Rajon

Ky është Shengeni Rajonal

Më në fund ja kemi dalë ta arrijmë këtë ditë, e cila faktikisht, nëse kthehemi pas dhe shohim historikun e këtij procesi, ka marrë shumë kohë. Ka qenë shkurti i vitit 2010, pra plot 10 vite më pare, kur qeveria e Shqipërisë ka miratuar për një hua për ndërtimin e linjës së trasmetimit Shqipëri-Kosovë dhe sipas zotimit të kryeministrit paraardhësës, linja e cila do të përfundonte brenda 2 vitesh ishte, citoj “një prej projekteve më të mëdha në historinë e dy vendeve tona me potencialin e rregullimit të tregut të energjisë mes dy shteteve dhe më gjërë se kaq në rajon”.
Duke hequr këtë pjesë të fjalës, me të cilën pajtohem plotësisht, sepse vërtetë është një nga projektet më të mëdha në historinë e dy vendeve tona, dua të kujtoj se puna nuk filloi kurrë dhe, për arsye të mos arsyes që nuk ka nevojë të qëndrojmë këtu gjatë, jo vetëm që asgjë nuk nisi, por sistemi ynë elektroenergjitik vazhdoi të degradojë deri në pikën që u bë një barrë shtypëse mbi shpatullat e shtetit shqiptar, e cila rrezikonte ta falimentonte financiarisht Shqipërinë. U desh viti 2014 që qeveria e re, qeveria jonë të fillonte zbatimin e këtij projekti madhor dhe e mbyllëm projektin ekzaktësisht në dy vjet, në vitin 2016.
Por këtu sot, jemi pas 4 vitesh. 4 vite pas përfundimit të plotë të projektit, kujtoj që kam qenë i pranishëm së bashku me mikun tim Isa Mustafa, kur kemi lajmëruar përfundimin e projektit dhe linja nuk u vu në punë për një arsye që duhet thënë sot dhe që mbase u shërben atyre, të cilët në mënyrë të verbër kundërshtojnë përpjekjen tonë të vazhdueshme për të integruar qasjen ndaj të ardhmes së krejt rajonit. Arsyeja ishte vetoja e Serbisë.
Faktikisht, linja mbeti peng i një formaliteti në kushtet e mungesës së një vullneti politik. Kosova për 4 vjet nuk mund të merrte një kod transmetimi nga rrjeti europian i operatorit të trasmetimit sepse pala serbe pranonte ta njihte pavarësinë e rrjetit të Kosovës me kusht që të mbetej përsëri i varur nga Serbia.
Ky është Shengeni Rajonal.
E përsëris, ky është Shengeni Rajonal.
Kështu zgjidhen problemet që kanë një rëndësi shumë të madhe dhe që mbeten peng i fjalëve të mëdha, i sherreve të mëdha, dhe i grandomanisë që rëndom i ka penguar shqiptarët të shohin përtej hundës së tyre. E pra, ne arritëm që pikërisht, duke hapur rrugën e një ndërveprimi në rajon dhe që duke njehsuar qasjen dhe me ndihmën e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara përsa i përket të ardhmes së këtij rajoni, ta heqim atë veto dhe të marrim mbrapsht pikërisht këtë për të cilën sot jemi mbledhur, hapjen dhe vënien në funksion të këtij projekti, që siç e thoshte dhe paraardhësi im, është një prej projekteve më të mëdha në historinë e dy vendeve, unë them shteteve tona se jemi 1 vend me dy shtete.
Fundi i kësaj historie përmes shtypjes së një butoni të vetëm, i jep jetë sot një hapësire të përbashkët të integruar energjitike mbarëshqiptare. Një hapësirë e pavarur, një një treg sigurisht më të gjërë rajonal, që njëherazi është dhe një hallkë themelore e një sistemi edhe më të madh e të gjërë, siç është sistemi mbarëeuropian i trasmetimit të energjisë. Vënia në operim e linjës 400kV do të sjellë një impakt të jashtëzakonshëm pozitiv në sigurinë e operimit të sistemit elektroenergjitik shqiptar dhe njëkohësisht do të rrisë konsiderueshëm kapacitetin e rrjetit interkonektiv të OST.
Më lejoni me këtë rast, të sjell këtu një shembull nga libri i një historian të njohur, Bernd Fischer rreth Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri ku tregohet në detaj sesi interesat e tregut kishin bashkuar në një hapësirë të vetme Shqipërinë dhe Kosovën, nën sovranitetin e atëhershëm italian. Ishte periudha kur Shqipëria dhe Kosova jepnin e merrnin në mënyrë reciproke, Kosova mbulonte nevojat e Shqipërisë për produktet bujësore, Shqipëria mbulonte nevojat e Kosovës për produkte blegtorale. Kosova mbulonte nevojën e Shqipërisë për qymyr, Shqipëria mbulonte nevojën e Kosovës për krom, hekur, e kështu me rradhë. Sot ndodh ekzakt e njejta gjë.
Shqipëria sot gjeneron 97% të energjisë së saj nga hidrocentalet e Kosova gjeneron 97% të energjisë së saj nga termocentralet.
Mjafton të shohësh të dy pamjet e të njëjtës medalje për të kuptuar se çfarë rëndësie strategjike ka kjo që sot është kthyer në realitet, integrimi i rrjetit dhe ndërveprimi në linjë 24orë24 i OST me KOSTT dhe faktikisht, kjo do  të thotë që siç e nënvizoi ministrja, ne sot jemi reciprokisht më të fuqishëm nga pikëpamja e kapaciteteve dhe përsa na takon si Shqipëri, duke qenë se kemi një nivel kaq të lartë të prodhimit të energjisë së pastër, e cila në Europë përdoret për të ekuilibruar kuotat e karbonit, hapet perspektiva edhe përmes kësaj linje, por edhe përmes atyre investimeve që përmendi ministrja, qoftë Skavica, qoftë dy parqet e mëdha fotovoltaike që janë në process, për të mundur që të eksportojmë.
Në Kosovë dihet botërisht, sistemi ka një kosto operacionale veçanërisht të lartë, rrjeti varet ekskluzivisht nga termocentralet dhe njësoj si me Shqipërinë ku nuk ka fleksibilitet për shkak se gjithë energjia e prodhuar ka si bazë ujin, në Kosovë nuk ka fleksibilitet për shkak se baza e prodhimit është ajo e termos.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version