17/06/2021 , 5:23

“Krah për krah me institucionet e Kosovës përballë sfidave”, Basha pas takimit me Konjufcën: Prioritet vazhdimi i njohjeve ndërkombëtare

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pak pas mbarimit të takimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca deklaroi se prioritet për të dhe PD-në është vazhdimi i njohjeve të këtij shteti në arenën ndërkombëtare.

“Kam kënaqësinë të mirëpres sot në selinë e Partisë Demokratike kryetarin e kuvendit të Kosovës, zotin Konjufca me të cilin shkëmbyem mendime mbi zhvillimet politike në Kosovë, në Shqipëri, në rajon. E urova edhe personalisht për detyrën e rëndësishme, të kreut të një institucioni më të rëndësishëm të republikës së Kosovës, mbartës i legjitimitetit, të qytetarëve të Kosovës.

E sigurova për mbështetjen e plotë dhe koherente të Partisë Demokratike, me të gjitha sfidat me të cilat përballet Kuvendi, qeveria dhe institucionet e Kosovës, si dhe mbështetjen e plotë dhe vëllazërore për të gjithë qytetarët e Kosovës, në sfidat e brendshme të zhvillimit ekonomik, të tejkalimit të pasojave social ekonomike të pandemisë dhe mbi te gjitha në qëndrimin krah për krah me institucionet e Kosovës për përballjen e sfidave të tjera ku për Partinë Demokratike dhe për mua personalisht prioritet mbetet vazhdimi i njohjeve ndërkombëtare, anëtarësimi i Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe përfundimi me sukses i dialogut midis republikës së Kosovës Dhe republikës së Serbisë, me njohjen e ndërsjelltë të këtyre dy shteteve si një investim i domosdoshëm për të çimentuar stabilitetin dhe orientimin euroatlantik , të rajonit tonë, të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor.”, tha Basha.

Sipas Konjufcës, fokusi i bashkëbisedimit ishte dialogu Kosovë-Serbi.

“Jemi shume të nderuar për pritjen në selinë e Partisë Demokratike të Shqipërisë nga kryetari i saj, zoti Lulzim Basha. Patëm një takim shumë të frytshëm duke i trajtuar temat më te rëndësishme nëpërmjet të cilave shqyrtojmë gjendjen e Republikës së Shqipërisë, por edhe atë të Republikës së Kosovës. Fati i shteteve tona është i përbashkët meqenëse ne jemi një komb dhe më erdhi mirë kur i dëgjova qëndrimet zyrtare të Partisë Demokratike të Shqipërisë për sfidat të cilat e presin Kosovën në të ardhmen. Në veçanti prekëm dialogun me Serbinë në të cilën Kosova po përballet me qëllimet e Serbisë, të cilat rezultatin përfundimtar synojnë ta kenë destabilizimin e Kosovës dhe krijimin e një entiteti territorial Serb brenda Kosovës të kontrolluar nga Beogradi duke e hapur edhe planin e Athisarit.

 

 

Më gëzoi shumë fakti që qëndrimet e Partisë Demokratike të Shqipërisë janë shumë të rëndësishme për Republikën e Kosovës, të cilat i shpjegoi edhe në fund të qëndrimeve të Partisë Demokratike të Shqipërisë, kryetari Basha. Këto na ndihmojnë për pozicionimin e Republikës së Kosovës në proceset e ardhshme, edhe në dialogun që e kemi me Serbinë, por edhe në sfidat e integrimeve europiane, sepse vetëm duke patur një pozicion unik, të përbashkët e për të cilin punojmë duke e ndërtuar bashkë në vazhdimësi, të dy shtet tona mund të kenë sukses. Me zëra të ndarë, të fragmentuar, me qëndrime kundërthënëse, të cilat na kanë ndodhur ndonjëherë në të kaluarën, kemi përjetuar vetëm dëme të dy shtetet tona. Sa më të unifikuar që të jenë qëndrimet tona, atëherë mendoj që do të jetë më e lehtë për ne që të kemi prosperitet, por edhe më e shpejt rruga jonë drejt synimit tonë përfundimtar, që është hyrja në Bashkimin Europian. Zoti Basha faleminderit për mikpritjen, jeni të mirëseardhur për një vizitë në Kosovë.”, tha ai.

Related Posts

Kategorite

BIoscalin