Kosova

Kurti fitoi debatin, Bytyçi zbardh prapaskenat e përplasjeve në Kuvend

Profesori Enver Bytyçi ka komentuar paraqitjen e kryeministrit Albin Kurti në seancën e djeshme parlamentare në Kuvend. Ai në një postim në Facebook krahasoi paraqitjet e Kurtit dhe Ramës në parlamentet e Kosovës e Shqipërisë. Madje, Bytyçi u shpreh se Kurti fitoi debatin me opozitën, ndonëse ishte në kushte të vështira. “Një gjë që kryeministri i Kosovës po e bën si duhet, lidhet me atë se ai nuk pranon asnjë hap implementimi të marrëveshjes, nëse këtë marrëveshje nuk e nënshkruan edhe presidenti i Serbisë! Të shohim deri ku do të shkojë kjo këmbëngulje, pasi që presioni do të jetë shumë më i madh mbi zotin Kurti, sesa mbi Aleksandër Vuçiç! Si gjithnjë!” – shkroi ndër të tjera professor Bytyçi. “Albin Kurti e fitoi debatin edhe pse në kushte të vështira për shkak të kushtit të ndërmjetësuesve në dialog që drafti i asosacionit të mos publikohet. Kreu i grupit parlamentar të AAK-së tha se Vuçiç i raporton çdo të fshehtë Rusisë dhe Kinës, ndërsa Kurti nuk ua thotë deputetëve. Në fakt duket një lloj paradoksi që deputetëve të mos ua japësh një draft të tillë. Por krahasimi i deputetit të AAK-së ishte mediokër” – tregoi Enver Bytyci, duke theksuar se “Mbi bazën e dyshimeve, opozita u përpoq ta kryqëzojë zotin Kurti. Por mesa duket vetë opozita do të vihet në siklet të madh. Kur drafti të shkojë në Gjykatë Kushtetuese opozita do ta ketë të lehtë ta kthejë mbrapsht draftin në fjalë, për shkak se shumica dërmuese e anëtarëve të kushtetuses janë prodhim i Hashim Thaçit! Kështu që e ka një mundësi të tillë. Të shohim atëherë, nëse do ndodhë kjo ose jo. Por jam i bindur se opozita do ndikojë që drafti të miratohet në kushtetuese, edhe nëse do të ketë ndonjë difekt. Sepse opozita është më e përulur ndaj ndërkombëtarëve sesa qeveria.” – deklaroi profesori analist.

TRENDING

Exit mobile version