Kronike

Lëvizte i armatosur dhe dyshohet se do të kryente vrasje, arrestohet 37-vjeçari në Vaun e Dejës

Një 37-vjeçar, i dënuar më parë brenda dhe jashtë vendit, për përfshirje në fushën e narkotikëve dhe mashtrim është arrestuar nga Policia e Vaut të Dejës, pasi lëvizte i armatosur dhe dyshohet se do të kryente ngjarje kriminale. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Kontigjenti” u arrestua M. (Z.) Gj., 37 vjeç, banues në Vaun e Dejës.

Njoftimi i policisë: Në kuadër të operacionit, në unazën e qytetit të Vaut të Dejës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin e dyshuar dhe kanë ndërhyrë menjëherë për ta ndaluar. Drejtuesi i automjetit ka tentuar të largohet, por është neutralizuar dhe është vënë në pranga nga shërbimet e Policisë. Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit tip “Audi”, poshtë sediljes së pasme të pasagjerit, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri kallashnikov dhe 2 krehra me municion luftarak. Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë shtetasi M. (Z.) Gj., 37 vjeç, banues në Vaun e Dejës, i dënuar më parë në Shqipëri, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe për mashtrim, si dhe në Francë, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe në drejtimin e  Prokurorisë, vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të qëllimit që kishte ky shtetas që qarkullonte me armë zjarri. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Shkodër, për veprime të mëtejshme.

TRENDING

Exit mobile version