Shkrime

Kurti pranon asociacionin: Të zbatohen të gjitha pikat

“Asociacioni duhet të zbatohet” – kështu tha kryeministri Albin Kurti në një intervistë të fundit, ku tregoi se i pranon të gjitha pikat e marrëveshjes së fundit me Serbinë dhe kërkoi që ato të zbatohen sa më shpejt. SHBA-ja kërkon themelimin e Asociacionit si parakusht për të nisur sivjet një fushatë globale për njohjen e plotë ndërkombëtare të Kosovës, dhe Kurti e përmend qëndrimin amerikan kur tregon se çfarë Asociacioni duhet të ketë.

Kryeministri dha një intervistë për gazetën kroate, Vecernji list ku foli për marrëdhëniet me ndërkombëtarët, që sipas tij po i mbajnë drastikisht anën Serbisë me qasjen e tyre.

I pyetur se a janë të pranueshme për të, të gjitha pikat e marrëveshjes me Serbinë të finalizuar në Ohër, Kurti u përgjigj: Sigurisht që janë. Dua zbatimin e të gjitha atyre pikave, pa kushte, në plotni dhe sa më shpejt.

Dhe kur gazetari i përmendi nenin 7 që ka të bëjë me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe nëse edhe kjo është e pranueshme për ta, Kurti pohon se marrëveshjet e mëparshme janë detyruese dhe se duhet të zbatohen plotësisht.

Kryeministri tha se ka ofruar një “draft vizion për komunitetin serb në Kosovë, i cili është frymëzuar nga modeli kroat i vetëmenaxhimit përmes Këshillit Kombëtar Serb”. Për të, Kurti tha se “Vuçic nuk donte të dëgjonte apo ta lexonte”.

“Ai do bashkimin e komunave me shumicë serbe kundër shtetit tonë, siç ka bërë në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1991 dhe nuk do të flasë për reciprocitet, sepse në Serbi ka më shumë pakica kombëtare sesa në Kosovë” – deklaroi Kurti

Kosova para një jave ishte çështje kryesore e diskutimit në Capitol Hill, ku i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar raportoi para Kongresit Amerikan për situatën në Ballkanin Perëndimor, i cili tha se është në kontakt të vazhdueshëm me Spanjën, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.  Që SHBA-ja të angazhohet në një rrugë që e çon Kosovën drejt njohjes së plotë ndërkombëtare, Escobar përmendi si parakusht zbatimin e marrëveshjes së finalizuar në Ohër.

 

TRENDING

Exit mobile version