Kosova

Kosova, mollë e ndaluar/ Rusia përplaset me Gjermaninë

Vëmendja e Rusisë dukshëm është fiksuar në Kosovë. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Moskës, Maria Zakharova, shprehu kundërshti ndaj perëndimit për mënyrën e qasjes ndaj Beogradit dhe Prishtinës. Në një intervistë për median serbe “Politika”, ajo pretendoi se “problemi i Kosovës është tepër serioz”.

Duke amplifikuar ankesat e vazhdueshme dhe pa fakte të Serbisë, Zakharova akuzoi Uashingtonin dhe Brukselin se përmes Prishtinës po ushtrojnë presion ndaj Beogradit për t’u shkëputur nga lidhjet me Moskën dhe për të vendosur sanksione. Ajo theksoi se Ballkani është një rajon i trazuar ku vihen re ende gjurmët e konflikteve dramatike të viteve ’90, duke lënë të kuptohet se është në dijeni të faktit se çdo shkëndijë nga rajoni jonë mund të shpërthejë një luftë të madhe.

“Duke kërkuar arsye për të nisur dy luftëra botërore, Gjermania i gjeti ato në Ballkan. Në këmbim të perspektivës së anëtarësimit në Bashkimin Europian, në Ballkan imponohen narrativa politike dhe sociale nga njerëz të tjerë. Një shembull i qartë janë përpjekjet për të vendosur ndalimin e bashkëpunimit me Rusinë, që sot është një kërkesë absolute dhe e pakushtëzuar për të mos prishur marrëdhëniet me Perëndimin. Për fat të keq disa vende të Ballkanit nuk kanë pasur vullnet politik për t’i rezistuar këtij ultimatum”- tha Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.

Zyrtarja e Moskës lëshoi kritika të shumta në drejtim të Gjermanisë, duke e fajësuar atë për nxitjen e konfliktit të përgjakshëm që solli në shpërbërjen e Jugosllavisë.

Ndër të tjerë, Zakharova, kundërshtoi planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, pasi sipas saj, bie në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo konfirmon edhe njëherë shqetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian, se Rusia nuk ka hequr dorë nga ndërhyrjet në Ballkanin Perëndimor.

Rusia së fundmi ka “dënuar fuqishëm” blerjen e anti-tankeve “Javelin” nga Kosova, duke thënë se ky veprim është rrezik për destabilizim të Ballkanit.

Kështu është shprehur zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ndaj deklaratës së cilës ka reaguar analistja amerikane, Ivana Stradner.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave antitank “Javelin”. Zakharova e Rusisë deklaroi – “Ne dënojmë me vendosmëri çdo përpjekje për të armatosur strukturat ilegale ushtarake të Prishtinës”. Unë iu them; Mos bëni gabim. Rusia do të poshtërohet në Ballkan në vitin 2024” –  ka shkruar analistja amerikane, Ivana Stradner.

Kujtojmë gjithashtu se Zaharova pak ditë më parë, duke u prononcuar për zgjedhjet e fundit në Serbi, deklaroi se “Populli serb do të jetë në gjendje t’i rezistojë përpjekjeve të vendeve perëndimore për të ndërhyrë në punët e brendshme dhe për të shkaktuar krizë në vend”

“Ne shohim se ka elemente shumë serioze të ndërhyrjes Perëndimore në protestat e opozitës në Serbi, por është shumë e rëndësishme që Serbia dhe populli serb, të kenë imunitet. Çfarëdo skenari të ketë Perëndimi, populli serb do të mund të përgjigjet” – deklaroi Zakharova duke shtuar se “serbët e dinë historinë e tyre”

TRENDING

Exit mobile version