Aktualitet

Kjo është e dhimbshme/ Deklarata e fortë e publicistit Nela

Ditë më parë, mediumi amerikan, Fox News permes një shkrimi, analizoi vizitën e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen në rajonin e Ballkanit, gjatë së cilës sipas mediumit ajo lëshoi një paralajmërim të ashpër.

Von der Leyen tha se Serbia duhet ta njohë ‘de facto’ Kosovën si një komb të pavarur dhe Kosova duhet të lejojë autonomi për serbët etnikë në veri, ku ata përbëjnë shumicën.

Kërkesa për autonomi të serbëve në Kosovë nxiti reagime të ashpra, ku për këtë u hodhën dyshime të mëdha. Kjo pasi, deklarata vjen pas pranimit të draft-statutit të Asociacionit nga Kosova e Serbia, e që i cili po mbahet ‘sekret’ me ‘urdhër’ të përfaqësuesve evropianë. Për këtë temë, ka mbajtur një qëndrim edhe publicisti shqiptar, Milaim Nela.

Fillimisht, ai tha se agresioni në Banjskë të Zveçanit është harruar nga ndërkombëtarët, dhe ata tani gjithë vëmendjen e kanë drejtuar nga Asociacioni, teksa kujtoi se prej disa ditësh në media qarkullojnë disa drafte.

“Tanimë nuk flitet më për agresionin ushtarak të sponsorizuar nga Serbia më 24 shtator në veriun e Kosovës. Po ashtu përpos kësaj nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin e Bashkimit Europian ndaj Kosovës dhe sanksionet vazhdojnë. Aleksander Vuçiç pritet në takime dhe forume ndërkombëtare sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe sikur fajtori për tensione mes dy vendeve ballkanike nuk është Serbia por është Kosova që në realitet është viktima” – deklaroi publicisti.

Krahas kësaj, Nela u shpreh se nuk e kupton se si Kosova pranon të dialogojë me Serbinë, kur presidenti Vuçiç dhe kryeministrja Brnabiç, në vazhdimësi deklarojnë se nuk e njohin Kosovn si shtet të pavarur.

“Ata të dy nuk lënë dalje publike pa deklaruar se Serbia në asnjë rrethanë dhe asnjëherë nuk do ta njohë Kosovën shtet dhe bëjnë presion për implementimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, pikë kjo që artikulohet me shumë forcë nga autoritetet serbe dhe negociatoret ndërkombëtare Borrel e Lajçak. Unë nuk arrij ta kuptoj se si Kosova dhe autoritetet e saj pranojnë të ulen në dialog dhe negociata me Serbinë dhe ndërkombëtaret për normalizim marrëdhëniesh mes dy vendeve, përsa kohë që Serbia ka në preambulën e saj Kosovën si pjesë integrale të shtetit serb!”- theksoi publicist Nela

Duke përmendur disa drafte të Asociacioneve që po qarkullojnë në media, dhe teksa qeveria e Kosovës ende nuk ka publikuar zyrtarisht asnjë draft për këtë çështje, Nela tha se ka shumë djallëzi mbi raportimet, pasi po zbutet termi kompetenca ekzekutive në vetëmenaxhim. Ndërkohë një gjigant mediatik amerikan shkruan që statuti i ri i Asociacionit ka autonomi substanciale për Serbët e këtyre komunave. Një variant që kam lexuar unë ka elemente të një entiteti të pavarur pavarësisht disa kufizimeve apo kontrolli që ata përpiqen tja veshin zyrës së Kryeministrit të Shtetit të Kosovës. Pastaj, me shumë djallëzi, termi kompetenca ekzekutive përdoret për t’u dukur i zbutur dhe ka zëvendësuar fjalën “vetëmenaxhim”. Kush vetëmenaxhohet?… sheti i pavarur sigurisht!” – nënvizoi Nela.

Gjithashtu, ai tha se është e dhimbshme që tani nuk diskutohet a do ketë Asociacion, por si do duket ai, dhe për këtë, fajësoi politikanët e opozitës.

“Tani nuk shtrohet më çështja a duhet të ketë asociacion apo jo, që për mua, siç e kam thënë në të shkuarën, është vrasës i pavarësisë së Kosoves, por si do jetë ai. Kjo është e dhimbshme. Ndërkohë politikanë naivë apo të shantazhuar të opozitës kosovare, vazhdojnë melodinë e vjetër se “Kosova e ka detyrim asociacionin”!

Ndërkohë Kuvendi i Kosovës dhe opozita vazhdojnë të thonë që nuk kanë asnjë dijeni as për detajet e bisedimeve e as për draft statutin e Asociacionit. Për një çështje kaq të rëndësishme të fateve të shtetit të Kosovës të paktën elita politike dhe Kuvendi i Kosovës duhet me patjetër jo vetëm të kishin dijeni por të kishte një debat me themel rreth kësaj çeshtje. Fakti që drafti mbahet sekret, do të thotë që në ato bisedime apo draft statut ka lëshime nga ana e Kosovës. Të paktën kjo është logjika dhe frika dhe dyshimi ynë” – vlerësoi publicist, duke kërkuar të ketë marrëveshje mes pozitës dhe opozitës për çështje jetike të Kosovës, siç është rasti i Asociacionit.

“Askush veç Kosovës nuk do t’i mbrojë interesat e saj. Qoftë edhe miqtë e medhenj të Kosovës si SHBA nuk do ta bëjnë këtë gjithmonë sepse ata kanë interesa gjeostrategjike që jo gjithmonë përputhen me interesin kombëtar të shqiptarëve” – deklaroi Milaim Nela

 

 

TRENDING

Exit mobile version