Aktualitet

Kompania japoneze Sumitomo,fillon operimin me një tjetër fabrikë të re

Një fabrikë e re, me investim tërësisht të huaj, për prodhimin e pjesëve për automjete ka hapur dyert në Shqipëri. Falë investimit të kompanisë japoneze Sumitomo, një prej gjigandëve aziatikë të kësaj industrie, sot ofrohen vende të reja pune, me paga të mira dhe me perspektivë rritjeje të lartë. Kompania parasheh të punësojë 2000 persona deri në fund të vitit 2021 dhe deri në 5000 në vijim. Kryeministri Rama, së bashku me ministren e Ekonomisë Anila Denaj, vizituan fabrikën, e ngritur në rreth 5000 metra katrorë në Paskuqan, Tiranë.

Kompania është e specializuar në prodhimin, montimin dhe dizajnin e instalimeve elektrike. Gjithashtu Seës-Cabind prodhon sistemet elektrike për përdorim industrial, kryesisht në sektorin e industrisë automotive. “Kompania jonë është kompania a parë e automjeteve që vjen nga Japonia dhe është synimi ynë t’i bëjmë të kuptojnë gjithë kompanitë e tjera se si është e mundur të zhvillosh biznesin në Shqipëri. E gjithë kjo që shihni këtu është bërë në 1 vit dhe në një kohë pandemie”, – u shpreh CEO i kompanisë, ndërkohë që synimi në këtë sipërmarrje është që nga një turn që punohet sot të kalohet në tre turne.

Shqipëria u ofron prodhuesve të industrisë së automobilave një mjedis konkurrues investimesh, me një ulje të ndjeshme të kostos, krahasuar me shumë vende në Evropë. “Vitin e kaluar, ne ndryshuam tatim-fitimin për sektorin e automobilave, duke e ulur nga 15% në 5% dhe ka qenë dhe një nismë pas bisedës që patëm me drejtuesit e Sumitomo, të cilët premtuan zgjerimin në Shqipëri, por dhe sjelljen e investitorëve të huaj në këtë fushë që, sigurisht, përtej vështirësive të pandemisë është prapë shumë më e fuqishme se industritë e tjera për t’u zhvilluar në zinxhir. Niveli i Sumitomo është në nivelin e parë, furnizon direkt kompanitë mëmë. Është një kompani e fuqishme, shumë e rëndësishme për investimet në Shqipëri dhe me planet e zhvillimit besoj që do jetë një promotor shumë i mirë i gjithë investitorëve të huaj në Japoni”, – tha ministrja Denaj.

Kjo fabrikë, jo vetëm ofron vende pune me paga konkurruese, por edhe trajnime për stafin, duke i ofruar kështu të rinjve mundësi punësimi pasi trajnohen nga kompania. Kryeministri Rama e vlerësoi një kompani me potencial punësimi shumë të lartë. ”Jemi të nderuar t’ju kemi këtu dhe dua të falënderoj posaçërisht ambasadorin, i cili ka qenë një instrument shumë i rëndësishëm në këtë arritje për t’ju patur juve këtu. Ne jemi në dispozicion për zgjerimin, edhe për zgjerime jashtë Tirane dhe në rast se do doni të zhvilloheni në prona publike, ka disa procedura dhe është e rëndësishme të filloni që tani. Këtu paguani taksa shumë më pak sesa në Japoni, më pak se në Itali, më pak se në shumë vende të tjera. Ju vetëm duhet të trajtoni mirë njerëzit tanë dhe gjithçka do shkojë mirë”, – tha Kryeministri.

Sumitomo operon në tregun shqiptar që prej muajit gusht të vitit 2019.​

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version