Rajon

Kisha Serbe që rrëzoi dy pushtete në Malin e Zi

MALI I ZI– Pas gati një dekade negociatash të pasuksesshme të qeverive të mëparshme, Dritan Abazoviç nënshkroi Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe. Marrëveshja është kundërshtuar prej kohësh nga partia më e madhe në qeveri, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), e drejtuar nga presidenti malazez Milo Gjukanoviç, i cili hoqi dorë nga mbështetja kundrejt Abazoviç menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, duke bërë thirrje për mbajtjen e një mocioni mosbesimi kundër tij. Konflikti me Kishën Orotdoske Serbe solli dhe rrëzimin e partisë së Gjukanoviç nga pushteti.

Gjukanoviç rikujtoi rezolutën e miratuar në Parlamentin Evropian, për të bazuar qëndrimin dhe kritikën e tij ndaj këtij institucioni fetar. Sipas rezolutës së miratuar nga Parlamenti Evropian, Kisha Ortodokse Serbe është promovuese e deklaratave pro-ruse dhe anti-evropiane dhe po shkakton përçarje etnike.

“Ky institucion duhet të rikonstruktohet tërësisht. Të gjithë e dimë se priftërinj të Kishës Ortodokse Serbe merrnin pjesë në fushata të shumta ushtarake anembanë ish-Jugosllavisë. Ata janë mbështetës e madje edhe aktor të krimeve të kryera, dhe besojnë se veshja e priftit mund t’i mbrojë,”- ka deklaruar për mediat vendase Presidenti i Malit të Zi.

Pas këtyre deklaratave reagoi Kisha Ortodokse serbe duke e cilësuar Gjukanoviçin, “ateist të deklaruar” dhe kërkoi që presidenti malazez të mbajë përgjegjësi penale për këto deklarata.

Kisha Ortodokse Serbe është konsideruar si ‘shtylla kurrizore’ e politikës serbe e në Mal të Zi njihet si subjektivitet juridik nga viti 1219, ndërsa në Serbi subjektiviteti i saj juridik njihet nga viti 1836. Për pasojë, Mali i Zi njeh vazhdimësinë ligjore të kishës që nga viti 1219, gjashtë shekuj më shumë se Kisha Ortodokse Serbe në Serbi.

Sipas marrëveshjes, Kisha Ortodokse Serbe e detyron qeverinë malazeze të njohë imunitetin diplomatik apo të drejtat ekstraterritoriale të institucioneve të Kishës Ortodokse Serbe në vend, gjë që i përjashton ato nga juridiksioni/ligjet lokale. Shteti malazez i garanton Kishës Ortodokse Serbe se organet shtetërore nuk mund të marrin masa të sigurisë në objektet dhe hapësirat e saj, pa miratimin paraprak të organeve përgjegjëse të Kishës, përveç kur bëhet fjalë për mbrojtje urgjente të jetëve dhe shëndetit.

Qeveria është e detyruar të regjistrojë të gjithë kishat ortodokse në vend nën juridiksionin e Kishës Ortodokse Serbe dhe të nisë procesin e pagesës së dëmshpërblimit për të gjithë ndërtesat e konfiskuara nga regjimi komunist pas Luftës së Dytë Botërore. Marrëveshja përcakton që Kisha Serbe nuk ka nevojë të marrë leje nga qeveria malazeze për të lëvizur objekte të trashëgimisë kulturore të cilat janë të regjistruara nën pronësinë e saj.

Gjithashtu, ajo i jep Kishës Ortodokse një status juridik i cili në disa zona, parashikohet të jetë i njëjti me atë të institucioneve qeveritare. Marrëveshja parashikon mundësinë e shtrirjes së mësimeve fetare në shkolla publike dhe kontrollit dhe aprovimit të tyre vetëm nga Kisha Serbe.

Përveç kësaj, autoritetet shtetërore nuk mund të ndërmarrin masa sigurie në ndërtesat e kishave pa miratimin paraprak të autoriteteve kompetente të kishës, kurse shteti ka marrë përsipër të regjistrojë pronat e paluajtshme të paregjistruara në pronësi të dioqezave të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.

