17/06/2021 , 4:05

Krimi i organizuar ndërkombëtar dhe sistemi bankar që lejon pastrimin e parave

Nga Vincenzo Musacchio, Huffington Post Italia

Qarkullimi i përgjithshëm monetar i Ndrangetës kalabreze (mafias siçiliane), Kamorrës napolitane dhe mafias Apuliane, arrin sipas EURISPES në rreth 220 miliardë euro në vit (ose 11 për qind të PBB-së), dhe të ardhurat nga trafiku i drogës janë zëri i parë në buxhetin e këtyre organizatave kriminale.

Korrupsioni, pastrimi i parave, evazioni fiskal janë krimet që shpesh fshehin transaksione të dyshimta financiare, dhe që në vitin 2020 treguan shifra shumë shqetësuese. Të dhënat janë siguruar nga Zyra e Njësisë Financiare e Bankës së Italisë, e cila raporton 113.187 transaksione të dyshimta në të gjithë Italinë gjatë vitit të kaluar.

Siç thuhet nga Banka e Italisë në raportin e saj vjetor, transaksionet e dyshimta financiare, kryesisht kanë të bëjnë me aktivitetet e pastrimit të parave të lidhura me krimin, dhe pjesërisht nga korrupsioni dhe evazioni fiskal, dukuri këto që janë të ndërthurura me njëra-tjetrën, por edhe me ndërlidhjet që përfshin kryesisht mafia e re.

Kjo e fundit duhet të administrojë shuma të mëdha parash, dhe për ta bërë këtë gjë në mënyrë efektive, i duhet sistemi bankar. Rrjedhimisht ajo përdor një rrjet të madh bankash,sidomos parajsat fiskale apo ekonomitë në zhvillim, të cilat priren të jenë më pak skrupuloze në procedurat e tyre të monitorimit dhe rregullimit.

Prandaj, ato gjithashtu janë mjedisi ideal për lëvizjet e paligjshme të parave. Ekzistojnë shumë mënyra se si mund të pastrohen paratë, dhe shumica e tyre kryhet përmes transferimeve të ligjshme ndërkombëtare, në mënyrë që të maskohet origjina e vërtetë e tyre.

Pastrimi i parave nuk është ndonjë dukuri ere, por ai është bërë një rrezik më i madh social pas transformimit të krimit të organizuar në një kompani aksionere.

Flukset e mëdha të parave, ndonjëherë në sasi të pallogaritshme, vijnë nga zhvatja, trafiku i armëve, drogës, tregtia e brendshme, lojërat e paligjshme të fatit, apo çfarëdolloj aktiviteti tjetër i paligjshëm.

Megjithëse konsiderohen “të pista” nga institucionet financiare, investimet mafioze janë të përshtatshme pasi kanë një fitim të madh edhe për ata që kryejnë operacionet e pastrimit të parave të pista. Pastrimi i parave të pista me bashkëpunimin e bankave, tani është bërë një praktikë e konsoliduar për mafiat e reja, dhe u lehtësua shumë me ardhjen e epokës elektronike dhe të internetit.

Përparimi teknologjik i parave e ka bërë më të vështirë zbulimin e pastrimit të parave, pasi procedurat e reja janë më komplekse dhe më të sofistikuara, duke përdorur metoda të ndryshme për të arritur rezultatin e synuar.

Sot, pastrimi i parave është procesi me të cilin të ardhurat e marra në mënyrë të paligjshme (para të pista) duken të ligjshme (para të pastra). Zakonisht ky mekanizëm përfshin tre hapa: vendosjen, shtresëzimin dhe integrimin.

Në fillim fondet e paligjshme futen fshehurazi në sistemin ligjor financiar. Më pas paratë transferohen për të krijuar konfuzion, ndonjëherë përmes llogarive të shumta. Së fundmi, ato integrohen në sistemin financiar përmes transaksioneve shtesë, derisa “paratë e pista” të shfaqen si “të pastra”.

Sistemi bankar luan padyshim një rol të rëndësishëm në të gjithë këtë proces. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), vlerëson se këto fonde të paligjshme mund të përbëjnë 3-6 për qind të ekonomisë botërore.

Personalisht, unë besoj se është e pamundur që të bëhet një vlerësim i besueshëm i sasisë së parave të pastruara, pasi shumat e fshehura dhe ato që figurojnë aty zyrtarisht nuk mund të mblidhen me njëra-tjetrën, për shkak se ne nuk i dimë shifrat reale të së parës.

