Kosova

Kisha besim të madh, por…/ Miku i Kosovës tregon fokusin e përqëndrimit

Ish-përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Kosovën, Peter Feith, ka thënë se kishte pritshmëri më të mëdha për shtetin më të ri demokratik të krijuar në Ballkan, Kosovën.

Ai është shprehur se priste që elita politike të bëhej bashkë për të krijuar një plan afatgjatë dhe afatmesëm për ecurinë e vendit, e jo të kishin kaq shumë mosmarrëveshje mes tyre.

Sipas tij, tashmë Kosova do duhet të ndalet në tri pika kryesore në mënyrë që të ecë përpara, pika këto që kanë të bëjnë me unitetin politik, normalizimin e situatës pas luftës dhe mbajtjen pranë të aleatëve dhe miqve. Feith ka thënë gjithashtu se nuk sheh vullnet politik për të rënë dakord mbi prioritetet e vendit.

“Mendoj se institucionet në Kosovë po funksionojnë mirë, por ajo që unë shpresoja është se liderët politikë do bëheshin bashkë. Koha e shpenzuar me mosmarrëveshje mund të kishte qenë kohë e harxhuar në përfitim të Kosovës” –  ka deklaruar ish-përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Kosovën.

“Pika e dytë, është se normalizimi i situatës pas luftës nuk është arritur plotësisht. Por për tango duhen dy. Kosova nuk është e vetmja, nuk po shikojmë mjaftueshëm hapa drejt pajtimit dhe Kosova ende kontestohet nga Serbia, dhe ky është një lloj zhgënjimi për mua” – theksoi  Feith

Sipas tij, në kontekstin dramatik të zhvillimeve gjeopolitike, me influencën që vjen nga Rusia dhe me luftën që po zhvillohet në Ukrainë, prej së cilës po kërcënohen të gjitha palët, duhet të jemi të qartë se Kosova nuk është në top listën e prioriteteve të kancelarive ndërkombëtare sikurse ishte 16 vite më parë.

Vëmendja gjithashtu është edhe në Amerikë ku zgjedhjet po afrohen dhe në pushtet mund të vijë Donald Trump, teksa dhe në pranverë do zhvillohen edhe zgjedhjet për Parlamentin Europian, dhe ka pritshmëri se partite e ekstremit të djathtë të shtojnë prezencën e eurodeputetëve të atij krahu.

Sa për sanksionet ndaj Kosovës, Peter Feith u shpreh se janë të panevojshëm dhe duhet të hiqen, por “Qeveria e Kosovës duhet të veprojë”.

Kujtojmë se në një tjetër reagim më herët, ish-përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Kosovën, i ka sugjeruar qeverisë Kurti që në këtë periudhë të mos bëjë gabime të panevojshme, duke pasur parasysh zhvillimet gjeopolitike.

“E dimë pozicionin e Serbisë ndaj luftës në Ukrainë dhe miqësinë e tij me Putinin, e cila nuk është e mirë pranuar në Bruksel. Vuçic nuk është duke bërë hapa drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës, por mendoj edhe se  qasja e Kurtit në dialog ka qenë më nacionaliste krahasuar me liderët e kaluar, por duhet thënë se është treguar edhe konstruktiv” –  ka deklaruar Feith

“Pritshmëritë s’janë shumë pozitive, por s’ka arsye për panik, apo të mendohet se BE-ja do ta ndryshojë pozitën ndaj Kosovës. Vlerësoj se Lajçak ka shfaqur energji të madhe në shtyrje para të procesit. Nëse nuk ka patur shumë progres deri tani, nuk mund të fajësojmë atë” – ka deklaruar Feith

TRENDING

Exit mobile version