08/06/2021 , 9:32

Kolegji Zgjedhor shqyrton sot kërkesën e PD për përjashtimin e 7 gjyqtarëve, Logu: Mbledhje me urgjencë të paparë

TIRANË– Kolegji Zgjedhor ka vendosur të shqyrtojë kërkesën e Partisë Demokratike për përjashtimin e 7 gjyqtarëve (nga tetë). Ka qenë përfaqësuesi i PD-së, Marash Logu i cili ka bërë me dije se mbledhja është parashikuar të nisë në orën 08:30, duke e quajtur si “urgjencë të paparë”.

“Me urgjencë të paparë, sot në 08:30, Kolegji Zgjedhor ka vendosur të shqyrtojë kërkesën e Partisë Demokratike për përjashtimin e 7 gjyqtarëve (nga tetë) për shkak të cënimit të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Shpresoj shumë që 7 gjyqtarët e Kolegjit nuk do t’i shkojnë deri në fund paligjshmërisë, duke gjykuar vetë mbi një kërkesë për përjashtimin e tyre (gjyqtarë të vetes). Ky do të ishte një akt unik në historinë e jurisprudencës botërore”, shkruan Logu.

Partia Demokratike kërkon përjashtimin e 7 nga 8 gjyqtarët e Kolegjit nga procesi i shqyrtimit të padive të saj për zgjedhjet e 25 prillit, pasi kanë vulosur rezultatin në 3 qarqe të vendit në Berat, Vlorë e Gjirokastër. PD kërkon përjashtimin e gjyqtarëve Alma Kolgjoka, Asim Vokshi, Emona Muçi, Esmaralda Çika, Gentjan Medja e Manjola Xhaxho dhe Sokol Ibi. Në një kërkesë drejtuar Kolegjit Zgjedhor, PD pretendon se këta gjyqtarë nuk garantojnë paanshmëri në gjykim për 6 paditë e tjera që pritet të shqyrtohen brenda këtyre ditëve.

Kujtojmë se 8 gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor u përzgjodhën me short, ku emrat e pretendentëve u futën në gogla dhe u tërhoqën një e nga një përpara kamerave, përfaqësive politike, gjyqtarëve e ndërkombëtarëve. Në total ishin 16 kandidatë, mes të cilëve, u përzgjodhën vetëm 8.

 

Related Posts

Kategorite

BIoscalin