Bota

Lufta/ Bombardime ruse në Zaporizhia

Rusët kanë vijuar me bombardimet e tyre të njëpasnjëshme në Zaporizhzhia të Ukrainës pavarësisht se sot është ditë feste për të gjithë besimtarët e krishtërë. Për pasojë ndërruan jetë, një baba dhe vajza e tij 12 vjeçare. Zelensky i konsideroi sulmet si provë që Rusia po izolohet nga e gjithë bota duke kryer krime të tilla në ditë feste për të tjerët. Ndërsa luftimet në rajonin e Bakhmutit po vështirësohen gjithmonë e më shumë për palën ukrainase. Një prej ushtarëve pranoi se është shumë e vështirë të ndalet përparimi i rusëve të cilët janë më të shumtë në numër dhe po sulmojnë pa pushim.

Nga ana tjetër, presidenti francez Emmanuel Macron duke folur për mediat pas vizitës së tij në Kinë, u shpreh se pavarësisht se nuk ishte koha, po planifikoheshin negociata mes Rusisë dhe Ukrainës për të arritur në një marrëveshje që do të siguronte armëpushim.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka hapur një hetim në përpjekje për të identifikuar burimin e rrjedhjes së dokumenteve konfidenciale të lidhura veçanërisht me pushtimin rus të Ukrainës, të publikuara këtë javë në rrjetet sociale. Sipas hetimeve të para, këto rrjedhje kanë të bëjnë edhe me analiza shumë të ndjeshme për aleatët e Shteteve të Bashkuara.

“Ne kemi komunikuar me Ministrinë e Mbrojtjes për këtë dhe kemi hapur një hetim”.

Dhjetëra dokumente konfidenciale janë publikuar në Twitter, Telegram, Discord dhe rrjete të tjera sociale ditët e fundit dhe dokumente të reja vazhdojnë të dalin. Të premten, Pentagoni tha gjithashtu se po hetonte rastin.

Ndërkohë, zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Dmitry Medvedev ka thënë se askush nuk ka nevojë për Ukrainën dhe se ajo do të zhduket për krijimin e Rusisë së Madhe.

“Ne kemi nevojë për Rusinë e madhe. Askush nuk ka nevojë për Ukrainën. Ajo do të zhduket”, tha ai.

Nga ana tjetër, organizata ukrainase ‘Save Ukraine’ ka bërë me dije se 31 fëmijë ukrainas që ishin dërguar ilegalisht në Rusi, tashmë janë kthyer në Ukrainë.

Zelensky: Rusët po izolohen nga gjithë bota! Në ditë festimi bombarduan dhe vranë një baba dhe vajzën e tij

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është i bindur se Rusia po izolohet edhe më shumë nga bota dhe nga njerëzimi, pasi goditi me raketa një shtëpi në Zaporizhzhia të Dielën e Pashkwve dhe vrau një burrë dhe vajzën e tij.

“Mbrëmë, ushtria ruse qëlloi në Zaporizhzhia, duke goditur një ndërtesë banimi dhe duke vrarë një 50-vjeçar dhe vajzën e tij 11-vjeçare. Kështu e kalon shteti terrorist këtë të dielë Pashkwsh. Kështu Rusia izolohet edhe më shumë nga bota, nga njerëzimi”- u shpreh Zelensky.

Rusia rrit sulmet, Kievi: Nuk mund t’i rrëzojmë të gjithë raketat ruse! Mbetemi pa mbrojtje ajrore

Raketat ruse që godasin Ukrainën teorikisht mund të rrëzohen nga raketat anti-ajrore, por nëse të gjitha zbresin, kjo mund të shkaktojë një shterim të shpejtë të rezervave dhe t’i lërë qiejt e Ukrainës të pambrojtur ndaj raketave, avionëve dhe helikopterëve rusë, të cilët përbëjnë një kërcënim më serioz. Kjo është thënë nga Yuri Ignat , zëdhënës i Forcave Ajrore të Kievit.

“Një raketë e lëshuar nga një avion nga një lartësi e madhe mund të rrëzohet gjithashtu. Por ku të gjejmë kaq shumë mjete? Nëse llogarisim sa raketa do të nevojiten – sepse më shumë se një raketë nevojiten për të goditur një bombë, gjë që nuk është kaq e lehtë – atëherë rrezikojmë thjesht të mbarojmë armët e mjaftueshme për t’iu kundërvënë forcave të Federatës Ruse që janë tashmë brenda vendit”- u shpreh Ignat.

Ushtari ukrainas: Beteja në Bakhmut është një ferr i vërtetë! Rusët po përparojnë, bombardojnë pa pushim

Një ushtar ukrainës, duke dhënë intervistë për televizionin kombëtar, ka deklaruar se situata në rajonin e Bakhmutit është si një “ferr”. Ai tha se situata është tepër e vështirë për forcat ukrainase që janë më të pakta në numër përballë rusëve.

“Bakhmut po reziston dhe ka një furnizim me armë, por rusët janë më të shumtë se ne dhe kanë më shumë municion. Është ferr në Bakhmut . Aktualisht po mbajmë krahun e djathtë të mbrojtjes së qytetit. Artileria e armikut qëllon pa pushim,” tha ai.

Raportet jozyrtare raportojnë se forcat ruse po vazhdojnë përparimin e tyre të ngadaltë përmes qendrës së Bakhmutit dhe në pjesët perëndimore të qytetit, me stacionin hekurudhor si një objektiv të ardhshëm kyç të mundshëm për të pushtuar.

 

TRENDING

Exit mobile version