ku po shkelin parimet bazë mbi të cilat funksionon, kjo do të ishte hera e parë që dikush do të pranohej në atë organizatë anëtarësim pa qenë shtet” – deklaroi ministri serb.

Për faktin se 12 nga anëtarët e Këshillit të Evropës nuk e njohin Kosovën dhe Komiteti i Ministrave u bën thirrje që të votojnë pro Kosovës, ai tha se kjo është shkelje e të gjitha parimeve.

Siç shtoi ai, ata që nuk e njohin Kosovën shtet, do të votojnë pro pranimit të saj në KiE, pasi do ushtrohet mbi ta presion nga Perendimi.

I pyetur se cilat janë gjasat që Kosova të mos i bashkohet organizatës ndërkombëtare, Daçic theksoi se do të jetë një luftë e ashpër.

“Do të ketë presion të madh, sidomos nga Gjermania dhe Britania e Madhe. Prandaj duan që me çdo kusht dhe sa më shpejt të votohet pranimi i Kosovës.

E gjithë kjo është pjesë e presionit, duke përfshirë edhe përpjekjen për të hartuar një Rezoluta për gjenocidin në Kombet e Bashkuara, si dhe përpjekja për ta votuar atë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kështu që përveç Ruandës, populli serb do të ishte i vetmi i etiketuar si komb gjenocidal” – potencoi ministri serb.

TRENDING

Exit mobile version