BOTË-Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus ka dhënë një lajmë inkurajues në lidhje më numrin e infektimeve në gjithë botën. Në një deklaratë për mediat, ai ka thënë se për tre javë me radhë numri i rasteve të reja me Covid-19 ka shënuar një ulje.
“Për të tretën javë me radhë, numri i rasteve të reja të COVID-19 të raportuara globale ra javën e kaluar. Ka akoma shumë vende me numër në rritje të rasteve, por në nivelin global, ky është një lajm inkurajues,”-ka thënë ai.
Po ashtu, Tedros ka thënë se virusi mund të kontrollohet, madje edhe variante e reja, duke respektuar distancimin social, duke mbajtur maskë dhe higjenë të pastër. Ai paralajmëroi, megjithatë, se bota ka qenë në këtë pikë më parë dhe nuk e ka menaxhuar siç duhet.
“Gjatë vitit të kaluar, ka pasur momente në pothuajse të gjitha vendet kur rastet ranë, dhe qeveritë lehtësuan masat shumë shpejt, por raste u kthyen. Përderisa shpërndahen vaksinat, është jetësore që të gjithë ne të vazhdojmë të marrim masa paraprake për të mbajtur veten dhe njëri-tjetrin të sigurt. Po ashtu ndihmon për garantimin e vaksinave, që të mbeten efektive,”-ka shtuar kreu i OBSH-së.