Kosova

Kosovë-Serbi në sytë e analistes Sonja Biserko

Analistja serbe Sonja Biserko ka vlerësuar se situata në veri të Kosovës është krijuar nga Beogradi për t`i ikur një marrëveshje serioze me Kosovën, konkretisht planit franko-gjerman, për të cilin ka thënë se është oferta më e mirë që e ka Serbia momentalisht.

Biserko ka folur gjithashtu për instrumentalizimin e serbëve të Kosovës nga ana e Beogradit, si dhe manipulimin e opinionit publik në Beograd.

“Është shumë e popullarizuar në Serbi të thuhet që kryeministri Albin Kurti është përgjegjës për të gjitha. Por, shumë njerëz e kuptojnë që ky është manipulim. Kjo situate e krijuar ka vetëm një qëllim: Arratisje apo mohim për të bërë ndonjë marrëveshje serioze me Kosovën. Gjithashtu mendoj që ky manipulim i serbëve të Kosovës është problem i yni i moçëm sepse ata sillen saktë si do Beogradi, janë të instrumentalizuar sidomos prej Listës Serbe” – deklaroi Biserko, sipas së cilës, konflikti i ngrirë në veri, nuk është vetëm dëshirë e Beogradit por edhe e Rusisë.

“Ata dëshirojnë të ekzistojë një konflikt i ngrirë në Kosovë, por edhe në Bosnjë dhe të krijojnë telashe kudo që munden dhe kudo që shkelin në planet. E është shumë lehtë të krijojnë konflikt këtu, sepse Beogradi është aq i infiltruar nga Rusia që nga aparati i sigurisë, kisha, akademia dhe kultura, etj., kështu që nuk është aspak vështirë për ta t`a përcjellin këtë vijë. Në anën tjetër, Vuçiç gjithmonë ka dashur ndarjen e Kosovës, dhe duke patur mbështetjen e Rusisë, ai i mëshon kësaj ideje, edhe pse po bie ndesh me komunitetin e Perëndimit, i cili po mundohet t`a finalizojë çështjen e Kosovës, t’i vë pikën çështjes së Kosovës dhe të ndalojë ndikimin e dëmshëm të Rusisë në gjithë rajonin” – theksoi Sonja Biserko.

TRENDING

Exit mobile version