Kosova

Ja kur mund të vijë njohja nga Beogradi/ Flet ish-zyrtari i lartë amerikan

Charles Kupchan, profesor universitar dhe ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, në një intervistë tha se pavarësisht pengesave të fundit, perëndimi do të vazhdojë t’i bëjë presion Prishtinës dhe Beogradit për të marrë vendimet e vështira dhe të nevojshme për zbatimin e planit të BE-së.

Kupchan deklaroi se nëse kushtetuta e Kosovës vlerëson se marrëveshja e asociacionit bie ndesh me të, atëherë do të vonohej përparimi i dialogut Kosovë- Serbi.

I pyetur rreth mundësisë së një sulmi tjetër terrorist në Kosovë, kjo pasi organizatori i sulmit të 24 shtatorit është ende i lirë, Kupchan, u shpreh se ekziston mundësia për shpërthime të mëtejshme të dhunës, mirëpo jo shpërthime sporadike.

Kupchan ka folur edhe rreth Rusisë dhe pretendimeve të perëndimit për ta larguar Serbinë nga ajo si dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme në shtetin serb.

“Plani i BE-së parasheh një sekuencë hapash, me gatishmërinë e Kosovës për të miratuar asociacionin e komunave serbe që çon në gatishmërinë e Beogradit për të “normalizuar” marrëdhëniet me Prishtinën. Njohja formale ka të ngjarë të vijë në një fazë të mëvonshme, përpara pranimit të Serbisë në Bashkimin Europian. Nëse Gjykata Kushtetuese do ta konsideronte të papranueshme projekt-marrëveshjen, ky konstatim do të zmbrapste dhe do të vononte përparimin në dialogun Kosovë-Serbi” – theksoi Kupchan.

Ai u shpreh gjithashtu se Rusia vazhdimisht po përpiqet të përfitojë nga ndarjet e brendshme në Ballkanin Perëndimor për të rritur ndikimin e saj. Megjithatë, ajo gradualisht po e humbet terrenin në rajon, edhe pse  vazhdon të ketë ndikim të konsiderueshëm në Serbi.

TRENDING

Exit mobile version