Aktualitet

‘Lëndime në kokë…’/ Flet mjeku për gjendjen e tre shqiptarëve të dhunuar

Menjëherë pasi kanë mbërritur në Shqipëri, tre shqiptarët që u dhunuan në Malin e Zi u dërguan në spitalin rajonal të Shkodrës. Klodjan Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaçi janë tre shqiptarët e dhunuar barbarisht nga një grup personash, që dyshohet se janë serbë të Bosnje Hercegovinës.

Mjeku i urgjencës Astrit Lahi tha se dy prej të dhunuarve mbërritën në orën 6:00 të mëngjesit në spital me dëmtime të konsiderueshme në kokë dhe trup. Pasi janë kryer të gjitha kontrollet, janë larguar nga spitali rreth orës 9:00 pasi nuk kanë shfaqur probleme që mund t’u rrezikohej jeta.

“Njëri prej të dëmtuarve ka një plagë të sy ka një traumë por është ekzaminuar nga okulisti dhe nuk rezulton me dëmtime të thella që mund të rrezikojnë shikimin”, u shpreh mjeku Lahi.

Dy prej tre personave të dhunuar shoqëroheshin nga familjarë dhe të afërm gjatë qëndrimit të spital por edhe forca policie derisa janë larguar duke mos pasur probleme të rënda shëndetësore.

Efektivët e policisë malazeze kanë identifikuar tre persona nga Herceg Novi, si autorë të sulmit fizik, identiteti i të cilëve ende nuk është bërë publik, ndërkohë që  vijon puna për arrestimin e tyre. Gjithashtu vazhdojnë intensivisht hetimet për identifikimin e autorëve të tjerë të përfshirë dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

TRENDING

Exit mobile version