Kosova

Izolim total/ Roth-Vuçiç-it: Letra e deputetëve s’është konspiracion

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Bundestagut Gjerman, Michael Roth, përmes një postimi në platformën sociale, X, drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se letra e politikanëve evropian nuk është një konspiracion.

Më shumë se 20 deputetë evropianë, duke përfshirë krerët e komiteteve të politikës së jashtme të disa parlamenteve kombëtare, i kanë bërë thirrje Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe liderëve të tjerë të Bashkimit Europian, që të nisin një hetim mbi akuzat për mashtrim në zgjedhjet e dhjetorit në Serbi.

Sipas deputetit gjerman, presidenti Vuçiç është totalisht i izoluar.

“Kjo nuk është as komplot dhe as fushatë socialiste. Jeni plotësisht të izoluar. 24 deputetë nga e gjithë Evropa po i bëjnë thirrje BE-së që të hetojë në mënyrë të pavarur akuzat për mashtrim dhe të bëjë rekomandime për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Serbi” – ka shkruar Roth në X.

Gjithashtu në letrën e deputetëve evropian drejtuar Von der Leyen është kërkuar që BE-ja të hetojë në mënyrë të pavarur akuzat për mashtrim zgjedhor .

“Në varësi të gjetjeve të hetimit, zgjedhjet e reja mund të jenë të nevojshme në Serbi. Qëllimi ynë i përbashkët është ta shohim Serbinë si anëtare të Bashkimit Evropian në këtë dekadë” –  thuhet në letër ndër të tjera.

 

TRENDING

Exit mobile version