Kosova

Lajçak zhvesh kostumin/ Me gushtin ikën dhe vapa

Miroslav Lajçak, diplomati sllovak, aktualisht i Dërguar Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, me shumë gjasa nuk do të jetë më në pozitën e ndërmjetësuesit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit pasi gushti i vitit 2024-së pritet të jetë edhe fundi i tij në atë pozitë, meqë atëherë edhe i përfundon mandate.

Kështu ka deklaruar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe eshte shprehur se këtë ia ka thënë vetë top-diplomati sllovak.

Moszgjatja e mandatit për Lajçak-ut, gjithmonë sipas Osmanit, ka të bëjë me zgjedhjet që do të mbahen në Bashkimin Evropian me 6-9 qershor 2024, ku pritet që të zëvendësohen shumë zyrtarë të Unionit.

Lajçak, ish-Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, për herë të parë mandatin e Emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, e pati marrë më 2 prill të vitit 2020. Pas përfundimit të mandatit, BE-ja ia kishte zgjatur atij mandatin edhe pas 1 prillit 2021, për 18 muaj.

Por, kjo nuk kishte qenë zgjatja e fundit e mandatit. Sllovakut, më 18 korrik, Unioni i kishte besuar edhe një herë – me shumë gjasë e fundit – detyrën (24 muaj) në krye të negociatave për të arritur një marrëveshje kompromisi mes dy vendeve ballkanike që assesi të merren vesh.

Gjatë kohës kur Miroslav Lajçak ka negociuar procesin e dialogut nuk është bërë ndonjë progres domethënës, madje situata mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë tejet e tensionuar. Po ashtu, ka pasur kritika – sidomos nga zyrtarët kosovarë – se ndërmjetësuesi Lajçak “po mban anën” e Serbisë.

Arritja më e madhe e sllovakut, në detyrën që Unioni i kishte besuar, është Marrëveshja Bazike (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, 18 mars).

Pajtimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin e Lajçak-ut, dhe shefit të tij, Josep Borrell, për atë që tani njihet si Marrëveshja Bazike, përmbante 11 nene, përmes të cilave Bashkimi Evropian e ShBA-të besojnë se kanë gjetur zgjidhjen.

Aty Kosova – pos tjerash – pranon që te zbatoje të gjitha marrëveshjet e arritura me herët, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe pajtimin për një status special për Kishën Ortodokse Serbe.

Serbisë i kërkohet që të mos e pengoj anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe përgjithësisht njëfarë njohje de-facto të shtetësisë.

Mirëpo, zbatimi i kësaj marrëveshje – aktualisht – ka mbetur në hije, pasi që palët, përkatësisht Kosova dhe Serbia, në vend të implementimit, po akuzojnë njëra tjetrën për shmangie të përgjegjësive nga ajo çka vetë kanë pranuar.

TRENDING

Exit mobile version