Kronike

Kokaina në Korçë/ Arrestohen tregtarët e natës

Pas një hetimi një mujor, dy persona janë vënë në pranga nga Policia e Korçës, pasi shpërndanin kokainë në qytet. Në kuadër të operacionit “Night Sales 5”, u arrestuan Ilirjan Bardhushi dhe Lajdon Lamllari.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, bazuar në inteligjencën informative se dy shtetas në qytetin e Korçës, shpërndanin në qytetin e Korçës, droga të forta në doza të vogla, si edhe posedonin armë të ftohta në banesat e tyre, pas 1 muaji hetime në drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin e koduar “Night sales 5”. Si rezultat i këtij operacioni u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit:

-I. B., 55 vjeç, banues në fshatin Ravonik, Korçë dhe L. L., 35 vjeç, banues në Korçë.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin E. Ll., 41 vjeç, banues në fshatin Ravonik.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e shtetasve I. B. dhe L. L., gjetën rreth 500 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, një pjesë e saj e ndarë doza, 2 peshore elektronike, mjete që shërbenin për ndarjen e lëndës narkotike në doza, shuma parash në valuta të ndryshme, të dyshuara të përfituara nga veprimtaria kriminale, 1 bajonetë metalike, 1 thikë, 1 automjet tip “Nissan” dhe 4 celularë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. Ll., pasi kishte dijeni për veprimtarinë kriminale që ushtronin 2 shtetasit e tjerë, por nuk ka kallëzuar në organet e rendit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Korçë, për veprime të mëtejshme.

TRENDING

Exit mobile version