Miliarderi dhe filantropi amerikan Bill Gates ka komentuar teoritë konspirative ndaj tij, kryesisht për përfshirjen e tij në prodhimin e vaksinës kundër koronavirusit.
Gates u shpreh i habitur se sa shpesh emri i tij dhe i imunologut amerikan Dr. Anthony Fauci kanë qenë në qendër të këtyre teorive konspirative “të liga”. Ai tha se rrjetet sociale i kanë dhënë shtysë përhapjes së këtyre konspiracioneve.
“Kombinimi mes pandemisë dhe rrjeteve sociale është diçka që s’e kemi parë kurrë më parë”, u shpreh ai.
“Teori të tipit si a e krijuam ne pandeminë apo a po tentojmë ne të përfitojmë prej saj…dhe vazhdojnë pa pushim”, tha Gates.
“Jam shumë i surprizuar por shpresoj që të ndalojnë. Do të duhet të edukohemi në vitet e ardhshme, për të kuptuar se si ndryshon sjellja njerëzore. Si mund ta kishim minimizuar këtë, duke bashkëpunuar me rrjetet sociale, apo duke shpjeguar më mirë qëllimet tona”, tha Gates.