Shkrime

Kur Rama kritikon Kosovën dhe nuk flet për sukseset e saj

Nga Enver Bytyçi

Kosova fitoi vendin e anëtarit të asocuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s! Kosova kaloi sprovën e parë dhe kryesoren, sipas mendimit tim, për t’u pranuar në Këshillin e Evropës. Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës fituan vendin e tretë në botë në një konkurs ndërkombëtar ku merrnin pjese përfaqësues të rreth 400 universiteteve të globit, ndër ta edhe ato më famozët universitete. Kosova shënon thuajse çdo ditë suksese dhe fitore të rëndësishme, ose të dorës së dytë.

Megjithatë kryeministri Rama nuk është ndalur të shkruajë asnjë fjalë, asnjë resht, për këto arritje të jashtëzakonshme të Kosovës e të institucioneve të saj. Heshtje e plotë. Kaluan kaq ditë dhe asnjë përshëndetje! Është ai kryeministër që për çdo kritikë që i bëhet qeverisë së Kosovës ose kryeministrit të saj nga Aleksandër Vuçic dhe diplomatë ndërkombëtarë, mban qëndrim negativ kundër Kosovës.

Është po ai kryeministër që thirri presidentin e Francës në Tiranë vetëm që t’i thoshte Albin Kurtit se “Franca do bllokojë liberalizimin e vizave, nëse kryeministri nuk lëviz për zgjedhjet në komunat e veriut”! Është po ai kryeministër që pas Banjskës thoshte se veriu, ku ndodhi akti terrorist serb “është tokë e askujt”! Është po ai kryeministër që hartoi një projekt serb të asociacionit të komunave ku jeton komuniteti serb dhe ia dërgoi presidentit Macron si dhe kancelarit Scholz. Është gjithashtu po ai kryeministër që në takimin e Tetorit në Tiranë me Scholz, e nxiti atë të fliste kundër Kurtit dhe Kosovës, por që nuk mundi ta lëshojë kancelarin gjerman në hullinë e provokimeve të tij!

Pse Rama nuk gjen kohë të thotë vlerësimin e tij, qoftë dhe negativ, për këto zhvillime? Sepse sukseset e Kosovës i bëjnë hije atij dhe autoritetit që ushqen ose dëshiron të ushqejë te shqiptarët në Ballkan. Rama, i mësuar me propagandë mashtruese, lë menjanë sukseset e atyre që nuk i ka në xhepin e tij. Madje nuk i dëshiron as sukseset e bashkëpunëtorëve të tij, sepse është në kërkim vetëm të hijes së vet!

Megjithatë shoh edhe një mundësi tjetër për heshtjen e zotit Rama! Ai është përfshirë në afera të tilla, të cilat kanë kaluar çdo limit. Tashmë duket se e kanë lëshuar gjithashtu miqtë e tij të lidhur me Sorosin. Sepse ai është shndërruar në vetë problemin e qeverisjes, demokracisë e madje të sigurisë në Shqipëri e në rajon. Në këto kushte atij nuk ia ndjen më as për Kosovën, as për Shqipërinë. Nuk i hyjnë në sy as sukseset e as dështimet e dy shteteve përkatëse. Thjesht kujdeset për të ruajtur dhe shpëtuar sa më shumë nga ndëshkimi për mëkatet e tij.

TRENDING

Exit mobile version