Kosova

Kurti për propozimet mbi dinarin: S’e bëj dot zëdhënësin e ambasadave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë”, refuzoi të japë detaje përsa i përket propozimit që u zbulua gjatë vizitës së fundit të Emisarit Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke thënë se nuk luan dot rolin e zëdhënësit të ambasadave të akredituara në Kosovë.

“Nuk është e thënë që propozimet e tyre t’i shpalos publikisht duke bërë zëdhënësin e ambasadave. Nuk e bëj dot këtë punë”- deklaroi kreu i ekzekutivit kosovar, teksa tregoi se Banka Qendrore e Kosovës dërgoi një letër në adresë të Bankës Popullore të Serbisë, për të gjetur një zgjidhje për çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit në Kosovë.

Duke shtuar se Qeveria e Kosovës do t’i adresojë të gjitha problemet, të cilat mund t’i kenë qytetarët serbë pas hyrjes në fuqi të rregullores, kreu i ekzekutivit kosovar ironizoi edhe me shqetësimet e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare, zyrtarë të lartë të së cilës ngritën shqetësime serioze për ndikimin negativ të rregullores në komunitetin serb.

“Teksa më 27 mars bëhen tre muaj nga hyrja në fuqi e rregullores së Bankës Qëndrore të Kosovës, kishte nga ata që parashikuar apokalipsin më 1 shkurt, por nuk ndodhi as më 1 shkurt, dhe as më 1 mars, nuk do të ndodhë as më 1 prill”- deklaroi shefi i Qeverisë së Kosovës, ndërsa sugjeroi që për propozimet e vendosura mbi tavolinë nga “amerikanët dhe gjermanët” duhet të deklarohen “ata” që japin propozime.

E sa i përket deklaratës së presidentes së Kosovës se një pjesë e propozimit amerikan për çështjen e dinarit është pranuar nga Qeveria e Kosovës, ndërsa sa i përket pjesës tjetër, ende ekziston njëfarë papajtueshmërie, kryeministri Kurti refuzoi të flasë gjithashtu nën justifikimin se mund të dëmtohet pozicioni negociator i Kosovës nëse propozimet shpalosen para kohe.

Ai garantoi se asnjë propozim nuk do të pranohet nëse është në kundërishtim me rregulloren e ndryshuar të BQK-së, nëpërmjet së cilës përcaktohet euro si e vetmja valutë ligjore në vend, duke nxjerrë jashtë përdorimit dinarin serb që përdoret nga serbët nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

TRENDING

Exit mobile version