Politike
Komisioni i “TIMS”/ Drejtoresha e Krimit Kibernetik pranon se është punësuar me mik
Gazetarja Nevila Dervishi, ka zbuluar në një intervistë për Euronews Albania, dëshmitë e dhëna nga personat që rekrutoi Ervin Muça, Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionit, personi i cili dyshohet se ndërhyu në sistemin TIMS, më datë 2 gusht të vitit 2023
Dervishi, zbuloi se në mbledhjen me dyer të mbylla të Komisionit Hetimor për Tims, Besjan Tanuzi, personi që Ervin Muça rekrutoi si Drejtor në Drejtorinë e Sistemeve në Departamentin e IT në Policinë e Shtetit, ia ka lënë përgjegjësinë këtij të fundit.
Tanuzi tha se nuk ishte në dijeni të çfarë mund të ketë ndodhur dhe shtoi se ka zbatuar vetëm detyrat e dhëna nga drejtori i tij Ervin Muça.
“Kemi dhe Besjan Tanuzi, i cili është dhe ish-Drejtori i Sistemeve në Policinë e Shtetit që është pjesë e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit. Ky personazh është emëruar dhe është futur në drejtorinë e Policisë së Shtetit në departamentin e Teknologjisë dhe Informacionit të Policisë së Shtetit me propozimin e Ervin Muçës, pra ka sjellë shokun e tij, siç ndodh rëndomtë. Ka qëndruar 1 muaj në detyrë, në periudhën që është bërë ndërhyrja. Më 2 gusht u godit TIMS-i, pasi një muaji zotëria ka dhënë dorëheqjen.
Gjithçka që ka thënë, ja ka lënë përgjegjësinë Ervin Muçës, duke thënë se “kam zbatuar urdhërat që ka dhënë eprori im”. Përgjegjësia sipas tij është e Ervin Muçës”, tha Dervishi.
Gazetarja zbuloi dhe dëshminë e Ervina Gjanës, personit që dyshohet se u rekrutua si Drejtore e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, nga Ervin Muça.
Gjana e cila ndodhet ende në detyrë, panoi në komision se u rekrutua me mik në atë post, por nuk zgjodhi të jepte emrin e mikut që e punësoi.
“Zonja Gjana është pyetur si është punësuar në Drejtorinë e Krimit Kibernetik, si e mori vesh që kishte një post të hapur pune për aty. Ajo ka thënë se e mori vesh mes miqsh. Në momentin që e kanë pyetur se kush kanë qenë konkurrentët e tjerë që kanë konkurruar bashkë me të, ajo ka thënë se nuk mbante mend as datën as kush ka konkurruar me të. “Si jeni punësuar”, ka qenë një nga pyetjet e tjera dhe ajo ka thënë me “mik”. Megjithatë nuk ka preferuar ta tregojë mikun që e ka punësuar”, tha Dervishi.
Gazetarja Dervishi, shtoi se punonjësi i policisë Ardit Muço ka qenë bashkëpunues në komision, duke treguar të gjithë mënyrën si Muça ndërhyu në sistemin Tims.
“Ardit Muço ka qenë shumë koherent në ato që ka deklaruar në komision. Ka shpjeguar të gjithë procedurën se si bëhej ky “back-up-i” i famshëm që të gjithë jemi kurioz për ta mësuar. Ka thënë që ndërhyrja e zotit Muça ka qenë në shkelje të gjithë procedurës dhe rregullave që bëhet ky proces. Aty Arditit i është bërë pyetja nëse njihte personat e tjerë. Ai ka thënë se të gjithë personat që janë sjellë aty nuk kanë qenë pjesë e policisë”, tha gazetarja.