Politike

Kërkesa e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta drejtuar Komisionit të Venecias.

Drejtuar: Z. GIANNI BUQUICCHIO

PRESIDENT I KOMISIONIT TË VENECIAS
STRASBURG, FRANCË

I nderuar President Buquicchio,
Faleminderit për angazhimin tuaj personal dhe mbështetjen e Komisionit të Venecias për forcimin
e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Shqipëri, për gati tre dekada.
Që nga Opinioni i fundit i Komisionit të Venecias për Shqipërinë nr. 978/2020, “Për Emërimin e
Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese”, për fat të keq nuk pati reflektim apo ndjekje të
rekomandimeve tuaja.
Për më tepër, një Gjykatë Kushtetuese jo-funksionale për më shumë se 31 muaj, një Gjykatë e
Lartë jo-funksionale, një krizë e përfaqësimit sui generis – me Qeverinë, Parlamentin, të gjitha
Bashkitë dhe Këshillat Bashkiakë në duart e një force të vetme politike, duke përfshirë pothuajse
të gjitha organet e pavarura, ka ndikuar në vend duke sjellë ç’ekuilibrimin total të mekanizmave
të kontrollit dhe balancës.

Më 25 Prill 2021, Shqipëria do të mbajë zgjedhjet e përgjithshme. Palët e interesuara politike duhet
të binin dakord mbi reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe
shumë kohë përpara këtyre zgjedhjeve. Si President i Republikës, unë kisha një pritshmëri
legjitime që reforma zgjedhore do t’i nënshtrohej një debati gjithëpërfshirës dhe konstruktiv që të
reflektonte konsensusin politik ndërpartiak.

Megjithëse një paketë konsensuale e reformës zgjedhore u kodifikua në Parlamentin Shqiptar më
23 korrik 2020, shumica socialiste e vrau këtë reformë me ndryshimet pasuese të njëanshme
Kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor, përkatësisht më 30 korrik dhe 5 tetor 2020.
Rrethana të tilla më detyrojnë mua të kërkoj një opinion urgjent të Komisionit të Venecias duke
adresuar 8 (tetë) pyetje në lidhje me këtë proces. Unë jam i sigurt që zyra juaj e mirë do të na
sigurojë një udhërrëfyes në funksion të sigurimit të garancive minimale dhe standardeve
ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

I nderuar Z. President,

Presidenti i Republikës, përsërit shqetësimin e tij se miratimi i njëanshëm dhe i nxituar i ligjeve
themelore që rregullojnë jetën e vendit siç janë Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor, ka potencialin për
dëmtimin e procesit zgjedhor dhe funksionimin e institucioneve demokratike në vend.
Presidenti i Republikës, pas paraqitjes së një kërkese zyrtare të Opozitës së Bashkuar dhe në
funksion të shmangies së një krize tjetër zgjedhore në Shqipëri, për të kontribuar në legjitimitetin
dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor, me qëllim që të sigurohen standardet minimale
ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme, veçanërisht në një situatë ku sistemi i kontrollit
dhe balancës është totalisht jofunksional, i prirur drejt autoritarizmit, po u drejtohet praktikave të
mira të Komisionit të Venecias me një kërkesë për të dhënë në kushte urgjente një Opinion për
pyetjet e mëposhtme:

1. A mund të ndryshohen në mënyrë të njëanshme rregullat themelore që rregullojnë
konkurrencën zgjedhore, veçanërisht rregullat në lidhje me transformimin e votave në
mandate midis konkurrentëve, pasi të ketë filluar procesi zgjedhor, dhe vetëm 6 muaj para
datës së zgjedhjeve? Sa e rëndësishme është qëndrueshmëria e legjislacionit zgjedhor dhe
njohja e ligjit nga konkurrentët zgjedhorë mjaftueshëm kohë përpara zgjedhjeve, për vet
cilësinë dhe besueshmërinë e zgjedhjeve?

