Politike

“Lufta” në PD e vulës/ Përplasjet për shkak të rikthimit të Bashës

Në Partinë Demokratike zyrtare ka dalë në sipërfaqe një pjesë e luftës së ftohtë për kreun e partisë. Nga njëra anë është Lulzim Basha, i cili po përpiqet të qëndrojë në hije deri në 20 qershor, kur të shpallë zyrtarisht kandidimin. Përmes disa anëtarëve në Kryesi, ish-kryetari po luan fijet për skenarin e zgjedhjeve të menjëhershme për kryetar, megjithëse partisë i mungojnë praktikisht të gjitha strukturat. Në krye të grupit që mbron publikisht interesat e Lulzim Bashës qëndron Enkelejd Alibeaj. Bashkë me disa anëtarë të tjerë të Kryesisë, ata kanë vendosur nisjen e procesit të zgjedhjes së kryetarit në shkelje të statutit të partisë, pa thirrur më parë Këshillin Kombëtar, i vetmi forum që vendos për anëtarët e Komisionit Zgjedhor. Gjithashtu, për të zgjedhur Lulzim Bashën kryetar në 29 Korrik, ky grup ka komanduar kryetarët e degëve aty ku mungojnë, pa e mbledhur kryesinë fizikisht. Me motivin se nuk kanë shumë kohë në dispozicion, sipas këtij vendimi, Kryesia duket se nuk do të mblidhet më, por firmat do të merren në distancë.

Përmes këtyre vendimeve, që shkelin statutin, si dhe marrin edhe kompetencat e Sekretarit të Përgjithshëm, synohet të krijohet një listë anëtarësie që kontrollohet nga Basha, duke qenë se kryetari i PD zgjidhet sipas parimit 1 anëtar, 1 votë. Nga ana tjetër e formacionit të kësaj lufte të re brenda PD zyrtare qëndron sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, i cili po kërkon nga Basha të njëjtin standard që kërkoi nga Berisha 2 vjet më parë: zgjedhje sipas statutit.

“Nëse një parti nuk ka organin më të lartë drejtues mes dy kuvendeve atëherë nuk mund të organizojë asnjë proces zgjedhor. As s’kam firmosur dhe as nuk do firmos një vendim qe bie ndesh me statutin e Partisë. Si Sekretar i Përgjithshëm nuk kam dijeni për një vendim të tillë. Ndërkohë që organizimi i Partisë Demokratike është përgjegjësi e sekretarit të përgjithshëm. Mesa duket një grup i caktuar ka vendosur të marrë kompetencat e Sekretarit të Përgjithshëm.”- u shpreh Gazment Bardhi.

Gazment Bardhi dhe Lulzim Basha ishin bashkëpunëtorë të ngushtë deri në kohën, kur Basha u detyrua nga grupi parlamentar të japë dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve të 6 marsit 2022. Synimi i Lulzim Bashës për t’u rikthyer me mjete që deri dje ka sulmuar Sali Berishën, mesa duket është vijë e kuqe për Gazment Bardhin.

“Secili prej jush e njeh statutin, komisioni zgjedhor i partisë, emërohet dhe miratohet nga këshilli kombëtar. Unë si Sekretar i Përgjithshëm do ndjek rrugën statutore. Pa statut dhe rregulla s’mund të ketë bashkëjetesë.”

Deri në shpalljen e kandidaturave në 20 qershor zhvillimet pritet të jenë interesante në partinë demokratike zyrtare. Dhe nëse plani Basha zbatohet deri në fund, pikëpyetja e madhe është: A do të shkojë procesi sërish në gjykatë?

 

TRENDING

Exit mobile version