Politike

Kjo Infrastrukturë arsimore do të jetë model në gjithë Shqipërinë

Kopshti “Lidhja e Prizrenit” në Paskuqan do të jetë kopshti model, jo vetëm për zonën, e cila për herë të parë po përfiton një investim të tillë në arsimin parashkollor, por për të gjithë Shqipërinë. Mbi karakatinën e dikurshme, të shembur plotësisht nga tërmeti, po ngrihet nga themelet infrastruktura moderne 5 herë më e madhe në sipërfaqe.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Kamëz për të parë nga afër ecurinë e punimeve, të cilat parashikohet të përfundojnë në gjysmën e dytë të dhjetorit.

“Ka rreth 4 muaj që ka filluar puna. Ky kopësht sot është 5 herë më i madh sa kopshti ekzistues, i cili u prish nga tërmeti. Po punohet me një cilësi të jashtëzakonshme. Kemi një ambient goxha të madh edhe jashtë kopshtit për rreth 224 fëmijë. Fatmirësisht, për herë të parë, Kamza do të ketë një kopësht model, me ushqim, tavolinat e ngrënies,  tavolinat e mësimit dhe bibliotekën,” – detajoi investimin Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, i cili theksoi se  në 30 vjet bashkia e Kamzës nuk ka patur kurrë një objekt të tillë arsimor, ashtu siç fëmijët e meritojnë. “Banorët janë shumë të kënaqur nga ky investim. Është projekti më model që po implementohet në njësinë Paskuqan.”

Punimet janë drejt fundit dhe së shpejti do të bëhet pajisja me bazën materiale. Duke përgëzuar për punën cilësore të realizuar nga kompania ndërtuese, Kryeministri Rama u shpreh edhe lidhur me elementë të veçantë të projektit.

 

***

 

Në Kamëz, pjesë e Programit të Rindërtimit është edhe shkolla  “Jashar Hoxha”, e cila po ngrihet mbi goditjen që pësoi natën e 26 nëntorit, por edhe degradimit nga mungesa e mirëmbajtjes që prej ndërtimit 22 vjet në parë, më e madhe, më e bukur dhe më e fortë.  Kryetari i Bashkisë Rakip Suli tha se shkolla e re do t’u ofrojë 1050 nxënësve të saj, përveç ambienteve mësimore të cilësisë së lartë, klasa dhe laboratorë, edhe terrene sportive të jashtme, çka u ka munguar deri më tani. “Terreni sportiv [do të jetë] aty  ku kanë qenë ferra. Një investim i jashtëzakonshëm.”

Jo vetëm godina do të jetë tërësisht e re, tha kryebashkiaku Suli, por edhe baza materiale, për të cilën Ministria e Arsimit po punon paralelisht për ta pajisur menjëherë pas përfundimit të ndërtimit.  “Infrastruktura arsimore në Bashkinë e Kamzës do të jetë model në gjithë Shqipërinë. Jemi fokusuar tek pjesa e arsimit, pasi nuk është vënë dorë prej 30 vitesh,” – tha Suli, ndërsa shtoi se janë edhe disa shkolla e kopshte të tjera në proces në këtë Bashki.​

Rilindja urbane e Kamzës vijon në lagjen e vjetër të pallateve me silikat, ku Kryeministri i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Kamzë panë nga afër punimet që po bëhen për rikualifikimin urban të të gjithë zonës, e lënë në harresë prej dhjetëvjeçarësh. Pallatet e kësaj lagje po sistemohen, si dhe infrastruktura lidhëse është duke u rikualifikuar për t’i dhënë një cilësi jete më të mirë banorëve të saj.
“Ky investim i vjen në shërbim rreth 7000 banorëve”, – tha kryebashkiaku Suli, i cili shtoi se këtu nuk ishte vënë dorë që nga vitet ’90-të. Gjithashtu, infrastruktura nëntokësore është duke u sistemuar me kanalizimin e ujërave të zeza, si dhe rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm, për të garantuar furnizim me ujë në çdo moment të ditës.
Projekti i urbanizmit për këtë lagje pritet të rrisë vlerën e apartamenteve. “Të gjitha janë bërë me sistemin kapot. Deri pak kohësh këtu kanë qenë ferra dhe mbeturina. Është bërë sistemimi i fasadave, rikualifikimi urban, janë planifikuar parkime mes pallateve, lulishte të vogla, si dhe një treg që do t’i shërbej lagjes”, – tha Suli.
Kryeministri vlerësoi punën e bërë në këtë bashki me sistemimin urban që po i bëhet jo vetëm kësaj lagjeje, por gjithë bashkisë në tërësi.
“Çdo apartament këtu sot kushton më shtrenjtë. Minimumi është rritur vlera e apartamenteve 20-30 %”, – nënvizoi kreu i Bashkisë Kamëz.​

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version