Aktualitet

Kam fjetur në tualet/ Rrëfimi për dhunën

Dhurata ka rrëfyer historinë e jetës së saj të vështirë në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Babai i saj, një ish i burgosur për 30 vite për një vrasje, u dashurua me nënën e vajzës, e cila asokohe ishte 24 vjeç dhe vuante nga depresioni.

Kur erdhi në jetë Dhurata, prindërit nuk kishin mundësi ta mbanin dhe e lanë në maternitet vajzën e tyre të vetme dhe fëmijën e tyre të parë. Dy vite më vonë, lindi vëllai i vogël i Dhuratës, i cili po njësoj si e motra, ndenji në spital e më pas u dërgua në jetimore. Kur kujton kohët në jetimore, Dhurata nis të dridhet e të lotojë.

Ardit Gjebrea: Si ishte jeta jote aty, ma trego pak?

Dhurata: Me kujdestaren e parë që kam pasur, nuk ka qenë e mirë.

Ardit Gjebrea: Pse?

Dhurata: Kam pasur dhunë. Kam fjetur në tualet.

Ardit Gjebrea: Po pse nuk tregoje?

Dhurata: Po se na rrihte. Edhe kur kam lajmëruar drejtorin nja dy herë, kisha frikë t’i tregoja sepse kur ikte drejtori, vazhdonte avazin.

Ardit Gjebrea: Po mami me babin vinin të të shikonin ndonjëherë?

Dhurata: Vinin më shikonin, por ka pasur raste që nuk i dilja.

Ardit Gjebrea: Pse?

Dhurata: Po se s’i doja.

Dhuna nga kujdestarja vazhdoi nga klasa e parë deri në të katërtën për Dhuratën, por gjithçka ndryshoi gjatë pushimeve verore dhe për të ishte dita më e lumtur.

Dhurata: Ishim në shkollën e Marinës, bënim plazh dhe u ankuam te dy drejtorët e institucionit dhe ishte moment më i bukur i jetës time kur e larguan. Në atë moment ka qenë edhe një kujdestare që erdhi pasi u largua kujdestarja e parë, që e kam ftuar sot.

Ardit Gjebrea: Kë ke ftuar, të parën apo të dytën?

Dhurata: Të dytën.

Ardit Gjebrea: Pse nuk ftove të parën?

Dhurata: Se s’dua ta shoh me sy.

Jeta në jetimore e Dhuratës nisi të ndryshonte sapo u largua kujdestarja që e dhunonte. Së bashku me vëllain, për 4 vite, Dhurata vuajti nën një tutelë dhimbjeje e terrori. Historinë e saj e kanë ditur vetëm dy mikeshat e saj të ngushta.

Deri në moshën 18-vjeçare, me shumë përpjekje, Dhurata mundi të qëndronte në jetimore, por më pas duhej të largohej patjetër. Zgjidhja që i erdhi ishte të qëndronte me prindërit e saj, të cilët e braktisën qëkur lindi duke e lënë në maternitet. Përgjatë viteve ata e vizitonin, por Dhurata nuk kishte kurrfarë ndjesie për njerëzit që e kishin sjellë në jetë. Megjithatë, u detyrua të shkonte në shtëpinë e tyre, thotë me një buzëqeshjeje, pas të cilës lexohet dhimbja.

Ardit Gjebrea: E thua me një lloj buzëqeshjeje. Ishte e lumtur jeta me babin?

Dhurata: Tmerr. M’u shemb bota. Nuk kishte kushtet siç isha rritur.

Ardit Gjebrea: Pra, ti ishe më mirë në atë institucion sesa në shtëpi me babin?

Dhurata: Po.

Ardit Gjebrea: Si sillej babi me ty?

Dhurata: Më dhunonte. Siç sillej me mamin, që e mbante mbyllur, më mbante dhe mua.

Ardit Gjebrea: Pra ishit të dyja të mbyllura në shtëpi?

Dhurata: Po. Saqë merrja në telefon, kam pasur telefon sepse edhe studioja kur isha te prindërit sepse s’doja të shkëpusja studimet dhe nuk i shkëputa.

Ardit Gjebrea: Mami u shërua apo vazhdonte e sëmurë?

Dhurata: Jo, vazhdon akoma. Pavarësisht se babai ka ndërruar jetë, nuk jeton më.

Ardit Gjebrea: Dhuna e babait me siguri ka ndikuar edhe në shëndetin e mamit, apo jo?

Dhurata: Po.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë ti, jo vetëm që shikoje dhunën e babait ndaj nënës, por edhe ti vetë dhunoheshe.

Dhurata: Po.

Ardit Gjebrea: Cili ishte motivi që një baba mund të dhunojë një vajzë?

Dhurata: Se donte gjatë gjithë kohës që ta laja, ta pastroja, të kujdesesha për të, kupton? Unë nuk e ndieja.

Ardit Gjebrea: Shiko që të kujdesesh për prindin nuk është keq.

Dhurata: Nuk është keq, po kur ka qenë ai për mua kur kam pasur unë nevojë? Prind nuk është ai që të lind, prind është ai që të rrit.

TRENDING

Exit mobile version