Atje ku mafia nuk arrin që të korruptojë dot sistemin bankar, ajo e anashkalon atë duke shfrytëzuar qëllimisht depozitat e saj, në mënyrë që të jetë brenda kufijve të pranueshëm. Ndërkohë, ato mund të ndajnë depozitat në shuma të vogla që janë nën minimumin e kërkuar nga ligji për të shmangur zbulimin, një metodë e njohur për ekspertët si “smurfing”.

Përmes bizneseve të tij, krimi i organizuar mund të përdorë gjithashtu metodën e lëshimit të një numri të madh faturash të rreme. Pastaj marr hua nga bankat që janë bashkëpunëtore për t’i paguar këto fatura dhe për t’i transferuar fondet në parajsat fiskale.

Nga jashtë, gjithçka do të duket sikur një subjekt tjetër po paguan për produktet apo shërbimet e organizatës. Mafiozët e rinj janë gjithmonë shumë të aftë dhe arrijnë të gjejnë një bankë që është duke u përpjekur të shtojë shpejt depozitat, pasi kështu mund të renditet në bursë.

Krimi i ri i organizuar di sesi të veprojë. Ai zakonisht gjen ose themelon vetë një bankë lokale, në një vend në zhvillim apo një parajsë fiskale off-shore. Biznesmeni pakistanez Agha Hasan Abedi, ndërtoi një rrjet bankar me mbi 400 degë në 78 vende të botës me më shumë se 20 miliardë dollarë në vitin 1980, duke e bërë atë bankën e shtatë më të madhe private në botë.

Por disa vite më vonë u zbulua se operacionet e paligjshme dominonin aktivitetin e bankës, duke e bërë atë de fakto një pronë të krimit të organizuar botëror, pasi ajo operonte mbi të gjitha në vendet ku ishte në fuqi sekreti bankar. Biznesi i saj ishte shumë kompleks. Operatorët e bankës ishin bankierë ndërkombëtarë me lidhje me mafien, dhe synimi i tyre kryesor ishte të mbanin sekret punët e tyre, që kishte të bënte me fshehjen e operacioneve të paligjshme nga kriminelë nga e gjithë bota. Banka kishte hapur depozita dhe kishte pastruar para për llogari të Saddam Hussein, Manuel Noriega, Hussain Mohammad Ershad dhe Samuel Doe, por edhe për organizatat kriminale si kartelet e drogës Medelin dhe Abu Nidal, ndërsa kishte kryer operacione për llogari të Koza Nostras siçiliane.

Që atëherë sistemi ka evoluar, dhe bankat të ngjashme me atë të Hasan Abedin janë shtuar shumë. Madje disa prej tyre po operojnë në sistemin e zakonshëm ligjor. Ne nuk mund t’i themi emrat e tyre, pasi dënimet ndaj tyre nuk janë ende të formës së prerë.

Por mund të themi se në disa banka në Nju Jork janë pastruar të paktën 9 miliardë dollarë fonde të paligjshme ruse, që i përkasin mafies ruse. Po kështu u dënuan 2 banka në Hong Kong dhe Shangai, ku u pastruan 2 miliardë dollarë që u përkisnin trafikantëve të drogës, grupeve terroriste dhe mafies japoneze.

Kohët e fundit, në tetor 2020, 2prej bankave më të mëdha në Indi u zbuluan se ishin bashkëpunëtore në një operacion të pastrimit të 3 miliardë dollarëve, që përfshinte mbi 100 llogari bankare dhe transferimin e parave tek më shumë se 400 njerëz të lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar të Triadës kineze në Hong Kong.

Kjo skemë u krijua për të mbivlerësuar në fatura mallrat e importuara, për të shmangur detyrimet doganore, dhe për të marrë kredi me kushte të favorshme. Krimi u zbulua kur pagesat ndërkufitare nuk përputheshin me importet ushqimore në fjalë.

Për të shmangur shkelje të tilla gjithnjë e më të shpeshta dhe gjithnjë e më të sofistikuara, do të jetë e nevojshme që të forcohen instrumentet penale dhe procedurale në lidhje me sekuestrimin e llogarive bankare dhe pasurive me origjinë të dyshimtë në nivel ndërkombëtar.

Konfiskimi i produkteve të veprës penale duhet të kryhet nga shteti të cilit i kërkohet.

Ky është vetëm hapi i parë i përpjekjeve për shkëputjen e lidhjes midis mafies, sistemit bankar dhe pastrimit të parave, që po ndot gjithnjë e më shumë ekonomitë e ligjshme të shteteve kombëtare, duke e vendosur në krizë të ardhmen e brezave që do të vijnë.abcnews/

 

Related Posts

Kategorite

BIoscalin