Problemi kryesor me vendosjen e një sasie kaq të madhe pushteti në duart e një kishe të vetme (asaj Serbe) është fakti që komuniteti ortodoks në Mal të Zi nuk i takon vetëm drejtimit serb.

Në fakt, sipas censusit të vitit 2011, 72% e popullsisë malazeze identifikohen si të Krishterë Ortodoks – prej të cilëve, rreth 70% identifikohen si pjesëtarë të Kishës Ortodokse Serbe, që do të thotë se pjesa e mbetur, 30% identifikohen me ‘rivalen’ e saj, Kishën Ortodokse Malazeze.

Më pas muslimanët përbëjnë një tjetër 20% të popullsisë dhe katolikët apo fetë e tjera, përqindjen e mbetur.

Mali i Zi ka nënshkruar disa ‘marrëveshje themelore’ më parë, me komunitetet më të vogla fetare si me Kishën Katolike në vitin 2011 dhe me Komunitetet Muslimane dhe Hebreje në vitin 2012.

Marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe u nënshkrua me mbështetjen e 13 ministrave nga koalicioni i Dritan Abazovic, partisë socialiste pro-serbe si dhe partive shqiptare. 5 ministra nga partia DPS, Partia Boshnjake dhe Iniciativa Qytetare Kroate votuan kundër ndërsa 3 abstenuan. Kjo firmosje paralajmëroi dhe fundin e Abazoviç.

Zëvendëskryeministri Rashko Konjeviç tha se qeveria e Abazoviç po humb shumicën parlamentare që e ka mbështetur deri më tani.

Mijëra qytetarë u mblodhën në Podgoricë për të protestuar kundër nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje. Protestuesit mbanin flamujt kombëtarë, të Bashkimit Evropian si dhe pankarta ku shkruhej se kryeministri Abazoviç, “do të përgjigjej për keqbërjet e tij”; “Serbia po gllabëron Malin e Zi, do të jetë një luftë e vazhdueshme”, “Abazoviç, kishat na i morët me ligj dhe tani me marrëveshjen doni të na merrni ekzistencën dhe shpirtin”.

Tensionet vijuan ditë pas dite deri në rrëzimin e qeverisë. Iniciativa për rrëzimin e Qeverisë u prezantuar nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, dhe një pjesë e partive në tjera në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Abazoviçit për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe. Pas dymbëdhjetë orë diskutimi, Qeveria është rrëzuar me 50 vota pro dhe një kundër.

Për rrëzimin votuan deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviçit, Demokratët e Aleksa Beçiqit, Partisë Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partisë Boshnjake, Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve dhe Malit të Zi të Vërtet. Deputetët e Frontit Demokratik pro-Serb, Partisë Popullore Socialiste dhe Lëvizjes Qytetare URA të Abazoviçit nuk morën pjesë në votim.

Abazoviç u përpoq të parandalonte rënien e Qeverisë duke u ofruar partive opozitare që të ristrukturojnë së bashku Qeverinë, gjë që nuk kaloi. Para votimit, në fjalën përfundimtare, ai tha se kjo është vetëm një nga betejat politike dhe se të gjithë së shpejti do të takohen në zgjedhje. Rrëzimin e qeverisë, Abazoviç ia faturoi ‘tentakulave’ të krimit që sipas tij komandojnë ende në Malin e Zi. Gjatë fjalës së mbajtur prej tij, Abazoviç u shpreh se ajo që po ndodh sot është një aksion i organizuar që kërkon destabilizimin e shtetit. Ai hodhi akuza të forta ndaj presidentit të vendit njëherazi dhe kreu iDPS-së si organizator të kësaj që po ndodh duke e akuzuar se mbrohet nga njerëz të armatosur e kriminelë.

Ç’do të ndodhë tani?

Qeveria e Abazoviqit u zgjodh më 28 prill. Ajo tani mbetet në mandatin teknik derisa të zgjidhet e reja. Rënia e Qeverisë nuk do të çojë automatikisht në zgjedhje të parakohshme, sepse kushti për këtë është shkurtimi i mandatit të Kuvendit ose shpërndarja e tij, gjë që nuk është iniciuar deri më tani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version