Kosova

Libri i lojërave të Putinit/ Schmidt për sulmin terrorist në Kosovë

Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje-Hercegovinën, Christian Schmidt,  ka folur për kërcënimin aktual të luftës në Ballkan dhe për ndikimin që Rusia po ushtron në Serbi. I pyetur se çfarë rreziku sheh nga Rusia në situatën aktuale në Kosovë, e cila u përball me një sulm terrorist të mbështetur nga Serbia ku u vra një polic i Kosovës, Schmidt tha se ky është skenar nga libri i lojërave të Vladimir Putinit. “Kjo përshtatet në librin e lojërave të Putinit dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të jemi gjithmonë vigjilentë ndaj problemeve dhe krizave aktuale. Megjithatë, për momentin, nuk shoh ndonjë rrezik të madh per shperthimin e nje lufte ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. KFOR-i është në Kosovë dhe NATO ka rreth 5000 ushtarë atje për të parandaluar një përshkallëzim të mundshëm”, -tha Schmidt. Ai u pyet nëse beson se presidenti serb Aleksandër Vuçiç është “një qengj i pafajshëm” dhe se Qeveria serbe nuk ka të bëjë me sulmin ndaj policëve në Banjskë dhe se as që mbledh trupa në kufirin me Kosovën, Schmidt u përgjigj –  “Është e vështirë të thuhet. Aktualisht nuk e dimë se çfarë ka ndodhur saktësisht. Ka shumë spekulime, por përvoja jonë në Ballkanin Perëndimor tregon se është jashtëzakonisht e pamundur që askush dhe askund të mos ketë ide për gjërat” “Është cinike – tha Christian Schmidt –  që Serbia dhe Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë shpallën ditë zie për agresorët e vrarë sulmin terrorist. Vertetë këto incidente nuk nënkuptojnë fundin e një procesi të afrimit politik, por situata është padyshim e rrezikshme”. Sipas Schmidt,  ka të ngjarë që politika e Serbisë që të qëndrojë mes Rusisë dhe Perëndimit do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë “Në historinë e re, Rusia është përpjekur gjithmonë të mbajë kontakte të ngushta me Serbinë” – u shpreh Schmidt – dhe se “Të dy vendet kanë disa ngjashmëri”.

TRENDING

Exit mobile version