Shkrime

Kosovë-Serbi/ Kulaçi mbaroi, gati kërbaçi

Kosova është e lirë që të mos e themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe mund të tërhiqet krejtësisht nga Marrëveshja e vitit 2013, por atëherë duhet “të bart pasojat e zhbërjes së të gjitha të arriturave të mëhershme (lëvizjen e lirë, Kodin telefonik të Kosovës +383, integrimin e pjesës veriore, kontrollin e dy pikave kufitare me Serbinë e të tjera)”  – Kështu thuhet në dokumentin e fundit non-paper që ka siguruar ekskluzivisht Albanian Post.

Me një gjuhë të ashpër dhe aspak diplomatike në këtë non-paper, i punuar nga një diplomat perëndimor i përfshirë thellë në procesin e pajtimit mes  Kosovës dhe Serbisë, është bërë e qartë se çfarë humbasin Kosova dhe Serbia nëse përpjekjet e perëndimit për të vendosur paqe në rajon ballafaqohen me vonesa e bllokada të qëllimshme nga Aleksandër Vuçiç e Albin Kurti.

I ndarë në 11 pjesë të veçanta dhe me mbi 20 nënpika, non-paper prej gjashtë faqesh që, sipas burimeve të AP përmbledh gjithçka me të cilën ballafaqohen Kurti dhe Vuçiç, ka më shumë fokus sqarimin e pasojave fatale të mos-nënshkrimit të Marrëveshjes Bazë mbështetur në Propozimin Evropian, sesa shpjegimin e përfitimeve eventuale.

Një nga pjesët më të rëndësishme të dokumentit është titulluar “Dinamikat Përpara – dështimi nuk është opsion”, ku bëhet e ditur se Bashkimi Evropian dhe Perëndimi nuk e kanë më ndërmend të jenë lojtarë vëzhgues në “taktikat vonuese” dhe “taktikat bllokuese” të Kosovës dhe Serbisë

Aty shkruhet se nëse Prishtina apo Beogradi zyrtar, dështojnë të jenë partnerë konstruktivë dhe nuk e nënshkruajnë marrëveshjen, atëherë “kjo nënkupton ndalimin e procesit të integrimit dhe një prapakthim potencial të raporteve me BE-në dhe të mirave që vijnë me të”.

Sipas këtij dokumenti, “Kosova nuk mund të aspirojë të vazhdojë ta gëzojë mbrojtjen absolute nga bota perëndimore, që është jetike për ekzistencën e vet dhe në të njëjtën kohë të hezitojë në përqafimin e përpjekjeve perëndimore për paqe të përhershme”.

Gjithashu nga ana tjetër, “Serbia nuk mund të aspirojë të vazhdojë të gëzojë benefitet financiare, ekonomike dhe politike të marrëveshjeve ekzistuese dhe në të njëjtën kohë të minojë përpjekjet e perëndimit për paqe të përhershme”.

Dokumenti gjithashtu i bën të qartë Serbisë se “bixhozi me shpresa të rrejshme se në të ardhmen, NATO dhe BE-ja do kolapsojnë duke mundësuar kështu ri-pushtimin e Kosovës, është një recetë për fatkeqësi”.

Shtetet perëndimore bëjnë të qartë në këtë dokument se janë jashtëzakonisht të përfshira dhe po kërkojnë nënshkrimin e një marrëveshje që është “minimalisht ambicioze”, prandaj nëse hasin në bllokada e vonesa të tjera, do të jenë shumë rigorozë në qasje, sepse dështimi i këtij procesi dëmton “seriozisht kredibilitetin e BE-së dhe kredibilitetin e të gjithë botës perëndimore”.

Në dokumantin non paper thuhet se “në takimin e radhës, palët “do të informohen për pasojat e rënda nëse refuzohet propozimi”, dhe perëndimorët do të fillojnë të përdorin pa hezitim shkopinjtë, sepse nëse tregohet hezitim kjo do të mund të nënkuptohej si mungesë përkushtimi.

Tjetër lëvizje e menjëhershme do të jetë edhe caktimi i një date të qartë për nënshkrimin e marrëveshjes.

“Pa një datë të prerë, zgjatja, vonesat dhe bllokadat nuk do bëjnë gjë tjetër, veçse do përqeshin kpafuqinë e Evropës dhe botës perëndimore” –  thuhet në dokument ku theksohe gjithashtu se diplomacia nuk do të ketë efektin e dëshiruar, atëherë është ruajtur edhe një kartë e fundit: Organizimi i një konferencë evropiane (e modeluar sipas eksperiencave të kaluara) si përpjekje e fundit për të bindur palët”.

Në këtë non-paper theksohet se perëndimorët tashmë janë të njohur me taktikat e Vuçiç-it dhe të Kurtit për vonesa dhe tejzgjatje të procesit.

“Taktikat vonuese (Serbia: së pari Asociacionin, pastaj Propozimin Evropian) dhe taktikat bllokuese (Kosova: së pari garantimin e sigurt të njohjeve nga 5 vendet mos-njohëse të BE-së, pastaj Propozimin Evropian) janë të papranueshme” – thuhet në dokument.

Përsaa i përket kërkesë së Kosovës për garanci të njohjeve nga 5-shja mos-njohëse e BE-së, konstatohet se është e pamundur të jepet një garanci e tillë e shkruar, meqë secili nga shtetet është sovran në vendimet e veta, gjithsesi bëhet e ditur se pro Propozimit Evropian janë të 27 shtetet anëtare të BE-së.

Por, edhe pse nuk jepen dot garanci të tilla çfarë ka kërkuar Kosova, në dokument megjithatë ofrohet një skenar pozitiv në këtë drejtim.

“Për disa nga këto shtetet, pëlqimi i Serbisë për Propozimin Evropian është bazë e mjaftueshme për të ngritur marrëdhëniet me Kosovën në marrëveshje të plota diplomatike menjëherë”, thuhet në dokument në pjesën ku sqarohet pozicioni i 5-shes mos-njohëse për Kosovën.

“Nëse jo më herët, në momentin që Kosova bëhet anëtare e Këshillit të Evropës dhe organizatave të tjera ndërkombëtare si rezultat direkt i Propozimit Evropian, këta mos-njohës do t’i bashkohen pozicionit të shteteve të tjera anëtare të BE-së (që e njohin Kosovën)”.

Në një nga faqet e dokumentit janë sqaruar gjithashtu përfitimet e Kosovës dhe Serbisë, nëse tregohen konstruktivë dhe pranojnë ta nënshkruajnë marrëveshjen. Për Kosovën thuhet se nëse nënshkruan dhe themelon Asociacionin në dy procese të ndara, atëherë “zhbllokon procesin e integrimit në NATO/BE dhe fillon marrjen e fondeve dhe investimeve të lidhura me procesin e integrimit”.

TRENDING

Exit mobile version