Kosova

Kurti pritet të takojë Vuçiç në Paris: Kam propozime

• Vijojnë tensionet në Veri të Kosovës. EULEX dhe NATO kanë shtuar trupat në veri të Kosovës, duke vendosur aty karabinierë italianë. Në veri të Kosovës kanë vijuar dorëheqjet e serbëve nga institucione, ku ditën e sotme janë dorëhequr zyrtarët komunal të zgjedhjeve. • Udhëheqësit e partive politike opozitare në Kosovë kërkojnë nga qeveria që të bashkërendojë veprimet me aleatët perëndimorë për tejkalimin e krizës në veriun e Kosovës, pas tërheqjes së punonjësve serbë nga të gjitha institucionet vendase për shkak të mospajtimeve me vendimin e qeverisë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia. • Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kërkojnë që serbët të kthehen në institucioneve dhe Serbia t’u përmbahet marrëveshjeve ndërsa Kosova të shtyjë afatin për konvertimin e targave të makinave dhe të fillojë zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumice serbe. • Drafti franko-gjerman fokusohet në normalizimin e marrëdhënieve nga perspektiva e një të ardhmeje të përbashkët të BE-së, ku elementi më kritik është shkëmbimi i misioneve të përhershme, të ngjashme me ambasadat, por në një nivel më të ulët. • Sot pritet që kryeministri Albin Kurti të mund të takohet me Presidentin e Sebrisë Aleksandër Vuçiç në Paris. Të dy kanë udhëtuar drejt Francës ku po mbahet Forumi i Paqes. Vuçiç tha se pret të takohet me presidentin francez Emanuel Macron dhe Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor Miroslav Lajçak. Ndërsa Kurti tha se takimi me Vuçiç mund të jetë trilateral dhe ka bërë me dije edhe detaje të tjera lidhur me atë që mund të ndodhë, duke shtuar se gjithsesi në Paris do të shkojë me 2 propozime.

KOSOVË- Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, gjatë një takimi me Zëvendës-ndihmës sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Çështje Politike dhe ato të Sigurisë, Javier Colomina, tha se situata në Kosovë shkakton shqetësim të thellë për Republikën e Serbisë.

Sipas Vuçeviçit, “kriza aktuale u shkaktua nga mos-zbatimi i marrëveshjes së Brukselit nga Prishtina, e cila nuk e përmbushi detyrimin e saj të vetëm, formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës, më 9 nëntor, që të nisë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit dhe që të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targat.

Qeveria e Kosovës nisi më 1 nëntor të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, me gjithë insistimin e mëhershëm të komunitetit ndërkombëtar që ta shtyjë këtë plan. Janë rreth 9.000 makina me targa të tilla që qarkullojnë në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – që nga paslufta, më 1999.

Qeveria e Kosovës kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës. Plani i saj parashihet të zbatohet në tri faza: e para, qortimi i shoferëve; e dyta, dënimi i shoferëve me 150 euro gjobë, dhe e treta, shpërndarja e targave provuese.

Shumica e serbëve në veri, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, e kundërshtojnë planin, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës. Në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të tij, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Serbia përgatit përforcim financiar për serbët që braktisën institucionet e Kosovës
Ata kanë thënë se nuk do të rikthehen, nëse Qeveria e Kosovës nuk e themelon Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe nuk e tërheq vendimin për riregjistrimin e makinave.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë (EULEX), tha sot se ka përforcuar njësitë e saj rezervë me 23 xhandarë nga karabinierët italianë, me qëllim që t’i ofrojë ndihmë autoriteteve në Kosovë, nëse është e nevojshme.

Më 7 nëntor, sekretarit i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për “situatën e tensionuar në veri të Kosovës”. Ai u kishte kërkuar të dyve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të shkaktojë përshkallëzim të situatës.

Ambasadori Hovenier tha se janë të shqetësuar për situatën në veri, sepse ajo ka “potencial për të eskaluar”.

TRENDING

Exit mobile version