2. Nëse rregullat, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me transformimin e votave në mandate midis
konkurrentëve, ndryshohen në mënyrë të njëanshme dhe shumë afër datës së zgjedhjeve, në
mënyrë që të sigurojnë avantazh për partinë që ka paraqitur ndryshimet, a dëmtojnë ose
ndikojnë këto ndryshime parimet e qëndrueshmërisë së ligjit, sigurisë juridike dhe rregullave
të barabarta të lojës (konkurrimit), të cilat janë kyçe për të përmbushur angazhimet e OSBEsë për zgjedhje demokratike? A e komprometojnë këto ndryshime procesin zgjedhor ? A e
kompromentojnë ato gjithashtu stabilitetin politik nëse bëhen në kundërshtim me konsensusin
e 24 janarit dhe 5 qershorit të arritur nga shumica e partive politike?

3. A shkelet përfundimisht parimi i garancive procedurale nëse ndryshime të tilla në ligjin
zgjedhor të miratuara njëanshmërisht dhe me nxitim bëhen në mungesë të një Gjykate
Kushtetuese funksionale e cila mund të kontrollojë pajtueshmërinë e tyre me Kushtetutën dhe
me standardet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut?

4. Ndërsa ndryshimet e njëanshme në Kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor të 30 korrikut dhe 5 tetorit
nuk ishin pjesë e rekomandimeve të hershme të OSBE/ODIHR për Shqipërinë, a është
procedura urgjente një motiv i ligjshëm për të justifikuar ndryshimet e njëanshme nga një
Parlament i kontestuar, që nuk ka kuorumin kushtetues prej 140 deputetësh? A kishte ndonjë
nevojë shtrënguese sipas standardeve ndërkombëtare për t’i modifikuar ato në mënyrë të
njëanshme?

5. A është dispozita e futur rishtazi në Kodin Zgjedhor, për të drejtën e Kryetarit të një partie
politike për të kandiduar në 4 qarqe zgjedhore, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe
veçanërisht me parimin e mos-diskriminimit midis kandidatëve dhe votuesve?

6. A e pengojnë rregullat aktuale në fuqi6
, për mbledhjen e votave dhe shndërrimin e tyre në
mandate midis konkurrentëve, veçanërisht ato në lidhje me koalicionet zgjedhore dhe
formulën përkatëse për ndarjen e mandateve, futjen e listave të hapura për përzgjedhjen e
kandidatëve nga votuesit? Në rast se legjislacioni miraton listat e hapura, ndërsa mekanizmi
ekzistues i koalicioneve zgjedhore dhe formula përkatëse për ndarjen e mandateve për
koalicionet mbeten ashtu siç janë aktualisht në fuqi, a do të ishte legjislacioni përkatës shqiptar
në përputhje me angazhimet e OSBE-së?

7. A i dëmton të drejtat e partive politike dhe elektoratit të tyre, imponimi i njëanshëm i
ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në lidhje me koalicionet parazgjedhore për të kandiduar me
një listë unike? (vota e barabartë e kandidatëve të partive të ndryshme politike brenda një
koalicioni; e drejta e përfaqësimit ligjor për të mbrojtur interesin e tyre gjatë procesit
zgjedhor; e drejta për kohën e transmetimit dhe qasja në media; e drejta e përfaqësimit në
komisionet vendore zgjedhore; e drejta dhe transparenca e financimit)?

8. Duke patur në konsideratë situatën, cila do të ishte një zgjidhje e pranueshme për të siguruar
një proces zgjedhor në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet europiane për
zgjedhje demokratike dhe të dakordësuara nga të gjithë aktorët kryesorë politikë dhe subjektet
zgjedhore, në mënyrë që të shmanget një krizë tjetër zgjedhore dhe politike?

Duke shprehur konsideratën më të lartë për Komisionin e Venecias dhe ekspertët e tij, për rolin
thelbësor që Komisioni i Venecias ka luajtur në hartimin e Kushtetutës Shqiptare të vitit 1998 dhe
të modifikimeve të vitit 2016, ju kërkoj me mirësjellje Z. President Buquicchio të gjeni, sa më
shpejt të jetë e mundur, mënyrat e përshtatshme për të dhënë një opinion i cili mund t’u përgjigjet
pyetjeve të mësipërme dhe të ofrojë shanset që zgjedhjet e përgjithshme 2021 në Shqipëri të
organizohen në një klimë kushtetutshmërie, legjitimiteti dhe me pjesëmarrjeje demokratike.

Me konsideratën më të lartë,

PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version