Politike

Kjo zonë do jetë një pol zhvillimi për gjithë qytetin

Në zonën 1 në qendër të Laçit ka nisur ngritja e kolonave të pallateve të reja, ndërsa infrastruktura për zonën 2 po ecën me ritme të shpejta. Me përfundimin e këtyre dy lagjeve të reja, jeta e banorëve që humbën shtëpitë e tyre në tërmetin e nëntorit të shkuar do të rinisë në banesa më të forta e më të bukura.
Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj dhe nga kryebashkiakja e Laçit Majlinda Cara inspektuan punimet në dy zonat e reja të ndërtimit ku punohet ditë e natë që banorët të akomodohen në shtëpitë e tyre të reja sa më shpejt.
Infrastruktura e re parashikon edhe zgjidhjen e problemit të përmbytjeve nga përroi i Laçit, një problem shumëvjeçar i banorëve të Kurbinit.
Paralelisht po punohet për pallatet e reja, spitalin e ri, godinën e re të bashkisë dhe mjediset sportive e rekreative që do të ndryshojnë faqen e këtij qyteti, bashkë me cilësinë e jetës për 800 familje të prekura nga tërmeti i vitit të shkuar.
“Janë gati 400 vende parkimi dhe 524 apartamente” – u shpreh ministri Ahmetaj, ndërsa përveç apartamenteve dhe banesave individuale në Laç do të ndërtohen edhe 4 shkolla dhe 2 kopshte të reja. Kryebashkiakja Cara tha se kjo zonë “do jetë një pol zhvillimi për gjithë qytetin”.
Puna në Laç vijon edhe me meremetimin e ambienteve të përbashkëta të pallateve të dëmtuara. Të gjitha banorët e dëmtuar në Bashkinë Kurbin e kanë marrë edhe pagesat e dëmshpërblimeve, sipas kategorisë së dëmeve të shkaktuara 26 nëntorin e vitit të kaluar.​

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version