Kosova

Keni ngatërruar shenjestër me Kosovën/ Eurodeputeti Reuten akuzon Bashkimin Europian

Eurodeputeti Thijs Reuten në Komitetin e Punëve të Jashtme, tha se duhet të ndërmerren veprime vendimtare kundër destabilizuesve si Aleksandër VuçiCit dhe Millorad Dodiku, si edhe ka shprehur pakënaqësi me sjelljen e Bashkimit Europian, i cili sipas tij, nuk po bën aq sa duhet për të sheshuar trazirat politike në Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu eurodeputeti holandez mendon se presidenti Vuçiç, po shkatërron rrugën e Serbisë drejt BE-së, duke refuzuar sanksionet ndaj Rusisë.

“Shumica e Parlamentit serb është shumë kritik me Bashkimin Europian. Pavarësisht kritikave të shumta që ka pasur muajt e fundit, kemi një situatë ku kemi vendosur sanksione ndaj Kosovës dhe jo ndaj agresorit, shkakut kryesor për destabilizimin dhe provokimet, që nuk i kishim parë prej shumë kohësh,” – deklaroi Reuten.

Ai, si pjesëtar i Aleancës Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve, i bëri thirrje Këshillit të Europës të aplikojë sanksione kundër Milorad Dodikut, presidentit të Republikës Srpska, entitetit serb në Bosnjë-Hercegovinë, së bashku me partnerët e tij. Politikani holandez tha se Republika Srpska po krijon në mënyrë antikushtetuese institucione paralele në mjekësi, drejtësi, mbrojtje, siguri dhe taksim.

“Nuk mendoj se na duhet një tjetër samit për të konfirmuar mbështetjen tonë të plotë për rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Na duhen veprime. Duhet t’u dërgojmë mesazhe të qarta Dodikut dhe Vuçiçit, nga njëra anë, dhe vendeve si Maqedonia e Veriut, nga ana tjetër, të cilat kanë bërë shumë dhe duan ndihmën tonë” – deklaroi Reuten.

Në një intervistë për “Al Jazeera”, eurodeputeti holandez i cili shpesh flet për sfidat me sigurinë dhe politikën në rajonin e Ballkanit, drejtoi gishtin ndaj atyre që sipas tij i shkaktojnë ato.

“Prej vitesh jam lodhur me politikën e Bashkimit Europian duke u dorëzuar para destabilizuesve si Vuçic dhe Dodik. Të dy po cenojnë qëllimisht sundimin e ligjit dhe po nxitin konflikte etnike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që mbajnë lidhje me presidentin rus Vladimir Putin. Kjo duhet të ndalet. Por kjo nuk ka për të ndodhur derisa BE-ja të heqë një vijë të kuqe të qartë, dhe jo të angazhohet në dialog që nuk sjell fryte. Deklaratat te tilla si –  ‘ne përsërisim mbështetjen tonë të plotë për rrugën europiane të Ballkanit Perëndimor’ – duhet bërë me njëfarë përgjegjësie. Duhet t’i vendosim fjalët në praktikë dhe të bëjmë diçka,”  – u shpreh Reuten.

TRENDING

Exit mobile version