Sport

“Jemi të vendosur për t’u kthyer në ecurinë pozitive”, Ten Hag: I dimë standardet e larta të Manchester United

Mund të thuhet me plot gojë, se “Djajtë e Kuq” të Manchester United janë në krizë totale, teksa në 15 ndeshjet e fundit kanë arritur të fitojnë vetëm 7 prej tyre, teksa duhet shtuar se kanë humbur edhe dy të fundit ndaj Manchester City e Newcastle, të dyja me rezultatin e thellë, 3 me 0 dhe tanimë “pozitat” e teknikut Erik ten Hag në stolin e 20 herë kampionëve të Anglisë janë duke e “lëkundur” fuqishëm.

Përballja e radhës është transferta e “Craven Cottage”, ku ndaj vendasve të Fulham do të kërkohen me patjetër 3 pikët e arta. Siç e do zakoni para kësaj sfide tekniku holandez tha konferencën për shtyp, i vetëdijshëm për përgjegjësitë që ka mbi supe, se skuadra do ta kapërcejë këtë moment negativ.

“Të gjithë janë të vendosur për t’u kthyer në ecurinë pozitive. Lojtarët janë të fortë, dhomat e zhveshjes janë të forta dhe trajneri është i fortë. Gjatë kësaj periudhe, lojtarë kanë qëndruar pozitivë. Ata duan që të hedhin sa më parë pas krahëve këtë moment. I dimë standardet e mëdha të Manchester United. Kemi pësuar dy humbje radhazi, por do të luftojmë për t’u rikthyer aty ku na takon.

Nuk mund të thuhet që nuk kemi bërë lojë të mirë. Qëllimi ynë është i qartë, por ndonjëherë ka munguar interpretimi i saktë në fushë. Në situatën që ndodhemi, kemi shumë lojtarë të dëmtuar. Na mungon një pjesë e madhe e prapavijës dhe jemi detyruar të improvizojmë në çdo ndeshje. Kam ardhur këtu me një filozofi të qartë, të bazuar në mbajtjen e topit, por edhe me kombinimin me ADN-në e Manchester United”,- u shpreh holandezi.

TRENDING

Exit mobile version