Kosova

Kosovë/ Shpërthime pranë stacioneve policore në Zveçan dhe Mitrovicën e Veriut

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se gjatë natës janë dëgjuar shpërthime në afërsi të stacioneve policore në Zveçan dhe në Mitrovicën e Veriut. Elshani tha se me shumë gjasa bëhet fjalë për shok-bomba, teksa bëri të ditur se nuk ka të lënduar. Ai tha se një veturë e policisë është dëmtuar. Zëdhënësi i policisë thotë se është hapur një hetim, por ende nuk ka të dyshuar. Këto zhvillime po ndodhin në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur. Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë. Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët. Po ashtu, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj. Një ditë pas kësaj, tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe në veri të vendit, një veprim që Qeveria e Kosovës e ka cilësuar si rrëmbim.

Lajm në përditësim…

TRENDING

Exit mobile version